Nga: Tristram Fane Saunders / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ditët e fundit, ndërsa po shikonte me habi panelin e një veture Tesla, Donald Trumpi shpiku një frazë të paharrueshme: “Ueh – gjithçka është kompjuter!”
Nuk munda të mos mendoja për Douglas Adamsin. Jo për idetë e tij mbi demokracinë – edhe pse ia vlen të citohet: njerëzit që duan të sundojnë mbi të tjerët janë “ata që janë më pak të përshtatshëm për ta bërë këtë … kushdo që është i aftë të bëjë veten President nuk duhet kurrsesi të lejohet ta bëjë këtë punë.”
Por, më tepër po mendoja se Trumpi kishte të drejtë – gjithçka është kompjuter, në një mënyrë që nuk do ta befasonte aspak Adamsin. E pashë atë video të Tesla-s në një ekran me prekje, në një kompjuter aq të vogël sa mund ta mbaj me vete. Është telefon, televizor, enciklopedi dhe udhërrëfyes në një pajisje të vetme. Ndoshta edhe ju keni një të tillë.
Sigurisht, smartfoni nuk është shumë ndryshe nga pajisja të cilën Adamsi e ëndërroi gjatë një nate në vitet ’70, ndërsa qëndronte i dehur në një fushë, gjatë një udhëtimi, dhe shikonte yjet: Udhërrëfyesi i Autostopistit për Galaktikë [The Hitchhiker’s Guide to the Galaxy].
Titulli i një dokumentari të ri – Daglas Adamsi: Njeriu që paramendoi të ardhmen tonë [Douglas Adams: The Man Who Imagined Our Future] – sugjeron se novelisti komik ishte një lloj Nostradamusi digjital.
Adamsi nuk donte të njihej si profet. Autostopisti – të cilin e prezantoi në BBC kur ishte vetëm 25 vjeç – nuk ishte vetëm një vizion i së ardhmes, por edhe një mënyrë për të tallur realitetin britanik të viteve ’70. Universi i tij është i mbushur me burokratë të vegjël, të fiksuar pas ndërtimit të rrugëve anashkaluese; një botë ku anglezi i hutuar jashtë vendit përpiqet të gjejë një filxhan të mirë çaji. Teknologjia në romanet e tij është e pasigurt, edhe pse shpeshherë largpamëse.
“Të përpiqesh të parashikosh të ardhmen është një budallallëk,” shkroi dikur Adams, duke bërë shaka me parashikimet e të tjerëve. Por, në ato raste të rralla kur ai rrezikonte një parashikim, shpeshherë kishte të drejtë.
Etja për të dhënat me shpejtësi të lartë
Në të njëjtin artikull mbi “budallallëkun” e parashikimeve, Adams citoi “njëfarë z. Wayne Leuck, nënkryetar i inxhinierisë në USWest – një kompani telefonike amerikane.” Duke argumentuar kundër zhvillimit të lidhjeve të të dhënave me valë me shpejtësi të lartë, ai tha: “Sigurisht, mund ta përdorni në makinën tuaj duke shkuar me 60 milje në orë, por nuk mendoj se shumë njerëz do ta bëjnë këtë.”
“Prisni pak,” shkroi Adams. “Kjo është një deklaratë që do ta ndjekë atë si hije. Navigimi satelitor. Interneti pa tel. Sapo të fillojmë të lidhim vendndodhjen fizike me hapësirën e informacionit të përbashkët, do të shkaktojmë një shpërthim të ri në aplikacionet e internetit. Së paku – kjo është ajo që unë parashikoj. Natyrisht, mund kem gabim.”
Por, Adamsi kishte të drejtë. Kjo lidhje mes botës reale dhe internetit tani është kudo. Nëse dua të gjej një mik në një park, ndaj “vendndodhjen” në WhatsApp. Nëse hip në një autobus, Google Maps e vëren dhe më pyet sa i mbushur është autobusi.
Bashkëbisedimi me androidin paranojak
