DKA: Nxënësit e papranuar mund t’i tërheqin dokumentet dhe të aplikojnë në shkollat e mesme me vende të lira


Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar se, nxënësit që nuk janë pranuar në Gjimnazin "Xhevdet Doda", "Sami Frashëri", "Ahmet Gashi", SHML "Dr. Ali Sokoli", SHML "Prenk Jakova" dhe SHML "Medreseja Alauddin", mund t’i tërheqin dokumentet e tyre sot, më 10 korrik, duke filluar nga ora 09:00.
Sipas njoftimit nga Drejtoria e Arsimit tërheqja e dokumenteve u mundëson nxënësve të aplikojnë në shkollat profesionale, ku konkursi mbetet i hapur deri në ora 18:00.
Shkollat profesionale ku mund të aplikohet janë: SHML "Hoxhë Kadri Prishtina", SHML "Gjin Gazulli", SHML "28 Nëntori", SHML "Abdyl Frashëri" dhe SHML "7 Shtatori".
Vende të lira ka edhe në Gjimnazin "Eqrem Çabej" dhe në Gjimnazin e Specializuar Matematikor, ndërsa për shkollat ku do të mbesin vende të lira do të organizohet afat plotësues në muajin gusht.
DKA thekson se tërheqja e dokumenteve nuk e humb të drejtën e nxënësit për të qëndruar në listën e pritjes së shkollës ku ka aplikuar fillimisht. Në rast se lirohen vende, kandidatët do të kontaktohen sipas renditjes në listën e pritjes.
Aplikimi bëhet përmes platformës edukryeqyteti.org dhe me dorëzimin fizik të dokumenteve në shkollën ku nxënësi dëshiron të regjistrohet.
Gjitashtu, nxënësit kanë të drejtë ankese brenda dy ditëve të punës nga shpallja e rezultateve, fillimisht në drejtorinë e shkollës, ndërsa nëse nuk janë të kënaqur me përgjigjen, mund të ankohen edhe në Drejtorinë Komunale të Arsimit brenda afatit të përcaktuar. /Telegrafi/

































