LAJMI I FUNDIT:

Dyert nga druri, kuzhinat, dritaret e fasadat nga xhami ishin produktet e Fasal dhe Nero Home të prezantuara në Panairin e bizneseve në Vjenë

Në mesin e 27 kompanive nga Kosova pjesëmarrëse në panairin e bizneseve shqiptare, të mbajtur të shtunën në Vjenë të Austrisë, ishte edhe “Line Group”.

Pronari i kësaj kompanie nga Peja, Kastriot Lluka, në një intervistë në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, tha se nuk është hera e parë që marrin pjesë në këtë panair.


Por, ai bëri të ditur se risi këtë vit është një investim i bërë në “Line Group” në sektorin e drurit.

“Kemi marrë pjesë edhe herëve të tjera. Çka është risi e këtij panairi tash është që Kompania Line Group si veprimtari kryesore ka dyert, dritaret dhe fasadat, por vitin e kaluar kemi bërë një investim të ri në sektorin e drurit pra për prodhimin e dyerve të brendshme, kuzhinave, mobilierisë. Sivjet marrim pjesë me brend të ri në sektorin e mobilierisë NERO”, u shpreh Lluka.

Pronari i kompanisë “Line Group”, Kastriot Lluka

Ai tregoi se “Line Group” tash e 30 vjet operon në treg me sektorin e prodhimit, ndërsa shtoi se synim kanë tregjet evropiane dhe atë amerikan.

“’Line Group’ është kompani e cila ka edhe brendet e veta siç është Fasal ku bëhet prodhimi i fasadave, siç janë fasadat e xhamit, fasadat ventiluese, pjesë të brendshme që janë dyert e dritaret nga plastika, alumini ndërsa pjesa tjetër është NEROM në sektorin e mobilierisë – ku është duke u bërë një investim shumë i madh që ka pretendim dhe synim eksportin në tregjet evropiane dhe tregun amerikan”.

“Është pritur shumë mirë si eksperiencë Line Group që tash e 30 vjet merret me këtë punë në sektorin e prodhimit. Të gjitha këto punë kryhen në Pejë. Ne operojmë për momentin në tri fabrika – dy janë në Pejë dhe njëra në Prishtinë. Tash është hapur edhe një fabrikë e re e drurit që është një objekt i ri”.

Lluka tutje foli edhe për panairin e bizneseve shqiptare në Vjenë, qëllimi i të cilit tha se është rrjetëzimi i kompanive shqiptare që veprojnë në Austri.

“Por, në të njëjtën kohë edhe kompanitë austriake kanë shprehur shumë interesim për kompanitë kosovare dhe për produktet që ne i prodhojmë. Ne jemi duke përgatit prodhime dhe teknologji që janë linjë e veçantë vetëm për eksportin që i përshtatet tregut austriak dhe evropian”, tha ai.

Shtoi se synim kanë rritjen e prezencës në tregjet evropiane dhe në atë amerikan.

“Ne jemi prezentë pothuajse në të gjitha vendet e Evropës me produktet tona. Synimet janë që ta rrisim prezencën edhe më shumë edhe të kemi shtrirje në më shumë vende të Evropës. Po ashtu, qe tri vite jemi duke operuar në tregun amerikan dhe synojmë që ta rrisim edhe më shumë prezencën sepse është treg shumë i madh”.

Sipas tij, interesimi i kompanive austriake për të bashkuar me “Line Group” dhe kompanitë tjera nga Kosova është shumë i madh.

Kastriot Lluka gjatë intervistës në emisionin “Përballje”

“Kemi filluar bashkëpunimet me kompanitë këtu në Vjenë. Interesimi është shumë i madh. Jemi të befasuar me pritjen që po na bëjnë. Të them të drejtën investimet që janë duke u bërë kohëve të fundit në Kosovë kanë rritur interesimin edhe për prodhues dhe ndërtues nëpër Evropë që janë sepse prodhohet kualitet”.

“Synimi ynë është që produktet tona të shiten nëpër Evropë, por të prodhohen në Kosovë. Pra, vlera shtesë të mbetet në Kosovë”, përfundoi Lluka.

Panairi i bizneseve shqiptare është hapur të shtunën në Vjenë të Austrisë , ku janë prezantuar një numër i konsiderueshëm i bizneseve shqiptare që veprojnë atje, duke filluar nga gastronomia, hoteleria, ndërtimtaria, mediat, it- design, imobile, estetikë etj.

Telegrafi ishte i pranishëm në këtë panair, ku morën pjesë rreth 27 kompani nga Kosova, pastaj edhe nga Shqipëria, nga Lugina e Preshevës dhe nga Maqedonia e Veriut. /Telegrafi/