LAJMI I FUNDIT:

Djali nga Padova dhe vajza nga Shkupi

Djali nga Padova dhe vajza nga Shkupi
Ilustrim

Nga: Ndriçim Kullla

 Në përkujtim të nderuar për 100 vjetorin e mbritjes në Shqipëri të albanologut të madh At Giuseppe ( Zef) Valentini


E vërteta është se Shoqëria e Jezuit, ku do të hynte më pas At Zef Valentini, kishte një sistem të vetin të përzgjedhjes dhe të përgatitjes së kandidatëve për në radhët e saj. Përzgjedhja e atyre që do të përgatiteshin për të hyrë në Urdhrin Jezuit niste vërtet qëkur ishin fëmijë kur edhe ndiqnin seminaret jezuite. Përgatitja e një kandidati për Shoqërinë Jezuite mund të vazhdonte nga 8-14 vjet. Fakti është se ndër të gjithë urdhrat fetarë, ai jezuit ka kohën më të gjatë të përgatitjes. Por kjo nuk do të thoshte se çdo fëmijë që hyn në një seminar është i destinuar të bëhet anëtar i Shoqërisë së Jezuit dhe se ata që nuk bëhen thjesht arrijnë që t’i shpëtojnë këtij kurthi, siç pretendojnë armiqtë e jezuitëve dhe të Kishës Katolike.

E vërteta është se në seminaret jezuite pranoheshin fëmijë pa u marrë parasysh prirja e tyre për t’u bërë klerikë ose jo. Por, natyrisht që këta fëmijë mbikëqyreshin, si të thuash, nga mësuesit e tyre jezuitë për të parë se cilët prej tyre shfaqnin shenja të vokacionit për t’u bërë anëtarë të Shoqërisë së Jezuit dhe për këta tregohet një kujdes i veçantë. Të tjerët mund të vazhdonin rrugën e tyre në jetë dhe të ndiqnin shkolla e karriera laike, duke marrë me vete nga seminari jezuit dhuratën e një arsimimi të shëndoshë, vlerat e të cilit i kanë çmuar edhe armiqtë më të ashpër të jezuitëve.

Rruga që ndoqi At Zef Valentini për t’u bërë anëtar i Shoqërisë së Jezuitëve është përgënjeshtrim i teorive konspirative të mësipërme për jezuitët. Zef Valentini hyri në Seminarin Ipeshkvnor të Padovës si nxënës i jashtëm, në vitin 1910, në moshën dhjetë vjeçare. Ai madje nuk ishte as një nxënës i brendshëm i Seminarit. Ishte, siç thotë regjistri i shkollës, i njëmbëdhjeti në numrin e nxënësve të jashtëm.

Kur Zef Valentini hyri në këtë seminar, ai me këtë nuk shkeli në shkallën e parë të sistemit të përgatitjes së anëtarit të Urdhrit Jezuit. Jezuitët nuk shikonin te Zefi i vogël më tepër se një fëmijë të varfër i cili kështu kishte mundësi të merrte një arsimim të mirë, të cilin nuk mund ta merrte dot në shkollat publike të cilat linin për të dëshiruar nga cilësia e mësimdhënies. Në të vërtetë, prindërit e tij, veçanërisht e ëma, ushqenin dëshirën që djali i tyre të bëhej anëtar i Shoqërisë së Jezuit, pasi, si njerëz të thjeshtë dhe shumë besimtarë, kishin një respekt të madh për anëtarët e Shoqërisë së Jezuit, të cilët për ata ishin njerëz shumë të ditur.

Duke e ndjerë se djali i tyre ishte fëmijë shumë i zgjuar, por që nuk do të kishte shumë mundësi të merrte shkollimin që meritonte për shkak të varfërisë së familjes, këta prindër e shikonin Shoqërinë Jezuite si rrugën e vetme që ai të shkollohej. Dikush mund të thotë se kështu del se besimi fetar i prindërve të Zef Valentinit përzihej me një interes, si të thuash shumë tokësor. Por, nuk është kështu. Se një nga madhështitë e veprës së Shoqërisë ishte se u jepte fëmijëve të talentuar të familjeve të varfra një arsimim që ata nuk do të kishin arritur ta merrnin kurrë ndryshe. Ç’të keqe kishte që prindërit e Zef Valentinit e shikonin si rrugën në të cilën djali i tyre i talentuar do ta arrinte këtë gjë, për t’i shërbyer pastaj Zotit? Prindërit e Zef Valentinit ishin njerëz të thjeshtë, punëtorë. Ata shikonin si rrugë për një të ardhme të mirë të fëmijëve të tyre ndihmën e Zotit, dhe jo rrymat politike ekstremiste që ishin duke marrë zjarr në atë kohë. Zef Valentini do t’u ishte përjetë mirënjohës prindërve që zgjodhën për të këtë rrugë, veçanërisht nënës. Sipas biografit Attilio Vaccaro, rol të posaçëm për drejtimin që mori ka pasur nëna e tij, një fetare e përkushtuar:

