Drejtoria Komunale për Shëndetësi në Mitrovicë ka reaguar pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Urgjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ku një infermier kujdestar u sulmua fizikisht gjatë orarit të punës.

Në një reagim zyrtar, Drejtoria dënon ashpër këtë akt dhune, duke e cilësuar të papranueshëm dhe të dënueshëm. Rasti është njoftuar menjëherë tek organet e rendit dhe sipas njoftimit, policia është angazhuar dhe procedurat ligjore janë në zhvillim e sipër.


“Personeli shëndetësor ka njoftuar menjëherë policinë dhe rasti është në procedim dhe shqyrtim të organeve ligjzbatuese, ku besojmë se do të marrë epilogun përfundimtar e të merituar sipas ligjit,” thuhet në reagim.

Drejtori i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi, Fahri Shabani, apeloi për më shumë respekt dhe bashkëpunim ndaj punëtorëve shëndetësorë, duke theksuar se rastet e tilla izoluara nuk e përfaqësojnë qytetarin mitrovicas.

“Ky rast është një rast i izoluar dhe asesi nuk paraqet as disponimin e qytetarëve ndaj mantelbardhëve e as nivelin e sjelljes dhe kulturës së qytetarëve të Mitrovicës,” u shpreh Shabani.

Ai gjithashtu përkujtoi qytetarët për kanalet zyrtare të ankesave dhe komunikimit, të cilat janë të hapura në të gjitha njësitë shëndetësore komunale.

“Në të gjitha sektorët dhe njësitë organizative të QKMF-së, QMF-të dhe AMF-të janë të vendosura kutitë e ankesave, numri për linjën e veçantë telefonike të Ministrisë së Shëndetësisë për ankesat e pacientëve, si dhe zyra e Këshillit të Pacientëve,” theksoi ai.

Drejtoria shprehu përkushtimin për ofrimin e kushteve më të mira për mjekët dhe sigurinë gjatë ushtrimit të detyrës, duke ritheksuar se sulmet ndaj stafit shëndetësor rrezikojnë shëndetin dhe jetën e të gjithë qytetarëve.

“Rastet e tilla, sa do që janë të izoluara, pengojnë punën e stafit mjekësor dhe kështu rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve, prandaj duhet të trajtohen me rigorozitetin më të madh brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe QKMF falënderuan qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke siguruar se përkushtimi për shërbime cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët do të vazhdojë. /Telegrafi/