Dosja e vëllezërve Kaçinari, të dyshuar për fajde - nëse e lajmëron rastin në polici, ta vras djalin, babën, vëllezërit dhe krejt familjen

“Nëse e lajmëron rastin në polici, ta vras djalin, babën, vëllezërit dhe krejt familjen. Unë mund të hyj në burg rri 3-4 vite po kur të dal të vras ty dhe familjes sepse unë kam pare edhe dal nga burgu”.
Këto kërcënime me vrasjen e familjes, ankth, rrahje, qindra e mijëra kamata të ndryshme mujore për fajde, dyshohet se janë disa nga veprimet që i dyshuari Eduard Kaçinari i kishte ndërmarrë në një periudhë disavjeçare.
29-vjeçari Eduard Kaçinari dhe vëllai i tij Anton Kaçinari, 31-vjeçar, janë dy të arrestuarit që më pas u ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit nën dyshimet për fajde e detyrim.
KALLXO.com ka arritur që të sigurojë dosjen me të cilën tashmë po ngarkohen me dyshimet për fajde e detyrim dy vëllezërit nga Prizreni.
Ngjarja përshkruhet se fillon nga vera e vitit 2021 në Prizren, kur viktima në këtë rast dëgjon se Eduardi jepte para me kamatë dhe vendos të marrë hua 4 mijë euro nga ai. Eduardi ia jep paratë me 20% kamatë në muaj, që do të thotë se çdo muaj duhej të paguante 800 euro vetëm kamatë. Pas dy muajsh ai paguan 1 mijë e 600 euro kamatë dhe e kthen edhe borxhin prej 4 mijë eurove.
Tutje, viktima sërish merr hua e kësaj radhe 10 mijë euro me 15% kamatë mujore dhe më pas edhe 20 mijë euro të tjera me të njëjtën kamatë. Për këto 30 mijë euro ai pagoi për 7 muaj nga 4 mijë e 500 euro në muaj, që në total bëjnë 31 mijë e 500 euro vetëm kamata dhe përveç kësaj kthen edhe 30 mijë euro borxhin bazë.
Dosja përshkruan se në vjeshtën e vitit 2022 për shkak se babai i tij ishte i sëmurë dhe kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, viktima sërish detyrohet të marrë edhe 30 mijë euro të tjera me 10% kamatë mujore. Për 7 muaj ai paguan 3 mijë euro në muaj, pra 21 mijë euro vetëm kamata pa paratë e borxhit.
Më vonë ai merr edhe 15 mijë euro të tjera gjithashtu me 10% kamatë mujore, kështu që borxhi arrin 45 mijë euro dhe kamata mujore bëhet 4 mijë e 500 euro. Për 17 muaj rresht ai paguan 4 mijë e 500 euro çdo muaj, që në total bëjnë 76 mijë e 500 euro kamata dhe më pas arrin ta kthejë edhe borxhin bazë prej 45 mijë eurove.
Mijëra euro të cilat qarkullonin ilegalisht, pra me fajde, shkaktuan edhe vështirësi ekonomike për viktimën. Dosja përshkruan se për shkak të këtyre pagesave të mëdha viktima hyn edhe në borxhe të tjera dhe merr kredi në banka. Në mars të vitit 2024 ai merr nga Eduardi edhe 170 mijë euro për t’i mbyllur borxhet e tjera.
Kjo shumë jepet me 10% kamatë mujore që do të thotë 17 mijë euro në muaj vetëm kamata.
Për 16 muaj rresht ai paguan 17 mijë euro çdo muaj, që në total bëjnë 272 mijë euro vetëm kamata pa përfshirë borxhin kryesor.
Kur viktima nuk mund të vazhdonte më me pagesat, i dyshuari kërkon prej tij 350 mijë euro vetëm në emër të kamatave pa llogaritur borxhin bazë. Për ta paguar këtë shumë ai kërkon që viktima t’i japë lokalet dhe shtëpinë të cilat kanë vlerë rreth 1 milion euro.
Tutje në dosje thuhet se më 11.03.2026 i dyshuari shkon me viktimën dhe nënën e tij te një përmbarues privat dhe pastaj te noteri për të rregulluar dokumentet për kalimin e pronësisë së pasurisë në emrin e tij.
