LAJMI I FUNDIT:

Dy njësi të FSK-së do të marrin pjesë në misione jashtë vendit

Dy njësi të FSK-së do të marrin pjesë në misione jashtë vendit

Forca e Sigurisë së Kosovës, pritet që në mars 2021, të zbarkojë në misionin e parë paqeruajtës, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018. Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës do të jetë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane dhe destinacion i parë pritet të jetë Kuvajti. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka zbuluar më 6 janar se në shqyrtim janë dy vende.

“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, ka deklaruar Rama.


Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë shtetërorë se opsioni i Irakut është më pak i mundshëm, pasi ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.

Këto detaje janë zbuluar një ditë pasi Kuvendi i Kosovës me 92 vota për dhe asnjë votë kundër, miratoi vendimin e 31 dhjetorit 2020 të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Zyrtarisht ende nuk dihet se sa do të jetë numri i kontingjentit të Kosovës në këtë mision, edhe pse përgatitjet për të ka shumë kohë që kanë nisur. Besa Kabashi -Ramaj, eksperte në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, tha se pjesëmarrja pritet të jetë simbolike, por e një rëndësie të veçantë.

“Është konfirmuar se njësitë që kanë për të shërbyer bashkë me Forcat e Ushtrisë së SHBA-së, do të jenë nga Mirëmbajtja dhe Logjistika, pra këto janë dy fushat në të cilat FSK-ja do të ndihmojë në kuadër të misionit të përbashkët me SHBA-në”, tha Kabashi-Ramaj.

Por kjo sipas saj, nuk e zbeh rëndësinë dhe rrezikshmërinë e misionit.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se kjo vjen me rreziqe, por të gjithë oficerët, nënoficerët e FSK-së e kanë këtë parasysh në momentin që bëhen anëtarë të kësaj force. Kështu që ata janë shumë mirë të përgatitur që të marrin përsipër edhe rreziqe të tilla”, shtoi ajo.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se misioni mund të jetë simbolik, por i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin.

“Është lajm i mirë, historik, neve tani na mbetet të kryejmë obligimet tona në aspektin profesional. Ne qysh në start kemi punuar në bazë të standardeve të NATO-s, dhe vetë fakti që e kemi NATO-n brenda institucionit tonë, kjo e ka rëndësinë e vet”, tha gjenerallejtënant Rama duke rikujtuar se NATO-ja ka qenë pjesë aktive e zhvillimit të FSK-së që nga viti 2009.

Për Besa Kabashi-Ramajn, vendimi për dërgimin e FSK-së në misione jashtë vendit, që është marrë me partnerin kryesor strategjik, dëshmon se “Kosova ka ndërtuar një forcë që e ka standardin dhe besueshmërinë paralel me ushtarët e Ushtrisë më të fuqishme në botë”.

“FSK-ja ka filluar transformimin si rezultat i Rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë në vitet 2012-2014, dhe aty ka filluar edhe qëllimi FSK-së për zbarkimin jashtë vendit si shenjë e profesionalizmit, por edhe dëshirës së Kosovës për të dhënë për të tjerët, atë që partnerët e Kosovës e kanë dhënë në vitin 1999 e tutje. Kështu që ky është kontributi i Kosovës për botën dhe për partnerët e saj strategjik”, tha ajo.

Një ditë pas miratimit në kuvend, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës.

Ajo i ka uruar paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në këtë mision.

“Si presidente në detyrë dhe Komandante Supreme e FSK-së, i uroj paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët bënë historinë dhe do të jenë në funksion të paqes krahas SHBA-së, aleatëve tanë strategjik”, ka thënë Osmani.

Edhe Ambasada e SHBA-së e ka mirëpritur vendimin.

“Votimi unanim i kuvendit për lejimin që Forca e Sigurisë së Kosovë të ketë partneritet me Ushtrinë e SHBA-së në misionet e ardhshme paqeruajtëse, demostron se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj të përbashkët për paqen dhe sigurinë në botë” thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë e kanë mbështetur FSK-në me pajisje ushtarake dhe trajnimin e kuadrit të saj profesional.

Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.

Aktualisht, FSK-ja ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë vetash.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet.

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Siguri
Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Politikë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori