LAJMI I FUNDIT:

Dogana e ATK-ja mbushësit kryesorë të buxhetit, mbledhin mbi 1.1 miliard euro

Dogana e ATK-ja mbushësit kryesorë të buxhetit, mbledhin mbi 1.1 miliard euro

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), janë dy institucionet të cilat duhet ta mbushin arkën e shtetit, e cila shërben për funksionimin e tij. Barra kryesore bie mbi Doganën që është edhe institucioni kryesor për mbushjen e buxhetit, pas saj këtë barrë e ka ATK-ja.

Dogana e Kosovës, për periudhën janar-shtator 2018, ka mbledhur 845 milionë euro, ndërsa ATK-ja për ketë përudhë ka mbledhur mbi 336 milionë euro. Pra në total Dogana dhe ATK kanë mbledhur deri më tani 1 miliard e 181.6 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka treguar për Telegrafin se e kanë kaluar shumën e të hyrave janar-shtator 2018, për 30 milionë euro, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

“Deri më tani Dogana e Kosovës, ka mbledhur 845 milionë euro apo 3.7 për qind më shumë se viti i kaluar që nëse shikohet në shifra monetare nënkupton më shumë se 30 milionë euro”, tha ai.

Stavileci tha se presin përmbushje të planeve deri në fund të vitit.

“Duke marr parasysh këtë trend të të hyrave presin që deri në fund të vitit të arrijmë projeksioni e paracaktuar nga Qeveria për vitin 2018”, ka thënë për Telegrafin, Adriatik Stavileci.

Kurse, zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyçi, ka thënë për Telegrafin se për nëntë muajt e parë të këtij viti kanë mbledhur rreth 33 milionë euro më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Administrata Tatimore e Kosovës, vetëm për muajt janar-shtator 2018 nga të hyrat e rregullta ka mbledhur 336.6 milionë euro, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 32.8 milionë euro. Ndërsa, në raport me planin janë mbledhur 9.6 milionë euro apo 2.9 për qind më shumë të hyra se plani i paraparë”, ka thënë zëdhënësja Bytyçi, shkruan Telegrafi.

ATK për periudhën janar-shtator 2017, ka pasur të hyra në vlerë prej 303.7 milionë euro.

“Kjo konfirmon se performanca e të hyrave vazhdimisht është duke u rritur, duke marr parasysh përkushtimin e menaxhmentit të ATK-së në zbatimin e Strategjisë 2015-2020, si dhe planeve operative të hartuara për këtë vit”, tha Valentina Bytyçi.

Ndryshe, Dogana deri në fund të vitit duhet të mbledhë 1 miliard e 175 milionë euro, kurse Administrata Tatimore e Kosovës, duhet të grumbulloj deri në fund të vitit 446 milionë euro. /Telegrafi/