LAJMI I FUNDIT:

“E çka nuk shkon” e Albinit?!

Jam i sigurt se shkrimet politike të Albin Kurtit, për shkak të qasjes, gjuhës dhe stilit mjaft origjinal, është e pamundur që të mos tërheqin vëmendjen e shumë lexuesve. Dhe, sa herë t’i lexosh ato, nuk të lënë që të ndihesh indiferent dhe në rastet e shumta të mos marrësh anën e autorit.

Një fjalë e urtë thotë: mbushma mendjen, po të besoj. Kurse Albini është njëri prej atyre analistëve që edhe ta mbushë mendjen dhe nëse për asgjë tjetër, për forcën e argumenteve që ai gjen dhe i numëron. Kjo vlen aq më shumë atëherë kur ai merret me çështjen e bisedimeve me Serbinë (aq shumë të përfolur) për “normalizimin e marrëdhënieve” me këtë shtet.


Asnjëherë nuk ka qenë më vështirë se sot për t’ua mbushur mendjen qytetarëve se mendimin që jep një politikan apo analist yni për ftillimin e lëmshit politik të ngatërruar aq keq në raport me Serbinë – sa shumë zor për t’ia gjetur fillin, e në fund të besosh se ja ky ia paska qëlluar më së miri deri tash dhe se kjo mund të jetë zgjidhja më e mirë. Sepse tjetri analist të nesërmen mund të dalë me të tjera argumente dhe ti të luhatesh nga ajo që ke besuar dje.

Por, në këtë rast kjo s’ mund të thuhet edhe për Albin Kurtin. Nuk lejon kryeneçësia e argumenteve. Në një shkrim të Albin Kurtit të botuar këto ditë, duke bërë fjalë përkitazi me vullnetin e disa liderëve-politikanëve tanë që sa mundin thërrasin për të përkrahur “normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës me Serbinë”, që ndryshe mund të përkthehet, siç thotë ai, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ke si të jesh indiferent ndaj fakteve dhe argumenteve që ai jep për (pa)mundësinë e nisjes së këtyre bisedimeve. Mjafton të merren për bazë pesë kushtet që propozon ky lider politikan, për t’u bindur se sa ka të drejta dhe sa të pakontestueshme dalin këto argumente.

Me cilat fakte dhe argumente do të mund të kontestoheshin pesë kushtet që propozon lideri i Vetëvendosjes për të hyrë në bisedime “për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës me Serbinë”? Çka ka këtu që nuk shkon dhe që s’është plotësisht e logjikshme dhe arsyeshme për t’ia qitur përpara Serbisë që të ballafaqohet me to dhe cilat janë argumentet e qëndrueshme të Serbisë për t’i kundërshtuar këto kushte? Ajo mund të shpifë me qindra sosh, por vetëm dokrra, e jo argumente.

Le t’i shohim me radhë dhe analizojmë sadopak kushtet e shtruara të Albinit: Një, kushtet juridike – ndryshimi i Kushtetutës: e çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo në Kushtetutën e saj Kosovën e llogaritë pjesë të saj dhe nuk pranon që ta ndryshojë këtë paragraf? Dy, kushtet morale dhe humanitare: çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo nuk pranon “t’i kërkojë falje Kosovës për krime ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX dhe të na i kthejë trupat e rreth 1750 të pagjeturve, për të cilat as nuk jep informacione? Tre, kushtet politike: çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo nuk pranon të pushojë shtypjen dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe ta ndërpresë financimin e strukturave ilegale në Kosovë? Katër, kushtet e drejtësisë: çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo nuk pranon t’i dorëzojë kriminelët serbë të luftës dhe të mos lejojë që të shëtitën të lirë edhe më tej ata dhjetëra mijëra… të luftërave të viteve të ’90-ta? Pesë, kushtet e zhdëmtimit: çfarë dialogu mund të ketë me Serbinë, përderisa ajo nuk pranon të na i paguajë dëmet e luftës dhe të okupimit, të na e kthejë fondin pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, regjistrat civilë, librat kadastralë dhe artefaktet kulturore? Aq më parë kur këto kushte do t’i paraqiteshin pikërisht asaj qeverie ku shumë eksponentë të saj i takojnë qeverisë së mëparshme të Milosheviqit!

E çfarë ka këtu, në të vërtetë, në këto kushte të Albinit që nuk shkon dhe që nuk po bëka për t’ia qitur përpara në tavolinë Serbisë, para se të fillojë dialogu “për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës me Serbinë”? A nuk ia vlen që duke ia paraqitur këto kushte Serbisë, asaj ia nxjerr prej dore shumë më lehtë kërkesën e rrezikshme për statusin e veçantë të serbëve në veri? A mos vërtet u dashka pritur që këto kushte, siç thotë Albini, t’ia paraqesë Serbisë faktori ndërkombëtar e jo politikanët tanë që me padurim presin “normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës me Serbinë”? Atëherë nëse këto jo, cilat do të jenë kushtet ekstra-të posaçme që do t’i vihen përpara Serbisë e do të fitojë shteti i Kosovës?