Dy racat më të ëmbla u bashkuan dhe krijuan qenin që fiton zemrën me një shikim

I vogël, por me zemër të madhe – ky hibrid rrallë i njohur po mahnit adhuruesit e kafshëve në mbarë botën
Ky qen trashëgon tiparet fizike dhe karakteristikat e të dy prindërve, ndaj pronarët duhet të presin një kafshë shtëpiake me madhësi mesatare, që gëzon çdo moment me familjen dhe vrapimin në natyrë.
Lartësia e Schnauzer-it mbretëror është 25 deri në 35 cm, pesha 4,5 deri në 9 kg, ndërsa jetëgjatësia varion nga 12 deri në 14 vjet. Gëzofi i tij mund të jetë i bardhë, i zi, gri, kafe apo i kuqërremtë, dhe ai është ideal për familje aktive që kërkojnë një shok të përkushtuar dhe vigjilent.
Schnauzer-i mbretëror është një kombinim i qetësisë dhe butësisë së Spanielit mbretëror me energjinë dhe gjallërinë e Schnauzer-it xhuxh, duke rezultuar në një qen që kënaqet si në prehrin tuaj, ashtu edhe duke ndjekur topin në oborr pa u lodhur.
Temperamenti dhe inteligjenca e Schnaucer-it mbretëror
Ky hibrid bashkon cilësitë e Spanielit Cavalier King Charles dhe Schnauzer-it xhuxh në një qen shumë të përshtatshëm dhe rezistent, i cili ndihet mirë në çdo klimë – mund të jetojë si në apartament, ashtu edhe në shtëpi me oborr të madh.
Konsiderohet një qen familjar i shkëlqyer, që gëzon të kalojë kohë me të gjithë anëtarët e shtëpisë. Megjithëse është mjaft i vogël, është mjaftueshëm i fortë dhe nuk dëmtohet lehtë gjatë lojës.
Raca është shumë miqësore dhe do të shoqërohet mirë me mysafirët dhe miqtë e familjes. Schnauzer-i mbretëror shkon mirë edhe me kafshë të tjera, si qentë dhe macet, sidomos nëse janë mësuar së bashku që në moshë të hershme. Megjithatë, nuk rekomandohet të lihet vetëm me kafshë të vogla shtëpiake, si ato që mbahen në kafaz, pasi ka instinkte gjuetie të trashëguara nga paraardhësit e tij.
Edhe pse konsiderohet një shok i mirë familjar, nuk është raca ideale për çdo pronar, pasi kërkon vëmendje, durim dhe përfshirje të përditshme, transmeton Telegrafi.

Ushqimi, aktiviteti dhe trajnimi i Schnauzer-it mbretëror
Duke qenë racë e vogël, ai nuk ka kërkesa të mëdha ushqimore, mjafton rreth një filxhan ushqim në ditë, të ndarë në dy vakte, gjithmonë me ujë të freskët e të pastër në dispozicion.
Ndonëse i vogël, ky qen ka nivel të lartë energjie dhe kërkon aktivitete të rregullta; mund të luajë edhe brenda shtëpisë, por duhet të dalë për një ose dy shëtitje ditore në natyrë.
Edhe pse Schnauzer-i xhuxh njihet si racë shumë inteligjente, ndërsa Spanieli Cavalier si shumë i bindur, trajnimi i Schnaucer-it mbretëror nuk është gjithmonë i lehtë. Ai mund të tregojë kokëfortësi, ndaj seancat duhet të jenë të shkurtra, të qeta dhe argëtuese, për të mbajtur vëmendjen e tij.

Kujdesi dhe shëndeti i Schnaucer-it mbretëror
Nevojat për kujdes varen nga raca që mbizotëron në pamje, por rekomandohet krehja të paktën tri herë në javë. Ndonjëherë mund të kërkohet edhe shkurtimi i qimeve në fytyrë.
Shmangni larjen e shpeshtë, përveç rasteve kur është e domosdoshme, sepse larja e tepërt shkatërron vajrat natyralë që mbrojnë gëzofin – dhe kjo racë ka lëkurë të ndjeshme.
Schnauzer-i mbretëror është një zgjedhje e mirë për personat me alergji, veçanërisht nëse ka trashëguar tiparet e tij. Duhet kushtuar kujdes dhëmbëve, pasi ka tendencë për probleme dentare.
Në përgjithësi, kjo racë konsiderohet e shëndetshme dhe rezistente, por mund të jetë e prirë ndaj disa sëmundjeve gjenetike që trashëgohen nga racat prindërore, si: gurët në fshikëz, katarakta, distikiaza (rritje jonormale e qerpikëve), luksacioni i pateleve dhe displazia retinale. Sëmundjet më serioze që mund ta prekin janë sindroma e Cushing-ut dhe diabeti mellitus. /Telegrafi/

















































