Një sukses i jashtëzakonshëm nga shkenca kosovare vjen këtë herë nga Dr. Kujtim Thaçi, i cili ka publikuar si autor i parë një punim shkencor në bashkëpunim me Harvard Medical School, një prej institucioneve më të njohura shkencore në botë

Punimi është publikuar në revistën prestigjioze "Glycoscience & Therapy" të Chinese Academy of Sciences, dhe trajton një temë të thellë e inovative në fushën e imunologjisë dhe mjekësisë neonatale: "Roli i glikozilimit të immunoglobulinës IgG në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të Hemokromatozës neonatale."


Kjo është hera e parë që kjo qasje trajtohet në mënyrë kaq të detajuar, duke hapur rrugë për zhvillimin e metodave të reja diagnostikuese dhe terapeutike në menaxhimin prenatal dhe postnatal të kësaj sëmundjeje të rrallë por serioze, transmeton Telegrafi.

“Ky studim është rezultat i një pune të gjatë shkencore, dhe jam thellësisht i nderuar që kontributi im është vlerësuar në nivel ndërkombëtar nga një institucion si Harvard dhe Chinese Academy of Sciences” – u shpreh Dr. Thaçi.

Ai gjithashtu apelon që ky punim të lexohet dhe studiohet nga profesionistët e fushave relevante, sidomos imunologët, pediatrit dhe reumatologët, për shkak të ndikimit potencial klinik që mbart.

Dr. Thaçi falënderon në veçanti U.S. Embassy Pristina, Kosovo, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, The Fulbright Program, United States-Kosovo Educational Exchange Board - USKEB, KUSA.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve shkencore ndërkombëtare dhe një model frymëzues për gjeneratat e reja të studiuesve dhe profesionistëve të shëndetësisë në Kosovë. /Telegrafi/