Të marrësh çmimin “Mjeku më i mirë në Slloveni”, për dr. Hatije Ismilin, është çmimi më i vlefshëm dhe më domethënës, pasi që pacientët janë ata që e kanë vlerësuar punën dhe kontributin e saj si mjeke. Ajo përpos që ka marr numrin më të madh të pikëve si gjinekologe më e mirë, gjithashtu kishte numrin më të madh të pikëve nga të gjithë të nominuarit, gjë e cila e bëri që të zgjidhet edhe mjekja më e mirë në tërë Sllovenin.

Në një intervistë për Telegrafin, dr. Ismaili, tha se gjinekologjia, është profesion mjaft senzitiv, është e rëndësishme të dish të dëgjosh nevojat e pacientes, ta udhëheqësh në të gjitha fazat e nevojshme, sidomos gjatë lindjes. Kurse, sa u përket asaj se si është pritur nga komuniteti shqiptar dhe qytetarët slloven ky çmim, ajo tha se ‘shqiptarët në Slloveni, mendoj se janë mburrur dhe jo vetëm ata, por kudo anembanë, pasi kam pranuar urime e përgëzime nga të gjitha anët”.

Një doktoreshë e licencuar e mjekësisë, e specializuar në gjinekologji, me një përvojë të shkëlqyer dhe profesionale në fushën e urogjinekologjisë, me ç’rast shihet edhe si një model për integrimin e emigrantëve në shoqërinë sllovene që ka thyer stereotipet për gratë emigrante, dr. Hatije Ismaili tha më tutje se “në Slloveni në krahasim me shtetet fqinjë ( Kroaci, Itali, Austri) ka shumë femra kirurge, dhe nuk që e rëndë të depërtojë edhe unë në këtë fushë. Mjaftonte të tregoj vullnet, punë dhe interesim, që të më mundësohen trajnimet në shtet dhe jashtë shtetit”.

Por cili është bashkëpunimi i saj më komunitetin shqiptarë që jeton dhe vepron në Slloveni, ajo theksoi se në qytetin ku jeton dhe punon, pra në Novo Mesto, ka shume shqiptar, por më shumë janë nga Kosova, ku ka organizatën shqiptare dhe në kuadër të komunës dhe organizatës vullnetare, zhvillohen shumë aktivitete.

“Kemi shumë aktivitete si trajnime për të mësuar gjuhën sllovene, aktivitete kulturore si dhe trajnime për gjuhën shqipe, pasi të rinjtë që kane lindur këtu, ose kanë ardhur më herët, kanë nevojë për orë në gjuhën shqipe që të mos e harrojnë atë. Unë mbaj ligjërata si të rinjve, ashtu edhe grave për edukim në gjinekologji si dhe në sferat e tjera”, tha me tjerash dr. Hatije Ismaili në intervistë për Telegrafin.

Telegrafi: Znj, Ismaili, jeni dekoruar nga presidenti i Sllovenisë, z. Borut Pahor, me çmimin “Mjeku më i mirë në gjithë Slloveninë”. Çfarë do të thotë kjo për ju, si e keni pritur një çmim të tillë, pasi që çmimi në fjalë ju erdhi nga vet pacientët.

Dr. Hatije Ismaili: Në Slloveni gazeta mjekësore Viva, për çdo vit organizon konkurs në rrjetet sociale për zgjedhjen e mjekut më të mirë. Në këtë konkurs nominimi i mjekëve bëhet nga ana e pacienteve, për të gjitha drejtime dhe profilet e ndryshme të mjekësisë. Pastaj, në bazë të pikëve të fituara bëhet edhe zgjedhja e mjekut/mjekes më të mirë për çdo drejtim. Unë pos që mora numrin më të madh të pikëve si gjinekologe më e mirë, gjithashtu kisha numrin më të madh të pikëve nga të gjithë të nominuarit, e cila gjë më bëri që të zgjidhem edhe mjekja më e mirë në tërë Sllovenin.

Telegrafi: Dekorimi u është dhënë si një shpërblim për punën tuaj gjatë pandemisë së COVID-19. Na tregoni pak për këtë periudhë kohore, meqë mantilbardhët kanë qenë dhe janë në vijën e parë të frontit në përballje të pandemisë COVID-19?

Dr. Hatije Ismaili: Normalisht se gjatë kësaj periudhe, kemi hasur në vështirësi siç kanë hasur në të gjithë shtetet fqinjë dhe më gjerë, por ndoshta pak më lehtë se në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, pasi këtu kemi qenë tërë kohës me pajisje të mjaftueshme, informata në kohë dhe protokolle për mbrojtje maksimale si dhe mbështetje financiar. Profesioni jonë e kërkon që të jemi në vijën e parë të frontit, sidomos në obstetrikë, kur jemi në pritje të një jete të re.

Telegrafi: Ka qenë emocionuese për ju, që jeni shqiptarja e parë që jeni dekoruar më një çmim të tillë, dhe si është pritur nga komuniteti shqiptar dhe qytetarët slloven ky çmim?

