Para ndeshjes së xhiros së gjashtë të Ligës së Konferencës kundër Rayo Vallecanos, FC Drita ka mbajtur konferencë për media në Madrid.

Në konferencë folën kryetrajneri Zekirija Ramadani dhe mbrojtësi Besnik Krasniqi, të cilët theksuan se skuadra gjilanase ka ardhur për të dhënë maksimumin, pavarësisht forcës së kundërshtarit.


Trajneri Ramadani vlerësoi lart ekipin spanjoll, por theksoi motivimin e jashtëzakonshëm të Dritës.

“Kam parë ndeshjet e Rayo Vallecanos kundër Real Madridit dhe Barcelonës. Është një ekip shumë i motivuar dhe luftarak, por nuk mund ta kenë motivin si ne. Përballë kemi një skuadër me traditë që luan në La Liga dhe kjo na bën super të motivuar”, u shpreh Ramadani.

Ai shtoi se përvoja e ndeshjeve të shpeshta e ka forcuar skuadrën si në aspektin psikik, ashtu edhe fizik.

“Është hera e parë për mua si trajner dhe për klubin që marrim pjesë në fazën e ligës. Ky rezultat nuk është i rastësishëm. Kemi ardhur për të bërë maksimumin. Nuk mund të them se kemi ardhur për ta fituar patjetër Rayo Vallecanon, por për 90 minuta do të jemi të fokusuar në lojën tonë dhe edhe një barazim do të ishte rezultat i kënaqshëm”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Besnik Krasniqi theksoi se Rayo Vallecano konsiderohet favorit, por gjithçka vendoset në fushë.

“Është një ekip favorit, por ka shumë skuadra të forta. Do të shohim deri në fund, sepse ndeshja luhet nesër dhe nuk dua t’u jap shumë avantazh”, ka thënë Krasniqi.

Ai bëri të ditur edhe mungesat në skuadër, duke konfirmuar se për shkak të dëmtimeve mungojnë Rron Broja, Vesel Limaj dhe Faton Maloku, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e gatshme për ndeshjen.

Ndeshja Rayo Vallecano – FC Drita zhvillohet të enjten nga ora 21:00, në stadiumin Estadio de Vallecas në Madrid. Konferencën e plotë për media mund ta gjeni në profilin zyrtar të klubit. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app