Autoriteti doganor grek, ndaloi ditën e djeshme dhe në vazhdim sekuestroi një sasi prej më shumë se 10.000 maska mbrojtëse kundër Covid 19 me destinacion Shqipërinë.

Sasia e maskave siç raporton Top Channel, ishte ngarkuar në një kompani greke ( Sarantis Eebe) dhe sapo kamioni u paraqit në doganën e Pireut, për të kryer procedurat doganore, kjo e fundit, njoftoi kompaninë  eksportuese  greke, se me urdhër të veçantë është ndaluar eksporti i maskave dhe dizifektantëve, me destinacion vendet e treta.

Për më tepër, drejtuesit e  kompanisë greke, u shokuan kur dogana i njoftoi se kjo sasi, por edhe sasi të tjera që mund të ndodhen në depot e saj, do të bllokohen në magazinë dhe rekuizohen për llogari të shteti grek.

Dogana sqaroi se rekuizimi parashikon bllokim, dhe kalimin e sasisë në favor të ministrisë  së emergjencave civile, e cila do t’i shpërndajë ato nëpër spitale,farmaci ose kudo nevojiten, kundrejt pagesës, plus fitimin e parashikuar nga ligji i përfitimeve për kompanitë prodhuese.

Skandali shtohet edhe më tepër, mbas denoncimit të shumë kompanive që importojnë maska dhe dizifektantë, të cilët denoncojnë sekuestrim të menjëhershëm në doganë, të 30%të sasisë së këtyre materialeve,sapo ato hyjnë në territorin grek, çka ka sjellë shumë ankesa për këtë sjellje te pa precendente te autoriteteve doganore greke./Top Channel/