Kur BMW prezantoi konceptin Skytop në vitin 2024, pak prisnin se çfarë do të ndodhte më pas.

Marka shpejt konfirmoi prodhimin e një serie të kufizuar, pas së cilës secila prej 50 kopjeve të planifikuara u rezervua "me shpejtësinë e dritës".


Kjo ishte një surprizë e vërtetë, duke marrë parasysh se vetura, e cila përdor bazat e modelit të rregullt M8 Competition, besohet se ka kushtuar mbi 500,000 euro dhe dërgesat për klientët tani kanë filluar.

Ekzemplari i parë iu dorëzua së fundmi pilotit italian të garave Andrea Levy në BMW Welt në Gjermani, dhe pronari i ri ndau një video të shkurtër të dorëzimit në rrjete sociale.



Vetura e Levyt duket në thelb identike me Skytop-in origjinal të zbuluar në Villa d'Este në Itali dhe do t'i bashkohet koleksionit të tij tashmë të gjerë të veturave, i cili përfshin disa Ferrari, një Lamborghini, një Porsche 911 GT3 RS dhe një Dallara Stradale, ndër të tjera.

BMW pretendon se vetura mund të përshpejtojë nga 0 në 100 km/h në vetëm 3.3 sekonda. /Telegrafi/