LAJMI I FUNDIT:

Dosjet e Sigurimit, për Ismail Kadarenë

Dosjet e Sigurimit, për Ismail Kadarenë

Materialet që dëshmojnë ndjekjen që Sigurimi i Shtetit i ka bërë Ismail Kadaresë, do t’i dorëzohen në dorë vetë shkrimtarit. Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare”, tanimë ka mbyllur projektin dyvjeçar “Kadare dhe regjimi”.

“Dosjet e Sigurimit kanë një gjuhë negative, ka stereotipa. Këto dosje nuk ishin krijuar për t’i lavdëruar njerëzit, por për shantazh e përgjunje. Ndaj duhet lexuar mes rreshtash”, tha Gentiana Sula, duke shtuar se “Kadare ka qenë i pari që ka ngritur zërin për një shkëputje morale me të shkuarën, nëpërmjet hapjes së dosjeve në vitin 2006, kur Këshilli i Evropës nxori një rezolutë të fortë për kohën dhe ai është nga ato figura që diti ta lexojë, përkthejë dhe la disa porosi si duheshin bërë hapjet e dosjeve”.


Vepra e parë, e mbështetur nga Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare”, ka qenë libri “Kadare i denoncuar”, për të vijuar më pas me librin e studiueses Viola Isufaj, “Kadare në letrat e sotme franceze”, i cili sillte një pasqyrë të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar në studimet franceze.

Më pas, “Kadare në Pallatin e Ëndrrave” me 101 dokumente sekrete të papublikuara më parë. Ky botim është risjellë nën titullin “Kadare dhe regjimi komunist”. Këtij botimi i janë bashkangjitur dhe shënime nga personazhe të njohura të publicistikës e letrave shqipe, si Henri Çili, Mustafa Nano, Romeo Gurakuqi, Mero Baze, Agron Fico dhe Bedri Islami, ndërsa shoqërohet me një ekstrakt të qëndrimeve publike të një prej figurave të njohura mbi qëndrimet e tij mbi të shkuarën, avokat Spartak Ngjelës, nën titullin “Pse sulmohet Ismail Kadare”.

“Këto dokumente i japin përgjigje dhe pyetjes së vazhdueshme që ngrihet në shtyp këto vite se ‘Përse sulmohet Kadare?’. Në 101 dokumente sekrete ne mund të shohim se si letërsia e madhe arrin të çajë dhe diktaturat më të egra. Tashmë, ky libër është duke u botuar në gjuhën angleze”, thotë Alda Bardhyli, drejtoresha e Qendrës së Studimeve Shqipe “Kadare”. /Panorama/