Të martën pasdite një tragjedi ka ndodhur në afërsi të pikës Kufitare “Dheu i Bardhë”, ku një person 69-vjeçar nga Ferizaj, dyshohet se ka rënë në lumin Morava duke humbur edhe jetën.

I ndjeri, bashkë me djalin dhe vajzën, ishte duke udhëtuar me makinë drejt pikës kufitare,  por ai është afruar drejt lumit ku dyshohet se ka rënë aty aksidentalisht.


Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka bërë të ditur se rasti është nën hetime, derisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Policia e Kosovës, Ranillug ka njoftuar se kanë marrë një informatë se një person mashkull shqiptar shtetas i Kosovës (1955) nga Ferizaj dyshohet se ka rënë në lumin Morava afër pikës kufitare 'Dheu i bardhë'", kishte njoftuar Hashani.

“Sipas informatave të para i ndjeri së bashku me fëmijët e tij (djalin dhe vajzën) me veturë ishin nisur në drejtim të PK “Dheu i bardhë ‘’. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai aksidentalisht ka rënë në lumë”, ka shtuar tutje Hashani.

Screenshot 11 3

Në rrjetet sociale, saktësisht Aktivistë të Peshkimit kanë publikuar në Facebook momentin kur është gjetur trupi i pajetë i 69-vjeçarit.

Screenshot 12 6

Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka konfirmuar për Telegrafin se videoja e publikuar është ajo e momentit kur është gjetur trupi i pajetë i 69-vjeçarit nga Ferizaj. /Telegrafi/