LAJMI I FUNDIT:

Dy Aleksandrat e Beogradit, që po projektojnë gjakderdhje në Kosovë

Dy Aleksandrat e Beogradit, që po projektojnë gjakderdhje në Kosovë

Hipotetike: “Rusia e Putinit e pushtoi Ukrainën. NATO u tërhoq nga misioni paqeruajtës në Kosovë. Edhe Ushtria amerikane e braktisi kampin ‘Bondsteel’”.

Me këtë ëndërr të bukur do të jetë zgjuar mëngjesin e 22 marsit Aleksandri “i vogël” [Vulini] – ministër i Policisë në Qeverinë e Serbisë.


I entuziazmuar nga ëndrra e bukur, do të ketë vrapuar ta takojë Aleksandrin “e madh” [Vuçiqin] – shefin e shtetit serb, për t’ia dhënë sihariqin.

Por, zhgënjimi për të ishte i menjëhershëm, sepse “i madhi” do t’i ketë thënë se gjithçka ishte më shumë halucinacion sesa ëndërr e bukur, pasi realiteti për Serbinë është më i hidhur se pelini.

Sepse, as nuk po e fiton luftën Putini, madje edhe më keq se kaq – Serbia për herë të parë nuk po mund të organizojë zgjedhje në Kosovë.

Prandaj, në kulmin e zemërimit, Vuçiqi shpejt e shpejt ka thirrur në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare për t’iu përgjigjur vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me një plan dhe strategjinë djallëzore për Kosovën.

Në takimin e parisë nacionaliste serbe në Beograd u ftuan edhe sejmenët e “të madhit”, të cilët ai i ka në Kosovë – udhëheqës të “Srpska-s” (pjesë e Qeverisë së Kosovës), deputetë e kryetarë komunash, kryetarë gjykatash e komandantë stacionesh policore në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Vendimin e Kurtit, se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje serbe në Kosovë, pa një marrëveshje paraprake mes dy qeverive dhe Beogradit ia konfirmuan – me keqardhje – edhe Bashkimi Evropian dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Krejt kjo aspak nuk i pëlqeu ish-argatit të Sllobodan Millosheviqit, i cili pasditen e 22 marsit, përveç vartësve të tij në Serbi e Kosovë, takoi edhe ambasadorët e QUINT-it, si dhe ambasadorët e Rusisë dhe Kinës.

I dëshpëruar deri në zhgënjim nga mospërkrahja, presidenti serb doli para mediave dhe kumtoi planin; tha se serbët e Kosovës janë të gatshëm t’i braktisin institucionet, por edhe për konflikt.

Mirëpo, para se do ta bënin këtë, serbët e manipuluar të Kosovës duhej të kryenin provën gjenerale përmes protestave, sipas skenarit të “dy Aleksandrave” nga Beogradi.

Edhe kjo provë u realizua të premten.

E dinin se nuk do t’u mjaftonin serbët lokalë të dirigjuar nga Beogradi, prandaj shpejt e shpejt mbushën dhjetëra autobusë me militantë të Vuçiqit në Serbi dhe ia mësynë Kosovës.

Të pajisur me pankarta e slogane, që akuzonin Kurtin se “po i ndjek nga Kosova, se ka rrënuar marrëveshjen e Brukselit dhe se ka rrënuar gjithçka”, serbët e përfunduan shfaqjen e tyre në veri të vendit dhe në Graçanicën ngjitur me Prishtinën.

Kur jemi te marrëveshja e Brukselit, të vdekur e quajti edhe Vuçiq, pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës e suspendoi nga puna kryetaren e Gjykatës në Mitrovicë, e cila ishte pjesë e takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd. E, marrëveshja e Brukselit parasheh integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë në institucionet e Kosovës.

Por, Marrëveshja e Brukselit në asnjë pikë të saj nuk thotë se ata gjyqtarë, prokurorë e policë, që janë të punësuar në legjislativin e Kosovës dhe marrin rroga nga buxheti i saj, duhet shkojnë t’i raportojnë presidentit dhe qeverisë së Serbisë dhe të jenë pjesë e skenarëve për gjakderdhje në Kosovë.

Të tillët nuk duhet pritur t’i bojkotojnë institucioneve të Kosovës. Ata nuk guxojnë të kenë vend aty.

I dëshpëruar që shfaqjen e skenarit Nr. 1 të Beogradit në Kosovë nuk e pengoi askush, menjëherë pas përfundimit të saj, sërish foli “ish-pionieri që ia bartte birrat Sheshelit”.

Prapë kryefjalë e kishte gjakderdhjen. Tha se nëse do t’i organizonin zgjedhjet serbe në Kosovë do të kishte dhjetëra e qindra viktima.

Po. Ky do të mund të jetë skenari Nr.2 i dalë nga këshilli nacional serb i gjakderdhjes.

Nuk duhet të jesh njohës i thellë i çështjeve të sigurisë dhe të imagjinosh se çfarë mund të bëjnë elementët serbë për ta destabilizuar Kosovën.

E, këta elementë, u dëshmua nga takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, janë edhe brenda Policisë së Kosovës.

Aty ishin pesë zyrtarë të lartë nga Policia e Kosovë, komandantë dhe shefa të njësive të hetimeve të stacioneve policore në veri të Kosovës.

Mjafton t’i kujtojmë bëmat e tyre gjatë viteve 1980-‘90. Inskenimet nga më të ndryshmet të punëtorëve të sigurimit shtetëror serb nga parullat “Kosova Republik” (pa ë), “dhunimet”, “dëmtimet e varrezave”, deri te vrasjet e fëmijëve të vet si rasti “Panda” dhe rasti në “Grackë të Lipjanit”.

Edhe atëherë, në kulmin e dhunës së regjimit të Milosheviqit ndaj shqiptarëve në Kosovë, në televizione defilonin pamjet me serbët lokalë duke bërë roje të cilët kërkonin armë për t’u mbrojtur nga fqinjët shqiptarë.

Para dy-tre javësh në muret e shtëpive në një fshat me banorë serbë afër Lipjanit dikush shkroi akronimin “UQK”.

Pra, ia huqi t’i shkruajë drejt shqip tri shkronja.

Kjo ndodhi në ditën kur raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, po qëndronte në Kosovë.

Gjithçka mund të pritet nga agjentët dhe policët e Vuçiqit brenda dhe jashtë institucioneve – Policisë së Kosovës.

Dhe, derisa këto po ndodhnin, ndërsa, kabineti qeveritar, i stërkënaqur me rezultatet, po i thurte elozhe vetes. E opozita hodhi gur e dru mbi Kurtin për keqqeverisjen e tij.

Këto “elozhe vetes” dhe sulme ndaj Qeverisë mund të jenë normale në një situatë normale dhe kur ke një fqinj normal.

Por, në këto rrethana, ruajtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së Kosovës dhe demaskimi i fushatës propaganduese dhe parandalimi i veprimeve destabilizuese serbe në Kosovë, duhet të jenë prioritet për të gjithë – jo vetëm i Qeverisë dhe institucioneve kompetente, por edhe i opozitës, mediave, shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Ndërkombëtare
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

Siguri
Kalo në kategori