Dr. Hatije Ismaili: Ky vlerësim për mua është çmimi më i vlefshëm dhe më domethënës, pasi që pacientët janë ata që e kanë vlerësuar punën dhe kontributin tim si mjeke. Ne mjekët pos punës profesionale që bëjmë është jashtëzakonisht e rëndësishme sjellja dhe qasja jonë ndaj pacientit, pasi pacientët drejtohen te ne, më shpresë se do të merr ndihmën e merituar. Gjinekologjia është profesion mjaft senzitiv, është e rëndësishme të dish të dëgjosh nevojat e pacientes, ta udhëheqësh në të gjitha fazat e nevojshme, sidomos gjatë lindjes. Kurse, sa u përket shqiptarëve në Slloveni, mendoj se janë mburrur dhe jo vetëm ata, por kudo anembanë, pasi kam pranuar urime e përgëzime nga të gjitha anët.

Telegrafi: Keni lindur në Gostivar, ku mbaruat shkollën fillore dhe dy vitet e para të shkollës së mesme. Më pas u transferuat në shkollën e mesme të Mjekësisë në Mitrovicë, ku përfunduat vitin e tretë, ndërsa të katërtin në shkollën e mesme të Mjekësisë në Prishtinë. Më pas keni vazhduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Rijekë, Kroaci, dhe keni përfunduar specializimin në gjinekologji në Lubjanë, ku aktualisht punoni dhe veproni në Novo Mesto . Na tregoni pak për vështirësitë, sfidat e deri të rruga e suksesit?

Dr. Hatije Ismaili: Rruga ime ka qenë pak interesante, por nuk kam hasur në vështirësi të rënda, ndoshta procedurale. Prindërit e mi ( babai) ka punuar në Slloveni në atë kohë, dhe ne si fëmijë kemi kaluar pushimet verore në Slloveni. Gjuhën sllovene e kam njohur që prej atëherë, si dhe zakonet dhe njerëzit.

Në shkollë të mesme mu deshtë që të vazhdoj vitin e tretë dhe të katërt në Kosovë, sepse e kisha vëllaun student në Prishtinë dhe qëndruam bashkë. Qëllimi im ka qenë të regjistrohem në fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, por pasi në ato vite filluan trazirat, u shpërngula të prindërit. Për shkak se programi i shkollës së mesme ndryshonte nga i Sllovenisë, nuk pata mundësi të regjistrohem në fakultet të Mjekësisë në Lubjanë, por u pranova në Rjekë të Kroacisë, dhe atje edhe e përfundova fakultetin. Për të jetuar dhe punuar vendosa në Slloveni. Këtu kam krijuar familje, kam dy fëmijë, Trimin 18 vjet dhe Imanin 11 vjet. Në Novo Mesto me pranuan shumë mirë, fillova specializimin e gjinekologjisë, ku mu dha mundësia të arrijë sukses, sidomos në fushën operative.


Telegrafi: Jeni një doktoreshë e licencuar e mjekësisë, e specializuar në gjinekologji, me një përvojë të shkëlqyer dhe profesionale në fushën e urogjinekologjisë, dhe shiheni si një model për integrimin e emigrantëve në shoqërinë sllovene që ka thyer stereotipet për gratë emigrante?

Dr. Hatije Ismaili: Në Slloveni në krahasim me shtetet fqinjë ( Kroaci, Itali, Austri) ka shumë femra kirurge, dhe nuk që e rëndë të depërtojë edhe unë në këtë fushë. Mjaftonte të tregoj vullnet, punë dhe interesim, që të më mundësohen trajnimet në shtet dhe jashtë shtetit.

Telegrafi: Me punën dhe përkushtimin tuaj, mundë të themi se jeni ambasadore e të gjithë shqiptarëve, në vendin ku jetoni dhe punoni. Kush ju ka ndihmuar më së shumti deri të ky sukses?

Dr. Hatije Ismaili: Ju faleminderit për këtë titull të lartë, më gëzon fakti, që mund të jem një shembull për gratë shqiptare dhe gjithë të rinjtë në diasporë. Për suksesin tim në fillim më kanë ndihmuar prindërit, sidomos babai që besonte në mua dhe më financonte në këtë rrugë të gjatë. Më tej bashkëshorti si dhe fëmijët, që kishin mirëkuptim kur mungoja gjatë kujdestarisë, seminareve dhe trajnimeve të ndryshme. Përndryshe, nëse nuk do të kisha përkrahje dhe mirëkuptim, ndoshta do të kisha kaq sukses dhe do ta kisha më vështirë.

Telegrafi: Cili është bashkëpunimi juaj më komunitetin shqiptarë që jeton dhe vepron në Slloveni?

Dr. Hatije Ismaili: Në qytetin ku jetoj dhe punoj ka shume shqiptar, më shumë janë nga Kosova. Këtu kemi organizatën shqiptare dhe në kuadër të komunës dhe organizatës vullnetare, zhvillohen shumë aktivitete. Trajnime për të mësuar gjuhën sllovene, aktivitete kulturore si dhe trajnime për gjuhën shqipe, pasi të rinjtë që kane lindur këtu, ose kanë ardhur më herët, kanë nevojë për orë në gjuhën shqipe që të mos e harrojnë atë. Unë mbaj ligjërata si të rinjve, ashtu edhe grave për edukim në gjinekologji si dhe në sferat e tjera.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për të gjithë rinjtë shqiptar që synojnë rrugën e suksesit?

Dr. Hatije Ismaili: Le të jetë nominimi im një fakt se edhe në vendet e huaja mund ti realizojmë ëndrrat tona, vetëm duhet përfunduar këtë me punë, sjellje të mirë respekt ndaj pacientit si dhe më profesionalizëm./Telegrafi/Lumturije BEKAJ/