Mirëpo për shkak se policia ishte duke përdorur masa të veçanta hetimore kishte ndërhyrë dhe Eduard Kaçinari u arrestua në flagrancë. Me veprimet e përmendura më lartë, 29-vjeçari po dyshohet për fajde ndërsa prokuroria ka ngritur dyshimet edhe për një vepër tjetër penale, atë të kërcënimit.
Me fjalët se “të vras familjen e edhe ty”, pretendohet se Eduardi i është drejtuar viktimës për një periudhë disavjeçare. Për të paguar kamatat Eduard Kaçinari pretendohet se e kishte kërcënuar viktimën me fjalët se “nëse e lajmëron rastin në polici, ta vras djalin, babën, vëllezërit dhe krejt familjen”, veprime këto të cilat dosja thotë se i përsëriti disa herë madje me raste të shpeshta me revole në dorë duke i bërë me dije se “unë mund të hy në burg, rri 3 – 4 vjet po kur të dal të vras ty dhe familjen sepse unë kam pare edhe dal nga burgu”.
Madje dosja përshkruan se kërcënimin e fundit viktima e kishte marrë më 08.03.2026 në orët e mbrëmjes, në bodrumin e shtëpisë së viktimës, i cili ndodhet poshtë lokaleve.
Dosja që ka siguruar KALLXO.com tregon për veprimet e vëllait të Eduardit, kësaj radhe, Anton Kaçinarit.
Sipas hetimeve, dy vëllezërit Anton Kaçinari dhe Eduard Kaçinari dyshohet se gjatë vitit 2025 në Prizren kanë vepruar së bashku me qëllim që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme para përmes kamatave shumë të larta, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dy viktimave.
Pasi viktima e parë, që u përshkrua në pjesën e Eduardit, nuk po arrinte më t’i përballonte pagesat e kamatave, ai kishte kërkuar ndihmë shokut të tij që t’i gjejë para.
Shoku, viktimë e dytë në rast, e njofton se nuk i ka paratë e tij, por mund t’i marrë me kamatë nga Anton Kaçinari. Në këtë mënyrë, viktima e dytë e rastit merr nga Antoni në disa raste shumën prej 80 mijë euro me kamatë mujore prej 10% dhe këto para ia dorëzon viktimës së parë.
Viktima që përshkruhet te rasti i Eduard Kaçinarit, për tetë muaj rresht paguan nga 8 mijë euro në muaj vetëm për kamata, që në total arrijnë 64 mijë euro. Këto para i dorëzohen Antonit përmes të dëmtuarit të dytë.
Kur viktima e parë nuk arrin më të vazhdojë me pagesat, ndërhyn Eduard Kaçinari. Ai kërkon 200 mijë euro në emër të kamatave që pretendohet se kanë mbetur nga paratë e marra përmes personit që kërkoi ndihmë viktima e parë, si dhe 350 mijë euro në emër të kamatave të tjera që pretendon se i detyrohet viktima e dytë. Në total kërkon 550 mijë euro vetëm për kamata.
Për ta paguar këtë shumë, Eduardi kërkon nga viktima e parë që t’ia kalojë në pronësi lokalet dhe shtëpinë e tij, të cilat vlerësohen rreth një milion euro.
Dy vëllezërit u arrestuan nga policia me urdhër të prokurorisë më 11.03.2026.
Dosja përshkruan edhe se gjatë vitit 2026 në Prizren, të pandehurit Anton Kaçinari dhe Eduard Kaçinari dyshohet se kanë përdorur forcë dhe kërcënime serioze ndaj viktimës së dytë për ta detyruar që të paguajë kamata për borxhet.
Pasi viktima nuk arrinte t’i paguante kamatat, të pandehurit ushtronin presion dhe e kërcënonin vazhdimisht. Në disa raste dosja thotë se vëllezërit Kaçinari e kanë rrahur me grushte dhe shqelma për ta detyruar të paguajë. Rasti i fundit i rrahjes, sipas përshkrimit, ka ndodhur më 05.03.2026.
Dy vëllezërit Kaçinari nuk janë të panjohur për organet e rendit. Në bazë të dosjes që ka siguruar KALLXO.com ata kanë disa vepra penale të regjistruara nga policia dhe prokuroria.





















































