Hormonet e stresit, siç është kortizoli, e rrisin oreksin dhe nevojën për energji, por përparësi gjithmonë merr ushqimi i ëmbël, jo domosdoshmërisht ai i kripur apo neutral

Sa herë keni qenë në situatën kur “ju kërkohet” diçka e ëmbël me arsyetimin se ndoshta ju ka rënë sheqeri?


Shkencëtarët kanë shqyrtuar nëse kjo nevojë është më shumë psikologjike apo fiziologjike, dhe në çfarë mase secila nga këto komponentë ndikon.

Mekanizmat fiziologjikë të nevojës për të ëmbla: Kur na bie realisht sheqeri?

Kur niveli i sheqerit në gjak (glukoza) bie nën një kufi të caktuar, gjendje e njohur si hipoglikemi ose “rrëzim” pas marrjes së lartë të karbohidrateve, trupi dhe truri e regjistrojnë këtë deficit energjie.

Truri, që varet drejtpërdrejt nga glukoza si burim energjie, sinjalizon nevojën për marrje të shpejtë karbohidratesh. Shumicën e herëve kjo do të thotë ushqim i ëmbël, transmeton Telegrafi.

Roli i hormoneve

Hormonet luajnë një rol vendimtar:

Insulina rregullon përthithjen e sheqerit. Kur ai bie në mënyrë të befasishme, shfaqen ndjenja urie dhe dobësie, duke nxitur dëshirën për ëmbëlsira.

Kortizoli, hormoni i stresit, e shton oreksin dhe sidomos dëshirën për burime të shpejta energjie – pra, për të ëmbla.

Faktorët psikologjikë në këtë proces

▪ Zakonet dhe shprehitë – nëse jeni mësuar të hani diçka të ëmbël kur jeni të uritur, të stresuar apo për ta shpërblyer veten, truri e pret automatikisht këtë reagim.

▪ Emocionet dhe stresi – ndjenja si ankthi, frustrimi ose mërzia shpesh nxisin kërkimin e kënaqësisë së menjëhershme. Sheqernat aktivizojnë neurotransmetues si dopamina, që sjellin ndjesi të shpejtë kënaqësie.

▪ Ndikimet kulturore dhe shoqërore – qasja e lehtë, reklamat, traditat (p.sh. ëmbëlsira pas darkës, tortat e ditëlindjeve, festat) e forcojnë lidhjen psikologjike mes të ëmblës dhe shpërblimit.

Përgjigjja: Fiziologjike, psikologjike apo të dyja?

Më e saktë është të thuhet: kombinim i të dyjave.

Rënia e sheqerit në gjak dërgon sinjal fiziologjik (trupi kërkon energji), por zakonet, emocionet dhe konteksti kulturor e përcaktojnë se çfarë ushqimi do të zgjidhet dhe në çfarë sasie.

P.sh. një person që ka rënie të glukozës mund të zgjidhte fruta apo arra, por shpesh zgjedh një tortë, sepse kjo është bërë zakon dhe ofron kënaqësi të menjëhershme.

Strategji për ta menaxhuar më mirë dëshirën për të ëmbla

▪ Konsumoni ushqime të balancuara me proteina, yndyra të shëndetshme dhe fibra për të parandaluar rënien e shpejtë të glukozës.

▪ Shmangni sasitë e mëdha të sheqernave të thjeshta dhe karbohidrateve të rafinuara, që ngopin shpejt por boshatisin shpejt rezervat e energjisë.

▪ Zgjidhni alternativa më të shëndetshme: fruta, çokollatë të zezë, kos me fruta dhe arra.

▪ Kujdesuni për gjumin e rregullt dhe reduktimin e stresit, sepse mungesa e gjumit dhe stresi i lartë e shtojnë dëshirën psikologjike për të ashtuquajturën “ushqim komfor”. /Telegrafi/