Dyshimet për manipulim të votave, Prokuroria nis grumbullimin e provave

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka monitoruar në vazhdimësi procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore dhe do të ndërmarrë veprime për çdo dyshim për keqpërdorim të votave.
Sipas njoftimit për media thuhet se koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë rinumërimit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në komunat ku ka përfunduar rinumërimi të fillojnë grumbullimin e informatave dhe provave relevante që mund të vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale lidhur me procesin zgjedhor.
“Prokurorja Pula ka kërkuar gjithashtu që edhe në komunat ku rinumërimi nuk ka përfunduar, menjëherë pas përfundimit të tij të fillohet me procesin e grumbullimit të provave të nevojshme”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thekson se Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin ka dyshime se është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë./Telegrafi/





















































