Dodik paralajmëron hakmarrje pas dënimit me burg dhe ndalesës për aktivitet politik

Presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, ka reaguar ashpër pas dënimit të tij me një vit burg dhe ndalesës gjashtëvjeçare për të ushtruar funksione politike, duke paralajmëruar masa të ashpra politike në përgjigje të vendimit të Gjykatës së Bosnje-Hercegovinës.
“Nëse nuk veprojmë, Republika Serbe do të përballet me rreziqe edhe më të mëdha. Prandaj, qytetarët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të mobilizohen bashkë me institucionet tona,” shkroi Dodik në platformën X, duke theksuar se “askush nuk mund ta përmbysë vullnetin e popullit”.
Dodik nuk specifikoi se çfarë hapash do të ndërmerren, por deklaroi se të gjitha veprimet do të jenë politike dhe akuzoi Gjykatën e Bosnje-Hercegovinës se është "diskualifikuar si institucion ligjor".
Dënimi ndaj tij u shqiptua më 1 gusht për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt. Dodiku u shpall fajtor për nënshkrimin e një dekreti që shpallte në fuqi ligje të anuluara më parë nga Schmidt. Këto ligje synonin të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të vetë Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republikës Serbe.
Pas shpalljes së vendimit, Dodik deklaroi se nuk e njeh aktakuzën dhe publikoi vendime të reja të Asamblesë Kombëtare të entitetit serb, të cilat, sipas tij, paraqesin një “plan konkret për rrugën përpara” – pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, avokati i tij, Goran Bubiq, njoftoi se do ta apelojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe do të kërkojë pezullimin e tij derisa të shqyrtohet rasti në instancat më të larta, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pasi Dodiku të marrë zyrtarisht thirrjen për vuajtjen e dënimit, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje-Hercegovinës pritet të marrë vendim për ndërprerjen e mandatit të tij si president i Republikës Serbe.
Sipas ligjit zgjedhor të Bosnje-Hercegovinës, mandati i një zyrtari përfundon në momentin kur një vendim gjyqësor për burgim prej gjashtë muajsh apo më shumë merr formë të prerë. /Telegrafi/




















































