“E qëlloi pëllumbin dhe e hëngri”, ish-lojtari i La Masias zbulon një histori interesante me Icardin

Akademia legjendare e Barcelonës e njohur me emrin ‘La Masia’ fsheh histori të panumërta për talentë të rinj, por një e zbuluar së fundmi nga Sergi Gomez është veçanërisht interesante dhe disi e papritur.
Në një intervistë me kanalin El After de Post United, mbrojtësi katalunas tregoi se si dikur ndante një apartament me sulmuesin aktual të Galatasarayt, Mauro Icardi, dhe dy lojtarë të tjerë të rinj, Marco Munies dhe Sergi Roberto.
"Mauro erdhi në La Masia dhe qëndruam bashkë për tre, katër sezone. Gjatë njërit prej këtyre sezoneve ndanim një apartament. Një ditë ai më tha 'Sergi, eja me mua në parkun ngjitur'”, ka treguar fillimisht Gomez.
“Ai mbante një copë druri në formë Y-je, të cilën e kishte prerë vetë një ditë më parë, me një llastik të lidhur në të – një llastik të bërë në shtëpi”.
“A e sheh atje lart?”, e pyeti Icardi Gomezin, duke e parë pëllumbin në majë të pishës.
“Ai kapi një gur, tërhoqi llastikun dhe... bum! Ai e qëlloi pëllumbin nga një lartësi prej 20-30 metrash. U kthyem në La Masia, ai ia këputi pendët, i kaloi në një tel, ndezi zjarrin dhe e hëngri para syve të mi", kujton Gomez me një buzëqeshje.
"Mendova atëherë, 'Çfarë tjetër më pret nëse fillojmë kështu?' Por kam shumë respekt për Mauron. Kemi kaluar shumë gjëra së bashku, dhe nëse ai e sheh këtë, do ta dijë se e mbaj atë histori në zemër", përfundoi mbrojtësi.
Edhe pse luanin së bashku në ekipin rezervë të Barçës, karrierat e Sergios dhe Mauros morën drejtime krejtësisht të ndryshme.
Sergi Gomez luajti vetëm një ndeshje për ekipin e parë të Blaugranave përpara se të kishte një karrierë të frytshme në La Liga me Celta Vigon, Sevillan dhe Espanyolin. Këtë verë, pasi kontrata e tij me Espanyol skadoi, ai është aktualisht pa klub, gati për atë që mund të jetë aventura e tij e fundit si profesionist - dhe e para jashtë Spanjës.
Mauro Icardi u largua nga La Masia për në Sampdoria në vitin 2011. Pas performancave të shkëlqyera kaloi te Interi dhe pastaj u treguar te PSG. Pas një periudhe të shkurtër te PSG, ai tani është një nga figurat kyçe te Galatasaray në Turqi. /Telegrafi/



















