E ëma, Margarita, e lindur në Padova më 3. 11. 1869 dhe e vdekur në Padova më 14. 07 1925 (6), pati një vend të spikatur në kujtimet e tij dhe një ndikim të rëndësishëm në edukimin fetar, si shembulli i një gruaje të vuajtur dhe të mëshirshme, të dëshiruar për t’i parë dy fëmijët e saj të vetëm t’i shërbenin Zotit me sa më shumë dashuri.

E ëma e Zef Valentinit ishte një grua e thjeshtë e cila nuk i njihte rregullat e urdhrave fetarë për pranimin e anëtarëve të rinj. Në mendjen e saj ajo ia kishte blatuar Zotit, të dy djemtë, të cilët ishin dhe të vetmit fëmijë që kishte familja, për t’u bërë klerikë, njëri si jezuit dhe tjetri si kapuçin. E njëjta gjë ndodhi edhe me Nënë Terezën. Ndikimi i nënës së saj ka qenë vendimtar për rrugën që ajo mori në jetë. Biografi i saj indian Navin Kaula shkruan:

Në njërin nga citimet e pakta për familjen e saj, Nënë Tereza do të shprehej: “Isha shumë e lidhur me nënën”, dhe do ta përshkruante atë si “shumë të shenjtë”. Atë Van Eksemi (udhëheqësi shpirtëror i Nënë Terezës- N. Kulla) ka shprehur mendimin se e ëma ka ushtruar një ndikim të madh mbi vajzën e vogël Anjeze (me këtë emër u pagëzua një ditë pas lindjes), sidomos në jetën e saj shpirtërore, sepse e ëma nuk ishte thjesht fetare, në kuptimin e ngushtë të fjalës; ndjenja e përkushtimit ndaj besimit të saj kishte një natyrë praktike, që nuk e lejonte t’i kthente mbrapsht ata që i vinin në derë, nëse kërkonin ushqim, strehë, rroba, madje edhe para. “Ajo na mësoi të donim Zotin tonë dhe fqinjin tonë”- thoshte Nënë Tereza.

Natyrisht se mbi Gonxhen e re dhe mbi Zefin e ri kanë pasur ndikim edhe baballarët e tyre. Ne mendojmë se, ndërsa roli i nënave ishte vendimtar për rrugën klerikale që morën në jetë të dy, ndikimi i baballarëve ishte vendimtar për rrugën specifike që zgjodhi secili prej tyre. Megjithëse, nëna e Nënë Terezës ishte një bamirëse, siç pohon edhe biografi i saj, duke u mbështetur te tregimi i Nënë Terezës ishte i ati ai që ia mundësonte dhe ia nxiste familjes këtë virtyt. Kjo për dy arsye të thjeshta. E para se i ati i Nënë Terezës ishte i pasur – me këtë nuk dua të them se me bamirësi mund të merren vetëm të pasurit, por gjykoj se gruaja bujare e një burri të pasur mund t’i lejonte vetes të bënte bamirësi ndaj nevojtarëve, gjë që nuk mund ta bënte natyrisht gruaja, gjithsesi bujare, e një burri që nuk ushqente dot familjen e tij. Arsyeja e dytë është se duke ditur autoritetin që kishte burri në familje në atë kohë, gruaja mund të tregonte një bujari të tillë, si ajo e nënës së Nënë Terezës, vetëm nëse ishte vullneti i burrit që dera e shtëpisë të ishte e hapur për nevojtarët. Se nuk mund të mohohet se bujaria dhe bamirësia qenë gjëra që ndesheshin shpesh në familjet e pasura tregtare, jo vetëm në vendlindjen e Nënë Terezës, por edhe në të gjithë Evropën. I ati i Nënë Terezës, siç ka pohuar vetë ajo, ishte një tregtar i pasur. Navin Kaula shkruan në biografinë e tij, duke u mbështetur te rrëfimet e saj:

Ajo rridhte nga një familje qytetare tregtare. Nuk ka pasur origjinë fshatare, siç janë shprehur disa. I ati, Kolë Bojaxhiu, ishte sipërmarrës ndërtimi. Firma e tij ishte shumë e njohur dhe kishte ndërtuar teatrin e parë në Shkup. Ai ishte anëtar i këshillit bashkiak dhe fliste disa gjuhë, duke përfshirë, përveç shqipes, gjuhës amtare, edhe serbokroatishten dhe turqishten. At Celeste van Eksem, udhëheqësi shpirtëror i Nënë Terezës në ditët e para, do të thoshte se ajo e përshkruante babanë e vet si njeri zemërbardhë i cili gjithmonë i ndihmonte të varfrit.

