Dy zyrtarë të Ekonomisë Pyjore dyshohet se u sulmuan në Dermjak të Hanit të Elezit, të dyshuarit në arrati

Dy zyrtarë të Ekonomisë Pyjore dyshohet se janë sulmuar me mjete të forta nga katër persona, në një incident të ndodhur në fshatin Dermjak të Hanit të Elezit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Telegrafin se rasti është raportuar të hënën pasdite, më 26 janar 2026, rreth orës 18:10.
“Dy meshkuj kosovarë, zyrtarë të Ekonomisë Pyjore, kanë raportuar në stacionin policor në Hani të Elezit se ishin sulmuar me mjete të forta nga katër persona të dyshuar”, tha Veseli.
Sipas tij, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor në emergjencën e Ferizajt.
“Të dy zyrtarët janë trajtuar nga ekipi mjekësor, ndërsa gjendja e tyre po monitorohet”, ka theksuar ai.
Ai ka shtuar se të dyshuarit janë ende në arrati dhe se Policia e Kosovës është duke zhvilluar veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e tyre.
“Të dyshuarit gjenden në arrati”, ka përfunduar Veseli.
Rasti është iniciuar si “lëndim trupor”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitë kompetente policore. /Telegrafi/





















































