Diskutohet draft-opinioni i Komisionit të Venecias për Projektligjin mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës

Sot, në Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë është zhvilluar një takim online mes Ministrisë së Drejtësisë dhe përfaqësuesve të Komisionit të Venecias, me fokus në draft-opinionin e radhës për Projektligjin mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ministrinë e Drejtësisë e përfaqësoi zëvendësministri në detyrë, Vigan Qorrolli, i shoqëruar nga shefi i kabinetit dhe këshilltari i lartë, Genc Nimoni, drejtori i Departamentit Ligjor, Lulzim Beqiri, eksperti i jashtëm Rinor Hoxha, si dhe zyrtaret e larta Lirikë Kamberi dhe Venera Maksuti.
Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias u përfaqësua nga Taras Pashuk nga Sekretariati, Jorgen Steen Sorensen (Danimarkë), Hanna Suchocka – Presidente Nderi dhe eksperte, si dhe Janneke Gerards nga Holanda.
Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se zëvendësministri Qorrolli ka rikonfirmuar angazhimin e institucioneve për të çuar përpara reformën në sistemin prokurorial.
“Reforma synon forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të prokurorisë në Republikën e Kosovës, si shtylla të domosdoshme për sundimin e ligjit dhe për besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, theksohet në komunikatë.
Gjatë takimit u diskutuan detajisht aspektet kryesore të projektligjit – nga procesi i hartimit e miratimit, deri te sfidat dhe mundësitë e zbatimit të tij. Përfaqësuesit e MD-së kanë shprehur gatishmërinë për të marrë parasysh çdo rekomandim shtesë të Komisionit të Venecias, me qëllim që ligji të harmonizohet si me Kushtetutën e Kosovës, ashtu edhe me standardet ndërkombëtare.

















































