LAJMI I FUNDIT:

“Ditët e Albanologjisë”, në fokus identitetin shqiptar

“Ditët e Albanologjisë”, në fokus identitetin shqiptar

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX-të të Ditëve të Albanologjisë.

Fjalën e hapjes së veprimtarive e mbajti rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Marenglen Verli, i cili theksoi se edicioni i këtij viti shënon përmbylljen e një viti shumë të rëndësishëm siç ishte viti mbarëkombëtar i Skënderbeut.

Ndër të tjera, ky vit ka përkuar edhe me një sërë ngjarjesh të tjera të rëndësishme, si 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, 100-vjetori i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, etj.

Më 3 dhjetor zhvilloi punimet konferenca shkencore “Skënderbeu dhe epoka e tij”, ku referuan Aurel Plasari (“Referat: Mbi të sotmen dhe të ardhmen e studimeve skënderbegiane”), Elvana Metalla (“Kruja në periudhën e mesjetës, rivlerësim mbi të dhënat arkeologjike”), Skënder Muçaj dhe dr. Suela Xhyheri (“Kastriotët dhe fisnikët e tjerë shqiptarë në fushën e ndërtimeve mbrojtëse”), Afërdita Onuzi (“Veshjet shqiptare në shekujt XIV-XV (reflektim etnografik)”), Mikaela Minga (“Fan Noli, Skënderbeu dhe muzika”), Nebi Bardhoshi (“Etnografia për Skënderbeun: kozmologji antropologjike mbi figurën e heroit”), Valter Memisha (“Vështrime shkencore për figurën e Skënderbeut në faqet e revistës “Studime filologjike”) etj.

Ditën e dytë, më 4 dhjetor, zhvilloi punimet Konferenca “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri. Prezenca austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”. Kjo konferencë e cila erdhi si bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë (pranë ASA), Ambasadës Austriake në Tiranë dhe Muzeut Historik Kombëtar, kujton kontributin e misioneve austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare si dhe synon të japë një panoramë të përgjithshme të rrugëtimit të tyre shkencor.

Në fund të konferencës u hap ekspozita me titull “100 vjetori i prezencës austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”. Gjithashtu, gjatë ditës së dytë të veprimtarive Ditët e Albanologjisë u paraqitën 34 botime të reja shkencore të realizuara nga institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike gjatë vitit 2018.

Gjatë ditës së tretë, më 5 dhjetor, u hap në ambientet e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit ekspozita “Një etnografi për kohën e Skënderbeut”. Nëpërmjet kësaj ekspozite synohej të paraqitej kultura shqiptare në periudhën e Mesjetës. Objektet që u ekspozuan ishin: veshje, stoli, pajisje të mjedisit shtëpiak, armë të kohës së Skënderbeut etj. /atsh/