LAJMI I FUNDIT:

Dogana kalon 1.5 miliard euro të hyra

Dogana kalon 1.5 miliard euro të hyra

Dogana e Kosovës ka përmbyllur raportin e të hyrave me 1.5 miliard euro.

Siç thotë Dogana, ky rezultat është edhe një rekord tjetër i shënuar.


“Të hyrat sivjet tejkalojnë të hyrat për të njëjtën periudhë me 124 milion apo 9% më shumë të hyra. Dogana e Kosovës gjithashtu është duke shënuar rezultate shumë pozitive edhe në luftimin e ekonomisë jo-formale dhe mbrojtjen e shoqërisë nga mallrat e ndaluara. Edhe raporti i fundit për vendin nga Komisioni Evropian ka theksuar performancën e mirë të Doganës së Kosovës në disa fusha të rëndësishme, ndërsa që kryesore është theksi për performancën e mirë në luftimin e krimit të organizuar dhe kontributi në kuadër të Reformave të Qeverisë në luftimin e ekonomisë jo-formale”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se kanë trajtuar me efikasitet çështjet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, duke synuar që të avancojmë integritetin e organizatës si dhe orientimin në shërbim.

“Dogana e Kosovës është mirënjohëse për përkrahjen e pa rezervë nga Qeveria në efikasitetin e deritanishëm dhe po ashtu çmojmë përkrahjen e partnerëve tanë si Ambasada e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Zyrës së BE-së në Prishtinë, projektet e GIZ-it gjerman dhe organizatat ndërkombëtare të cilët janë duke na ndihmuar në avancimin e kapaciteteve.

Kontributi dhe bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve si dhe me publikun ka qenë I rëndësisë kritike për rezultatet tona të deritanishme, andaj ky bashkëpunim mbetet në qendër të vëmendjes sonë, me qëllim që të promovojmë vlerat e mirëbesimit dhe të avancojmë me shërbimet, ku kryesore mbetet transformimi digjital dhe në përgjithësi lehtësirat tregtare”. /Telegrafi/