Presidenti i ‘Republika Srpska’, Milorad Dodik, bëri një deklaratë të shkurtër pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnjës dhe Hercegovinës ia hoqi unanimisht mandatin.

Dodik komentoi vendimin në rrjetin social X me një mesazh të shkurtër.


"Një tjetër m... nga Sarajeva. I fundit", ka thënë Dodik.

Vetëm gjysmë ore pas kësaj deklarate, ai bëri një deklaratë tjetër.

"Dorëzimi dhe heqja dorë nuk ekzistojnë. Dorëzimi nuk është një opsion", theksoi Dodik.

Kjo deklaratë vjen pasi KQZ-ja e BeH-së, bazuar në një vendim përfundimtar që e dënoi Dodik-un me një vit burg dhe e ndaloi atë të mbante detyrën e Presidentit të RS-së për gjashtë vjet, mori një vendim për ta shkarkuar atë nga detyra, përcjell Telegrafi.

Mbrojtja e Dodik-ut ka të drejtë të ankohet në Divizionin e Apelit të Gjykatës së BeH-së brenda dy ditësh, dhe deri atëherë vendimi nuk është përfundimtar.

Pasi të përfundojë procedura e ankimit, KQZ-ja do të marrë një vendim për të shpallur zgjedhje të parakohshme për Presidentin e Republika Srpska-s.

Avokati i Dodikut, Goran Bubiq, ka njoftuar tashmë se do të kërkojë një masë të përkohshme për të shtyrë ekzekutimin e vendimit dhe ka njoftuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të BeH. /Telegrafi/