Donnarumma zbulon dëshirën e tij për të ardhmen me Man Cityn

Kapiteni i Italisë, Gianluigi Donnarumma, ka shprehur kënaqësinë e tij për faktin që po stërvitet nga Pep Guardiola dhe ka theksuar dëshirën për të qëndruar “për shumë vite” te Manchester City nën drejtimin e trajnerit spanjoll.
Sky Sport Italia ka publikuar një pjesë të shkurtër të intervistës me portierin, e cila do të transmetohet e plotë në ditët në vijim.
Në këtë fragment, Donnarumma flet për përshtatjen e tij te Man City dhe raportin me Guardiolën, duke nënvizuar respektin e madh që ka për të dhe ndikimin pozitiv që trajneri ka në vendimmarrjen dhe qetësinë e tij në fushë.

“E respektoj jashtëzakonisht shumë, kemi një raport të shkëlqyer dhe ai më ndihmon shumë në vendime. Më mban të qetë në çdo situatë. Është ëndrra e të gjithëve të stërvitesh prej tij. Jam me fat që jam këtu dhe shpresoj të kaloj shumë vite me të dhe të shkruaj historinë e këtij klubi. Ai është vërtet i veçantë”, ka thënë Donnarumma.
Portieri italian iu bashkua Man Cityt në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar, pasi i kishte mbetur vetëm një vit kontratë me Paris Saint-Germain dhe palët nuk kishin arritur marrëveshje për rinovim.

Këtë sezon në Ligën Premier, Donnarumma ka regjistruar gjashtë ndeshje pa pësuar gol në 13 paraqitje, duke pranuar gjithsej 12 gola.
Kontrata e tij me Man Cityn skadon në qershor të vitit 2030, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.
Në moshën 26-vjeçare, kapiteni i Italisë ka tashmë 79 paraqitje me kombëtaren. /Telegrafi/













