Sot i kërkova një kompjuteri përgjigjen për gjithçka. “Përgjigja për pyetjen përfundimtare mbi jetën, universin dhe gjithçka është 42,” u përgjigj Google AI Overview, duke përsëritur me krenari përgjigjen-shaka të dhënë nga një superkompjuter në Udhërrëfyesin e autostopistit. Jo një përgjigje e dobishme, por të paktën jo një përgjigje e pakëndshme. Ah, sikur të gjitha inteligjencat artificiale [IA] të ishin kaq miqësore!
Në vitin 2016, Microsoft-i lançoi Tay-in, një çetbot të IA-së me “personalitet” – dhe me një llogari të tij në Twitter. Shpejt u shndërrua në një neonazist antisemitik dhe të fiksuar pas seksit – dhe më pas u çaktivizua. Një trajektore e ngjashme ka përndjekur shumë çetbotë që nga ajo kohë. Tay mund të ishte lehtësisht një produkt i Korporatës Kibernetike Sirius, përshkruar nga Adamsi, e cila u jepte robotëve “Personalitete të vërteta njerëzore [PVNj]”.
“Uh, tingëllon si kob!” thotë Arthur Dent, heroi i Autostopistit, kur mëson për këto “PVNj”.
“Po. Absolutisht e kobshme,” i përgjigjet Marvini, androidi paranojak-depresiv, i cili është pajisur me PVNj të tillë. Anomia e Marvinit është anomali; shumica e pajisjeve te Autostopisti janë ngulmues në atë që kanë, madje edhe ato që kategorikisht nuk kanë nevojë për personalitet, si p.sh. dyert automatike.
Merrni për shembull Edin, kompjuterin e anijes kozmike, i cili përshëndet pasagjerët me një “Hej, njerëz!” entuziast dhe tipik amerikan – përpara se t’i njoftojë me qetësi se të gjithë janë në prag të vdekjes.
Në vitin 2025, Edi është kudo. Kërkoni shërbimin ndaj klientit në internet, dhe ka shumë gjasa që të gjendeni duke shkruar në një kuti dialogu, duke debatuar me një çetbbot që ka një emër njeriu, me një imitim të cekët të një personaliteti miqësor “hej, njerëz!”, dhe zero aftësi për të zgjidhur realisht problemin tuaj.
Diçka e thjeshtë që mund ta përdorni në vaskë
Duke shkruar një artikull mbi (dhe për) një kompjuter dore në vitin 1996, Douglas Adams parashikoi saktë se kompjuterët në madhësinë e një telefoni do të bëheshin gjëra të zakonshme: “Ky është vetëm fillimi i atij momenti vendimtar kur diçka pushon së qeni thjesht një lodër argëtuese dhe fillon të bëhet diçka që mund ta përdorni seriozisht në vaskë.”
Urrejtja e Adamsit ndaj angazhimit me pajisje të ndërlidhura dhe me kabllo (“Dickensi nuk duhej të zvarritej poshtë tryezës për të lidhur prizat!”) e bëri atë një mbështetës të teknologjisë pa tel dhe të softuerëve intuitivë. “Jemi ngatërruar me teknologjinë, ndërkohë që ajo që duam në të vërtetë është thjesht diçka që funksionon,” shkroi ai. “Si mund ta dallosh diçka që ende konsiderohet teknologji? Një shenjë e mirë është nëse vjen me një manual përdorimi.”
Rendi natyror i gjërave
Adamsi dikur formuloi tri rregulla që përshkruajnë mënyrën sesi i perceptojmë teknologjitë e ndryshme:
1. Gjithçka që ekziston në botë kur ti lind është normale dhe e zakonshme – thjesht një pjesë natyrore e mënyrës si funksionon bota.
2. Gjithçka që shpiket kur je midis moshës 15 dhe 35-vjeçare është diçka e re, emocionuese dhe revolucionare – dhe ndoshta mund të ndërtosh një karrierë në atë fushë.
