Gianluigi Donnarumma ka theksuar se transferimi te Manchester City ishte "opsioni i tij i parë dhe i vetëm" gjatë afatit kalimtar të verës, duke shtuar se “ishte e vetmja gjë që doja”.

Portieri italian iu bashkua kampionëve të Anglisë në ditën e fundit të afatit kalimtar nga Paris Saint-Germain, me një marrëveshje me vlerë rreth 27 milionë euro, ndërsa kishte mbetur më pak se një vit në kontratën e tij me klubin francez.


Në konferencën për shtyp para debutimit të tij në Ligën e Kampionëve me Cityn kundër Napolit, Donnarumma falënderoi trajnerin Pep Guardiola.

“Falënderoj trajnerin, për mua është një nder dhe krenari të jem këtu dhe ta kem atë si trajner. Është historia e futbollit, kështu që jam vërtet i emocionuar që jam këtu”, ka thënë fillimisht Donnarumma.

Ai shtoi se synon të japë maksimumin për ekipin.

“Padyshim që kam ende shumë për të përmirësuar dhe mund të jap shumë më tepër; ky është objektivi im, të vazhdoj të përmirësohem dhe të jap gjithçka për ekipin”.

Portieri italian debutoi fundjavën që lamë pas në fitoren 3-0 ndaj Manchester United dhe tashmë synon sukseset më të mëdha edhe në Evropë.

“Patjetër, është një nga objektivat që kemi. Duhet të ëndërrojmë gjithmonë për gjëra të mëdha, por ta bëjmë me përulësi. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”, deklaroi ai.

Duke folur për përballjen kundër Napolit, Donnarumma pranoi vështirësinë e sfidës.

“Nesër do të jetë e vështirë, ndeshja e parë në Ligën e Kampionëve është gjithmonë më e ndërlikuara. Ne e bëjmë këtë me një ekip të madh kundër një ekipi të madh.”

“E njoh shumë mirë Napolin, qytetin dhe trajnerin. Disa nga shokët e mi të ekipit kombëtar janë atje, kështu që e di që është një ekip i shkëlqyer kundër të cilit po luajmë”, përfundoi ai.

Në konferencë mori pjesë edhe trajneri Pep Guardiola, i cili u shpreh i emocionuar për takimin e radhës me Kevin De Bruyne, vetëm disa muaj pas transferimit të tij te Napoli si lojtar i lirë.

Ndërkohë, trajneri i Napolit, Antonio Conte, dhe një nga lojtarët e tij pritet të flasin për mediat në orën 20:00 në Mançester. /Telegrafi/

telegrafi sport app