Dosja e Prokurorisë për plagosjen në Pejë: E ndoqi nga mbrapa, shtiu disa herë me armë

Një burrë kishte mbetur i plagosur pasi është qëlluar me armë zjarri në Pejë, të premten më 12.09.2025.
Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas kryerjes së veprës, është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë dhe më pas është paraqitur në stacion policor.
Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Pejës për fillimin e hetimeve.Sipas këtij aktvendimi, më 12.09.2025, në rrugën “Papa Kelmendi”, është tentuar të privohet nga jeta Lirim Nikqi. Pas një mosmarrëveshjeje gjatë ditës kritike, i pandehuri Arb Shala, me veturë, disa herë e ka përcjellë të dëmtuarin rreth pjesës së lokalit të quajtur “Corner”.
Siç përshkruhet në aktvendim, i pandehuri, me të arritur te lokali, e thërret me dorë që të kalojë në krahun tjetër të rrugës dhe të takohen, derisa mbante armën në dorën e majtë, në xhep. Aty ata sërish fjalosen.
Më pas, Prokuroria ka përshkruar se viktima ka tentuar t’ia kapë dorën e majtë për t’ia larguar armën, por i pandehuri e nxjerr armën (pistoletë), ndërsa i dëmtuari fillon të ikë në drejtim të kafiterisë.
Pas kësaj, sipas Prokurorisë, i pandehuri fillon ta ndjekë atë duke shtënë disa herë me armë dhe kështu e godet në pjesën e pasme të trupit. Pasi arrijnë në lokalin e lartcekur, Prokuroria shpjegon se i pandehuri e gjuan sërish dhe e godet në pjesën e abdomenit, mbi kërthizë, ku tenton përsëri të shtijë, por i bllokohet arma.Për këtë, Prokuroria e ka cilësuar veprën penale si “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Ai po hetohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Ndryshe, Policia, sot (13.09.2025) ka konfirmuar se pas intervistimit në prezencë të avokatit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

















