Në një tjetër biografi të autorizuar të Nënë Terezës, pra të bazuar në kujtimet e saj, me autore Kathryn Spinks, thuhet:

Ndërsa shtëpia e Bojaxhinjve ka qenë gjithmonë e hapur për të gjithë, atje kishte gjithmonë një mirëpritje për të varfrit. Një plakë kishte ardhur rregullisht në shtëpi për të ngrënë vaktet e ditës. “Priteni atë me ngrohtësi dhe dashuri” i udhëzonte Nikolla fëmijët dhe shtonte: “Fëmijët e mi, mos hani kurrë një kafshatë pa e ndarë atë me të tjerët”. Kjo ishte një sjellje me njerëzit që gruaja e tij, Drande Bojaxhiu, serioze, shumë e disiplinuar dhe shumë fetare, siç ishte, e pranonte dhe e zbatonte plotësisht. Tryeza e familjes vazhdonte të ishte një vend i grumbullimit të të varfërve për të cilët ajo kujdesej me ngrohtësi.

Ndonëse babai i Nënë Terezës vdiq kur ajo ishte vetëm tetë vjeç, ai kishte lënë përshtypje të thella tek ajo siç duket nga fjalët e saja të cituara nga të dy biografët. Duke qenë se Nënë Tereza kishte lindur si një fëmijë i pasur, ajo duhet ta ketë ndjerë shumë më tepër peshën e varfërisë, kur familja e saj e humbi befasisht mirëqenien pas vdekjes së të atit. Kjo përvojë ka lënë mbresa të thella tek ajo dhe ka ndikuar për të ngjallur jo thjesht vokacionin për t’iu përkushtuar Zotit si murgeshë, por edhe për të ngjallur ndjenjën e veçantë të misionarisë tek ajo. Në moshën tetë vjeçe, Anjeze Bojaxhiu, që më pas do të bëhej Nënë Tereza, ishte një fëmijë e varfër, jetime, bija e një vejushe e cila punonte shumë për të bërë qëndisma të cilat i shiste për të ushqyer fëmijët e saj. I ati i Nënë Terezës në sytë saj ishte një lloj misionari, dhe ajo donte ta vazhdonte rrugën e tij. Ndërsa nëna, Drandja, pati një ndikim vendimtar që Anjeza të bëhej murgeshë, figura e të atit ndikoi edhe pas vdekjes së tij që murgesha e re të zgjidhte rrugën për të kryer një mision të veçantë.

Edhe në rastin e At Zef Valentinit ka ndodhur diçka e ngjashme. Ndërsa nëna e tij, siç e kam cituar më lart, ka pasur dëshirë që ai të bëhej një klerik, ishte ndikimi i të atit që e bëri të zgjidhte misionin e tij të veçantë, atë kulturor. Gurgdhendësit, siç ishte i ati i Zef Valentinit, në Itali kishin një traditë që zinte fill që nga Rilindja, një traditë të të qenit njerëz të dashuruar pas artit (vetë puna e tyre ishte një art në fund të fundit), ata lexonin e qarkullonin libra mes tyre dhe qenë autodidaktë të zellshëm. Zefi i vogël e ka parë të atin si një misionar kulturor në rrethin e tij dhe kjo gjë ka ndikuar sigurisht në zgjedhjen e tij të mëvonshme. Një tjetër gjë e përbashkët shumë interesante e At Zef Valentinit dhe e Nënë Terezës është se të dy u frymëzuan dhe u mësuan nga jezuitët në fillimet e tyre. Në moshën 15 vjeçe, Anjeze Bojaxhiu dhe familja e saj ranë në kontakt me një jezuit, i cili ishte famullitari i lagjes së tyre në Shkup. Biografi i saj Navin Kaula shkruan, duke u bazuar në rrëfimet e saj:

Mbas orëve të mësimit Anjezja merrej me aktivitete të kishës. Në këto aktivitete familja u njoh me atin Xhambrenkoviç, i cili u bë famullitar më 1925. Ai ngriti një degë të një shoqate të quajtur Vëllazëria e Virgjëreshës së Bekuar Marie. Kjo do të kishte një ndikim të thellë tek Anjezja, sepse vite më pas ajo do të futej në të njëjtën Vëllazëri në manastirin Entalli në Kalkutë. Atje ata mësonin për jetën e shenjtorëve dhe të misionarëve, kurse nga At Xhambrenkoviq mësonin për jezuitët që kishin shkuar në një mision në provincën e Bengalit në Indi në vitin 1924. Tregimet për zellin e këtyre misionarëve të hershëm që u kallëzoheshin anëtarëve të Vëllazërisë, e prekën në zemër Anjezën. “Na bënin përshkrime shumë të bukura të përvojës së punës së tyre me njerëzit dhe sidomos me fëmijët në Indi”, kujton Nënë Tereza.

Shoqëria e Jezuit, pra Urdhri Jezuit nuk pranonte femra, e megjithatë duket se murgesha më e famshme e shekullit XX ishte produkt shpirtëror i tij! Nënë Tereza është provë se jezuitët, përkundër ndalimit që kanë për të pranuar femra në Shoqërinë e tyre, megjithatë bëjnë gjithçka munden për të frymëzuar dhe edukuar që në moshë të vogël ato femra të cilat i çmojnë se kanë aftësi të veçanta shpirtërore dhe intelektuale për t’iu përkushtuar rrugës klerikale dhe misionarisë. Nga ato që Nënë Tereza i rrëfen biografit të saj, dhe që i kam cituar më lart, del se ajo në adoleshencë ka pasur dëshirë për të qenë pjesë e Shoqërisë së Jezuit, pra e jezuitëve. Por, kjo dëshirë nuk mund të përmbushej për shkaqe natyrore. Sidoqoftë jezuitët vazhduan të kenë një ndikim vendimtar edhe më vonë tek ajo. Udhëheqësi i saj shpirtëror kur ajo gjendej në Indi prej mbi 20 vjetësh u bë një jezuit, At Celeste Van Eksem. Biografi i Nënë Terezës Navin Kaula e përshkruan kështu atë:

Atë Celeste Van Eksem kishte dalë në pension dhe banonte në kolegjin e famshëm të Shën-Ksavierit në Kalkutë. Mbi tetëdhjetë e ca vjeç, ai rrallë del nga shtëpia, ngaqë nuk ecën dot pa ndihmë. Ai erdhi në Kalkutë nga atdheu i tij Belgjika gjatë Luftës së Dytë Botërore, si një anëtar i Shoqatës së Jezusit. Më pas kishte shërbyer për disa vjet në Lindjen e Mesme dhe e fliste arabishten rrjedhshëm. Në Kalkutë ai kishte bërë shumë miq myslimanë. Gjatë luftës, kur po jepte një meshë në shkollën e Shën Marisë, në ndërtesën e përkohshme në Rrugën “Konvent”, takoi për herë të parë Nënë Terezën. Ishte

12 korriku i vitit 1944. Nuk do të kalonte shumë kohë që nga ajo ditë dhe ai do të caktohej si udhëheqësi i saj shpirtëror, dhe gjatë tërë kësaj periudhë të rëndësishme të jetës së saj ai do të ishte udhëheqësi dhe këshilltari i saj.

Kjo ishte pikërisht periudha kur Nënë Tereza do të krijonte urdhrin e saj fetar të murgeshave bamirëse. Ndonëse ajo nuk ka qenë jezuite, megjithatë jezuitët do të kishin të drejtë që të krenoheshin me të, nëse ata, ashtu të përmbajtur siç janë, nuk do ta quanin mëkat krenarinë.

Dikujt sot mund t’i duket si një gjë jo shumë e veçantë fakti që Zef Valentini dhe Anjeze (Gonxhe) Bojaxhiu, të cilët vinin nga familje të varfra e të mënjanuara në shoqëritë ku jetonin, zgjodhën rrugën e misionarisë fetare për të ndihmuar njerëzit pa dallim identiteti. Por, në shtresat shoqërore së cilave u përkisnin ata, shumë më shpesh ndodhte e kundërta, të rinjtë si ata bëheshin pre e rrymave radikale politike. Botën në të cilën lindën dhe u rritën Zefi dhe Anjeza e kishte parashikuar saktë Nietzche, të cilin intelektuali katolik britanik, me një të kaluar radikale të majtë, Paul Johnson, e këqyrte si profetin cinik të kësaj epoke:

Por, ai e shihte Zotin jo si shpikje por si viktimë, vdekja e të cilit do të ishte një ngjarje historike e me pasoja tragjike. Ai shkruante më 1886, “Ngjarja më e madhe e kohëve të fundit që “Zoti vdiq”, që besimi te Zoti i krishterë nuk është më i bazuar, po grumbullon re të zeza mbi Evropë. Te racat e përparuara, rënia dhe në fund zhdukja e faktorit fetar do të krijonte një boshllëk të madh. Historia e kohës moderne është kryesisht historia e mbushjes së këtij boshllëku. Niçe me të drejtë parashikoi se kandidati më i fuqishëm do të ishte ai që ai e quante “Dëshira për pushtet … Besimi fetar do të zëvendësohej me ideologjinë laike. Ata që kishin mbushur radhët e klerikëve totalitarë do të shndërroheshin në politikanë totalitarë. E mbi të gjitha dëshira për pushtet do të krijonte një mesiah të një lloji të ri, pa asnjë pengesë lidhjesh fetare e me një oreks të pangopur për nënshtrimin e njerëzimit.

Sa shumë të rinj evropianë, paraardhësit e të cilëve në shekuj të tjerë ishin frymëzuar nga feja, në këtë shekull të njëzetë u frymëzuan nga idetë radikale ateiste. Në atë kohë, edhe në shkollat fetare, si ato ku mësonin Zefi dhe Anjeze, studentët lexonin fshehur Nietzchen (Niçe), Marksin dhe teoricienë të tjerë radikalë. Ky libër nuk është hagiografi, prandaj guxojmë të themi se si Zef Valentini ashtu dhe Anjeze Bojaxhiu duhet ta kenë provuar joshjen e këtyre rrymave radikale politike. Fakti që ata u rezistuan këtyre joshjeve nuk ka të bëjë vetëm me formimin e tyre në familje, por mbi të gjitha me vokacionin e tyre.

Është sidoqoftë një mrekulli më vete ajo që Zefi dhe Anjeze i shpëtuan joshjes diabolike të ideve radikale ateiste, ndaj të cilave blatoheshin aq lehtë të rinjtë e shtresës së tyre, të dëshpëruar nga mungesat materiale në jetë. Një arsye shtesë që At Zef Valentini dhe Nënë Tereza folën gjithë jetën e tyre për rëndësinë e familjes së shëndoshë me vlera kristiane ishte përvoja e tyre personale. Nëse familjet e tyre nuk do të kishin qenë ato që ishin, asnjë prej të dyve nuk do të bëhej ai që u bë. Kjo është arsyeja se përse të dy deri në fund të jetës folën për rëndësinë e familjes në edukimin dhe formimin e shëndoshë të njeriut. Prandaj, ne guxojmë të themi se veprat e At Zef Valentinit, ashtu si dhe ato pak libra që janë botuar me poezitë dhe thëniet e Nënë Terezës, duhet të jenë pjesë e bibliotekës së familjeve shqiptare dhe të lexohen në mënyrë të përzgjedhur sipas nivelit të anëtarëve të familjes, se atje ka se ç’të lexojnë njerëzit e moshave të ndryshme dhe të shtresave të ndryshme. Publicistika, si dhe tekste të caktuara historike të At Zef Valentinit mund të shërbejnë fare mirë si tekste leximi jashtëshkollore edhe për nxënësit e klasave të larta të shkollave të mesme, për të mos folur për studentët.

Por, le të kthehemi përsëri në fëmijërinë e Zef Valentinit. Mjaftoi një vit që zelli me të cilin mësonte nxënësi i sapoardhur dhe zgjuarsia e tij e veçantë të binin në sy, jo vetëm të mësuesve me të cilët kishte të bënte drejtpërdrejt, por deri edhe të rektorit të Seminarit të Padovës, Don Gaetano Sartorit. Kështu që vitin e ardhshëm shkollor Zef Valentini u bë seminarist, domethënë nxënës i rregullt. Nuk ndodhte shpesh që një nxënës i jashtëm të bëhej seminarist në këtë mënyrë në një shkollë të njohur siç ishte seminari ipeshkvnor i Padovës. Por, pikërisht tani që gjërat duket se morën për mbarë për djalin e vogël nga periferitë e varfra të Padovës, ndodhi diçka që nxori në pah karakterin e Zef Valentinit. Ai i kishte “gënjyer” eprorët e tij në Seminarin Ipeshkvnor të Padovës. Seminaristi i ri rrezikonte largimin nga shkolla, të cilën e kishte dëshiruar aq shumë ai dhe familja e tij.