3. Gjithçka që shpiket pas moshës 35-vjeçare është kundër rendit natyror të gjërave.
Por, kjo nuk ishte e vërtetë për të; pas të 35-ave, Adamsi u dashurua me teknologjinë. Ai dikur bëri shaka se njerëzit e konsideronin “tradhtar” – pasi e kishte tallur teknologjinë si një romancier i ri, por më pas e mbështeti atë si një gazetar i moshës së mesme.
Por, në një artikull të shkruar me elegancë dhe plot befasi, ai shpjegoi se u dashurua me teknologjinë në të njëjtën kohë kur u dashurua me natyrën. (Pasi u njoh me natyralistin Mark Cawardine, Adamsi u bë një mbrojtës i zjarrtë i mjedisit në vitet ’90 të shekullit XX; libri im i preferuar nga Adamsi është Shansi i fundit për të parë/Last Chance to See, të cilin e shkroi me Cawardinein, ku përshkruajnë udhëtimet e tyre në kërkim të kafshëve të rrezikuara.)
Adamsi ishte i magjepsur nga evolucioni, dhe ai shihte një ngjashmëri midis ADN-së (që për koincidencë janë edhe inicialet e tij) dhe kodit kompjuterik – në këndvështrimin e tij, të dyja krijojnë diçka jashtëzakonisht komplekse duke përdorur elementët më të thjeshtë të mundshëm. “Të shohësh sesi kompleksiteti lulëzon nga kjo thjeshtësi primitive është një nga mrekullitë më të mëdha të kohës sonë – madje më madhështore sesa të shohësh njeriun duke ecur në Hënë.”
Përkthimi i çastit
Te Autostopisti, Douglas Adams imagjinoi një botë ku një pajisje e zgjuar mund të përkthente në mënyrë të përsosur çdo gjuhë në një tjetër. Kjo pajisje, megjithatë, rezultoi të jetë një peshk i vogël i verdhë.
Ideja e “Peshkut të Babelit [Babel Fish]” prezantohet si një detaj i vogël dhe kryesisht shërben si parathënie për një shaka të gjatë dhe interesante mbi teologjinë – diçka që është bërë tashmë pjesë e pandashme e kurseve të filozofisë. Shakatë e Adamsit kanë një mënyrë të veçantë për ta bërë këtë: asnjë kurs mbi etikën nuk është i plotë pa një përmendje të “Pjatës ditore”, një kafshë e zgjuar dhe e artikuluar, e krijuar enkas për të pasur kënaqësinë që ta hanë. (A është kjo më e moralshme apo më e pamoralshme sesa të hash një lopë budallaqe dhe të pavetëdijshme?)
Duke marrë frymëzim nga Adams, programi i parë në internet për përkthim të menjëhershëm u emërua sipas krijesës së tij imagjinare: Babel Fish-i u lançua nëntë vjet para Google Translate. Kompania që zotëronte Babel Fish-in u ble më vonë nga një kompani tjetër, e cila më pas u përthith nga Yahoo. (Peshku i madh gjithmonë ha peshkun e vogël.)
Udhërrëfyesi i autostopistit për Tokën
Para Wikipedia-s, Facebook-ut apo Twitter-it, ekzistonte H2G2: një përpjekje për të krijuar një Udhërrëfyes të autostopistit për galaktikën, këtu në Tokë. Faqja e Adamsit ishte një enciklopedi në internet me burime nga komuniteti – një platformë që përfshinte gjithashtu një rrjet social dhe një sistem mikroblogimi për kontribuuesit.
U lansua me shumë bujë në vitin 1999 dhe, brenda disa muajsh, u bë faqja më e vizituar në Evropë. Papritur, udhëtarët me çanta shpine nëpër Evropë mund të nxirrnin një pajisje të vogël nga xhepi dhe të mësonin për historinë e djathit bri ose se ku mund të pinin koktel të mirë në Pragë. Udhërrëfyesi që Adamsi kishte ëndërruar nën yje, u bë realitet.
