LAJMI I FUNDIT:

E pakuptimtë: Pushimi i lehonisë mund të shkurtohet për tre muaj (Video)

E pakuptimtë: Pushimi i lehonisë mund të shkurtohet për tre muaj (Video)

Ndryshimet në Ligjin e ri të punës mund ta shkurtojnë për tre muaj pushimin e lehonisë. Ministria e Punës tashmë ka hartuar një projektligj për ndryshimin e këtij ligji, por ende thuhet se nuk është draft final.

Ndryshimin më të madh sipas draftit do ta pësojë neni 49, ku flitet për pushimin e lehonisë e i cili edhe ishte mollë sherri mes sindikatave, bizneseve e qeverisë. Nga një vit pushim sa ishte këta 5 vjetët e fundit, pritet që të zvogëlohet në 9 muaj, e rrjedhimisht do të ndryshojë edhe pagesa.


Në draft thuhet se tre muajt e parë të pushimit të lehonisë, pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim prej 70% të pagës bazë, tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë për sektorin privat ndërsa për sektorin publik kompensimin e realizon punëdhënësi.

E tre muajt e fundit të pushimit të lehonisë janë pa pagesë, përjashto gratë që lindin binjakë, ku qeveria obligohet që edhe këta tre muaj t’ua paguajë 50 për qind të pagës mesatare, e po ashtu ato kanë të drejtë të marrin edhe 3 muaj të tjerë pa pagesë.

Por me këtë nuk janë pajtuar sindikatat e Kosovës, të cilat janë të bindura se ky nen nuk do të kalojë si i tillë. Ata kanë propozuar që pushimi i lehonave të zgjasë 12 muaj, 9 me pagesë ku 4,5 muaj do t’i paguajë punëdhënësi me normën prej 70 për qind po aq të paguajë edhe qeveria për 4.5 muajt e tjerë.

Madje Haxhi Arifi zotohet se propozimi i tyre ka marrë edhe mbështetjen e Këshillit Ekonomiko Social pjesë e së cilës është edhe qeveria dhe bizneset.