“Do të jetë sfidë me plot duele dhe agresivitet”, përzgjedhësi i Sllovenisë kërkon vetëm fitore ndaj Kosovës

Përzgjedhësi i Sllovenisë Matjaz Kek thotë se pret një sfidë me shumë duele dhe agresivitet në Prishtinë ndaj Kosovës.
Kosova do të jetë nikoqire e Sllovenisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, me “Dardanët” që nevojitet t’i fitojnë pikët e plota për të mbetur në garë për një avancim tutje.
Para udhëtimit për në Kosovë, Kek ka paralajmëruar kombëtaren se nëse nuk e tregojnë nivelin e duhur atëherë do të ndëshkohen.
“Futbolli do të luhet edhe pas këtyre dy ndeshjeve. Sllovenia është një emër, një kundërshtar për të cilin të tjerët mendojnë. Kjo është një grup lojtarësh që po ndryshon – disa prej tyre munguan edhe në Evropian – por kanë treguar se janë të duhurit”.
“Sigurisht, ka pasur edhe momente më të vështira. Unë jam i fokusuar vetëm te ekipi ynë, i njohim mirë ata. Ne kemi cilësi dhe e kemi dëshmuar, por nëse nuk je në nivelin e duhur, ndëshkimi vjen shpejt”, theksoi fillimisht përzgjedhësi i Sllovenisë.

Ai pret një atmosferë të madhe në Prishtinë, ku ndër të tjera shtoi se pret që sfida të jetë plot me duele dhe agresivitet.
“Atmosfera në Prishtinë duhet të jetë një motiv shtesë. Është më mirë të luash në një ambient të nxehtë sesa në një fushë ku dëgjohet çdo zë. Pikënisja është e qartë për të dy kombëtaret: duhet të marrim pikë për objektivat tona. Nuk e di çfarë mund të jetë motivim më i madh për një sportist. Është e qartë se stadiumi do të jetë i mbushur plot, do të ketë shumë zhurmë dhe ndoshta edhe disa bileta shtesë në shitje”.
“Ne e dimë gjithashtu se do të jenë të pranishëm edhe disa prej tifozëve tanë, përfshirë një kontingjent ushtarësh tanë. Ndeshja do të jetë plot duele dhe agresivitet, siç është tipike për ndeshjet në shtëpi, sidomos në Prishtinë”.

Në fund, Kek konfirmoi se duan fitore në Prishtinë, me lojtarët që janë plotësisht të vendosur.
“Kjo është një grup që rezultati mund të shkojë në çdo drejtim. Duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes, por dua të shoh besim, vendosmëri dhe guxim”.
“Këto janë ndeshje ku në fund llogaritet vetëm rezultati. Kemi përgatitur një plan dhe duhet të përmirësojmë ato gjëra që nuk funksionuan në Zvicër. Qëllimi është të arrijmë një rezultat pozitiv”.
Përndryshe, përballja mes Kosovës dhe Sllovenisë zhvillohet të premten në “Fadil Vokrri” me fillim prej 20:45./Telegrafi/



















































