Drejt përfundimit restaurimi i Hanit të familjes Zajmi në Qendrën Historike të Prizrenit

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se po shkojnë drejt përfundimit punimet restauruese në Hanin e familjes Zajmi, një nga asetet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit.
Përmes një postimi në Facebook, Çeku ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore të vendit.
“Si e gjetëm dhe si është sot. Drejt përfundimit punimet në Hanin e familjes Zajmi, në Qendrën Historike të Prizrenit”, ka deklaruar ai.
Sipas ministrit në detyrë, objekti, i cili i takon fundit të shekullit XVIII, po restaurohet tërësisht me qëllim të ruajtjes së autenticitetit dhe vlerave arkitektonike.
“Ky aset që i takon fundit të shek. XVIII-të, po restaurohet tërësisht, për të ruajtur vlerat dhe për të qenë pasqyrë e trashëgimisë së pasur kulturore të vendit tonë”, ka theksuar Çeku.
Restaurimi i Hanit të familjes Zajmi vlerësohet si pjesë e përpjekjeve institucionale për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e identitetit historik të Prizrenit. /Telegrafi/



















































