Drake humb betejën ligjore për këngën “Not Like Us” të Kendrick Lamar: Gjykata rrëzon padinë për shpifje

Drake ka pësuar një humbje të madhe në përpjekjen e tij ligjore kundër Universal Music Group (UMG), pas padisë që ngriti për këngën diss të Kendrick Lamar “Not Like Us”.
Një gjyqtare federale rrëzoi padinë e tij të enjten, duke vendosur se tekstet e këngës nuk përbëjnë deklarata faktike, por shprehin opinion artistik dhe hiperbolik.
Artisti 38-vjeçar, i cili kishte paditur kompaninë mëmë të labelit të tij Republic Records, pretendonte se “Not Like Us” e përshkruante në mënyrë shpifëse si “pedofil”, shkruan DailyMail.

Megjithatë, gjyqtarja Jeannette A. Vargas deklaroi se vargjet e Lamar nuk mund të interpretohen si pretendime faktike, pasi ato janë pjesë e një konteksti tipik të “këngëve diss”, ku artistët shkëmbejnë akuza dhe fyerje të ekzagjeruara për efekte artistike.
Në vendimin e saj, Vargas citoi një pjesë nga kënga e mëparshme e Drake, “Taylor Made Freestyle”, ku ai përdorte një zë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale për të imituar 2Pac, duke bërë aluzione për “vajzat e reja”.

Gjyqtarja vuri në dukje se vargjet e Lamar në “Not Like Us” ishin një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj këtij teksti.
Ajo theksoi se këngët diss nuk janë produkt i një hetimi të verifikueshëm, por forma të lirisë artistike të mbushura me hiperbolë dhe gjuhë figurative.

Padia e Drake përfshinte gjithashtu pretendime se UMG kishte ndihmuar në rritjen artificiale të popullaritetit të këngës përmes transmetimeve të rreme, si dhe akuza se videoja e këngës kishte nxitur incidente të dhunshme në shtëpinë e tij në Toronto.
Por gjykata i hodhi poshtë këto pretendime për mungesë provash, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të mbështetura vetëm në raportime nga fansat online.

Pavarësisht përplasjes publike me Lamar, Drake ka vazhduar karrierën e tij aktive, me turne ndërkombëtarë gjatë vitit 2025 dhe plane për të publikuar albumin e tij të ri, “Iceman”, më vonë këtë vit.
Ndërkohë, “Not Like Us” mbetet një nga hitet më të mëdha të Lamar dhe një nga momentet më të bujshme në historinë e fundit të hip-hopit. /Telegrafi/

























































