“E papranueshme për nivelin tonë” – Arteta i zhgënjyer pavarësisht fitores dramatike ndaj Wolves

Mikel Arteta ka shprehur hapur pakënaqësinë me paraqitjen e Arsenalit, pavarësisht fitores 2-1 ndaj Wolves, e cila u sigurua vetëm falë një autogoli në minutën e 94-të nga Yerson Mosquera.
“Topçinjtë” kaluan në epërsi fillimisht po ashtu nga një autogol, kur goditja nga këndi e Bukayo Sakas u përplas në shtyllë dhe më pas në shpinën e portierit Sam Johnstone, duke përfunduar në rrjetë. Megjithatë, Wolves barazoi në minutën e 90-të, kur Tolu Arokodare realizoi me kokë ndaj David Raya-s, duke krijuar përshtypjen se mysafirët kishin rrëmbyer një pikë në “Emirates”.
Gëzimi i Wolves zgjati pak, pasi një tjetër krosim i Sakas shkaktoi autogolin e dytë të ndeshjes, këtë herë nga Mosquera, duke i dhënë Arsenalit tri pikë në frymën e fundit.
Pas ndeshjes, në intervistat për “TNT Sports” dhe “BBC Match of the Day”, Arteta pranoi se performanca ishte zhgënjyese dhe theksoi se skuadra duhet të përmirësohet menjëherë.

“E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë”.
“Patëm shumë situata në pjesën e parë që ishin raste të mëdha. Pastaj, në pjesën e dytë, nuk krijuam shumë raste të pastra”.
“Më pas kishim periudha ku për tre minuta rresht u tërhoqëm shumë mbrapa, ishim tepër pasivë. Kishte zakone shumë të dobëta mbrojtëse, të cilat nuk janë të pranueshme për nivelin tonë. Duhet ta përmirësojmë këtë dhe, në fund, mbështetesh në një veprim individual për të shënuar golin dhe për ta fituar ndeshjen”.
“Krijuam shumë situata pa zgjedhur lojtarin e duhur me pasimin final. Pavarësisht se si shkon loja, gjithmonë mund të gjesh një zgjidhje për ta fituar atë”.
“Tani do të kemi një javë të pastër. Pastaj vazhdojmë sërish për periudhën e Krishtlindjeve, e dimë çfarë na pret. Por kaq, e fiton ndeshjen dhe ecën përpara”.
Arsenali aktualisht është lider në Ligën Premier, pesë pikë mbi Man Cityn./Telegrafi







