Është e lehtë të imagjinohet një univers paralel ku H2G2 u bë po aq i madh sa Wikipedia apo Facebook-u. Por, kur fluska dotcom shpërtheu në vitin 2000, kjo e shkatërroi kompaninë e Adamsit. H2G2 kaloi në duart e BBC-së, e cila e mbajti faqen gjallë, por në një shkallë shumë më të vogël. Për vite me radhë, mijëra autorë kontribuuan me artikuj të rinj. (Duhet të pranoj se në vitin 2006, njëri prej tyre ishte një 13-vjeçar i padurueshëm dhe me puçrra i quajtur Tristram Fane Saunders. Shumë vite më vonë, mësova se një nga artikujt e mi në H2G2 ishte kopjuar pa leje nga Wikipedia.)
E ardhmja e komedisë
Douglas Adamsi – i cili e shpalli si çështje thelbësore që të dish gjithmonë se ku e ke peshqirin (adhuruesit e tij festojnë “Ditën e Peshqirit” në maj) – ndërroi jetë ndërsa po zgjaste dorën për një peshqir, pas një seance në palestër, në vitin 2001, shumë vite para Twitter-it, iPhone-ve dhe shumë risive të tjera.
Mund të spekulojmë se si do t’i kishte parë ai këto risi. Ndoshta do të kishte ide për t’i përmirësuar, ashtu siç bëri me Amazon-in. (Në një nga artikujt e tij, ai shkroi se kishte kontaktuar Amazon-in lidhur me sistemin e tyre të mbledhjes së të dhënave, i bezdisur nga një mangësi e madhe që kishte vënë re – dhe kompania zbatoi sugjerimin e tij.)
Por, ta trajtosh Adamsin si një parashikues teknologjie do të thotë të mos kuptosh thelbin e tij; trashëgimia e tij e vërtetë është humori. Çdo romancier britanik i komedisë sot ka pak nga ADN-ja e tij; ritmi dhe stili i shakave të tij janë kudo. Të lexosh Adamsin për shkencën do të ishte po aq e pakuptimtë sa të lexosh PG Wodehousein për historitë e tij. (Adamsi e adhuronte Wodehousein, dhe kjo ndihet.)
Një moment në dokumentarin e ri na kujton sa radikale dukej qasja e Adamsit ndaj fantashkencës në atë kohë: dëgjojmë një regjistrim arkivor ku një intervistues paralajmëron se “komedia mund të shkatërrojë seriozitetin me të cilin duhet trajtuar ky zhanër i denjë.”
Kjo më kujtoi përgjigjen e Adamsit ndaj kritikëve që e nënvlerësonin Wodehousein, duke thënë: “Ai thjesht nuk është serioz”: “Ai nuk ka nevojë të jetë serioz. Ai është më i mirë se kaq.”
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Osmanët në Luftën e Parë Botërore dhe rreshtimi i shqiptarëve krah tyre

Mehmet Kraja: 10 libra të letërsisë shqipe, që duhen lexuar

Douglas Adams dhe parashikimi i tij për të ardhmen

MUZIKA PËR MUSTAFËN

Udhëtimet e Çelebiut në Shqipëri

Flutura Açka flet për 10 librat që duhen lexuar nga letërsia shqipe

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Balenat 45 tonëshe “mbrojnë” zhytësin nga peshkaqeni, pamjet bëhen virale

“Më arrestuan”, Anisa Veseli rrëfen detajet e përballjes me pronaren e klinikës që e mashtroi për të trajtuar sëmundjen e saj

Kërkesa e politikanit francez për kthimin e Statujës së Lirisë nervozon mbështetësit e Trumpit: Eja, merre

Menduan se ka vdekur ish-lojtari i tyre dhe mbajtën një minutë heshtje - klubi bullgar detyrohet të kërkojë falje pasi ai është gjallë

Gruaja gjendet e vdekur në banesën e saj në Zvicër, arrestohet si i dyshuar bashkëshorti nga Kosova

“Unë nuk flas në kamera me të e t’i them më fal” - Egli ‘sulmon’ Gjestin për ish-partneren