Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar planet për të organizuar një ngjarje të madhe të arteve marciale të përziera (UFC) në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë vitin e ardhshëm, si pjesë e festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.

Ngjarja, e cila është diskutuar për herë të parë nga Trump në korrik, synon të mbledhë mbi 20 mijë tifozë dhe do të mbahet në qershor 2026, pasi programi i muajit korrik konsiderohet tepër i ngjeshur.


Në fund të gushtit, Trump zhvilloi një takim me mikun e tij të vjetër, Dana White, CEO-n e UFC-së, në Shtëpinë e Bardhë. Pas takimit, White konfirmoi publikisht: “E përfunduam sot. Ndeshja do të zhvillohet patjetër".

Sipas mediave amerikane, organizimi po mbështetet edhe nga Ivanka Trump, e cila raportohet si një tifoze e madhe e sportit. Plani përfshin një peshim spektakolar të luftëtarëve pranë Memorialit të Linkolnit, si dhe një shfaqje të madhe me lazerë, fishekzjarre dhe ringun tetëkëndësh ikonik të UFC-së.

Zëdhënësi i Trump, Steven Cheung, e cilësoi ngjarjen si një moment historik. “Ky do të jetë një nga eventet sportive më të mëdha dhe më historike ndonjëherë, dhe organizimi i tij nga Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë është një dëshmi e vizionit të tij për të festuar 250-vjetorin monumental të Amerikës".

Trump ka një histori të gjatë lidhjesh me sportin dhe me UFC-në në veçanti, pasi në fillim të viteve 2000 organizoi evente të MMA-së në një nga hotelet e tij në Atlantic City.

Në moshën 79-vjeçare, ai mbetet një ndjekës i rregullt i ngjarjeve sportive madhore, nga Super Bowl deri te finalja e meshkujve e US Open.

Edhe pse ngjarjet sportive në Shtëpinë e Bardhë janë të rralla, ato nuk janë të paprecedentë. Në vitet 1920, presidenti Warren G. Harding organizoi ndeshje tenisi, ndërsa më vonë George W. Bush solli lojërat e teeball-it, dhe Barack Obama shndërroi rezidencën presidenciale në një terren basketbolli. /Telegrafi/

telegrafi sport app