LAJMI I FUNDIT:

Ditët e fundit të fushatës, kandidatët për president ende pa debat në mes vete

Ditët e fundit të fushatës, kandidatët për president ende pa debat në mes vete

Fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut është futur në ditët e fundit. Kandidatët për president edhe sot kanë vazhduar aktivitetet e tyre dhe takimet me qytetarët, ndërsa ende nuk janë përballur të gjithë ndërmjet vete në debate publike.

Kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski, para banorëve të Butelit, numëroi gjërat që janë bërë gjatë mandatit të tij si president, duke theksuar se nevojitet mbështetja e qytetarëve për të vazhduar në rrugën evropiane.


“Me mbështetjen tuaj, që e kërkojmë edhe më 24 prill edhe më 8 maj, me mbështetje masovike nga qytetarët e Maqedonisë duam të vazhdojmë në rrugën drejt BE-së, sepse ajo është rruga e vetme e drejtë që nuk do të na kthejë mbrapa në baltën ballkanike dhe paqartësinë, ku për fat të keq ishim në 11 vitet e regjimit nga 2006-ta deri më 2017”, u shpreh Stevo Pendarovski.

Kandidatja e OBRM-PDUKM-së për president, Gordana Siljanovska, në kuadër të fushatës prezantoi programin para banorëve të Kriva Pallankës, ku u zotua se do të punojë vetëm për interesat shtetërore dhe kombëtare.

“Unë ju siguroj se, më mbani për fjale, se do ta bëj atë që është interes shtetëror dhe kombëtarë, se do të sillem në mënyrë evropiane jo me fjalë, por me vepra. Se edhe kur janë europianët në pyetje, me argumente do të kërkoj status të barabartë për këtë shtet të vogël”, tha Gordana Siljanovska.

Kandidati për president i koalicionit “Guximshëm për Maqedoninë”, Stevço Jakimovski, gjatë fushatës së tij theks të veçantë vendosi te pensionistët. Ai tha se në Maqedoni ka 330 mijë pensionistë dhe institucionet duhet të kujdesen për ta. Jakimovski nënvizoi se nevojiten të paktën 15 shtëpi të pensionistëve nëpër qytete.

“Është fakt se fëmijët po na migrojnë, të rinjtë po na ikin. Kjo nënkupton se shteti duhet të ndryshojë dhe duhet të ndërtojë institucione që do të kujdesen për këta pensionistë. Nëse fëmijët janë jashtë vendit, kush do të kujdeset për prindërit e tyre“, tha Stevçe Jakimovski.

Kandidati nga Fronti Europian, Bujar Osmani, sot vizitoi vendbanimet e Tetovës dhe malësisë së Sharrit, duke nisur nga Bozovca, Veshalla, Brodeci, Shipkovica, Liseci, Gajrja, ndërsa me banorët e këtyre fshatrave diskutuan për programin e tij si president dhe për udhëkryqin në të cilin gjendet vendi që korrespondon me peshën me rëndësi historike të kandidaturës së tij për president.

“Por, kjo kërkon mobilizim, prandaj nuk kam lënë vendbanim pa kaluar. Dhe porosia më e madhe që mund t’ua dërgojmë, është se, tash më jemi shtet i dy popujve, që garojnë në raund të dytë për president, një maqedonas, një shqiptar. Ky është mesazh historik. Prandaj ju kisha lut që të mobilizoheni, që ta bëjmë ta mundshme thyerjen e kësaj barriere, sepse krijohet eufori, e euforia është si ortek i borës që mbledh përpara. Prandaj ju bëjmë thirrje njerëzve, që të mundemi ta arrijmë këtë fitore historike, të kalojmë në raundin e dytë”, kërkoi mbështetjen e popullit Osmani.

Kandidatja e “Të Majtës” për presidente, Biljana Vankovska fushatën do ta vazhdojnë në Resnjë dhe Manastir. Gjatë ditës ajo ka reaguar ndaj nominimit të diplomatit grek Mihalis Rokas për ambasador të BE-së në Maqedoni.

“Tani BE-ja po i jep kamxhikun Greqisë, që është provokim I pastër dhe kërcënim. A e kuptojmë se jemi një shtet i robëruar në kuptimin e tekstual të fjalës?! Kur shumica e “partive të mëdha” dhe kundërshtarët e mi janë gati t’i puthin dorën dhe t’i lexojnë Traktatin e Lisbonës, unë mbetem zëri i vetëm i rezistencës. Prespa duhet të shfuqizohet!”, ka shkruar Vankovska.

Kandidatin për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari, fushatën e ka vazhduar në diasporë. Në një takim me qytetarët në Berlin, Taravari theksoi rëndësinë e diasporës në proceset politike të Maqedonisë së Veriut. Ai tha se asnjë proces politik nuk është realizuar pa pjesëmarrjen dhe përkrahjen e diasporës, duke sjellë shembuj si Universiteti i Tetovës dhe formimi i partive politike.

“Sensibilizimi i diasporës është kyç për ndryshime të suksesshme në Maqedoninë e Veriut. Në këtë mënyrë, ne mundësojmë kthimin e pjesës së diasporës për të jetuar në vendin tonë. Ju mund të komunikoni me njerëzit dhe të kërkoni përkrahjen e tyre për votën e 24 prillit, duke e cilësuar atë si çelësin për një fitore të madhe parlamentare më 8 maj”, tha Taravari.

“Me lidershipin aktual të LSDM-së, i cili ka bërë shumë gabime, nuk ka teori për koalicion. Me OBRM-PDUKM-në fillimisht duhet të pastrojnë veprat e mbetura korruptive nga pushteti i kaluar”, tha nga Velesi Maksim Dimitrievski, kandidati për president i “ZNAM”.

Ai i është përgjigjur edhe kandidates kundërshtare për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, se pa kuorumin e deputetëve të OBRM-PDUKM-së nuk do të kalonin ndryshimet në ligjin për përgjegjësi penale./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Lajme
Kalo në kategori