Diskutim diplomatik dhe darkë bamirësie, Elvana Shala ngre zërin për të drejtat e njeriut

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, ka organizuar një diskutim të nivelit të lartë diplomatik me rastin e Ditës së të Drejtave Themelore të Njeriut.
Gjatë këtij takimi, u theksua rëndësia e respektimit të të drejtave të njeriut dhe përfaqësimit të komuniteteve brenda institucioneve.
Shala u shpreh se diplomacia moderne duhet të jetë aktive edhe përballë dhimbjes sociale, duke nënvizuar se shoqëria ka përgjegjësi morale të sigurojë që askush të mos mbetet i padëgjuar.
Ajo u bëri thirrje partive politike që të mos abuzojnë me kategoritë e margjinalizuara, të cilat, siç tha ajo, “nuk janë vota e as mjete për t’u shfrytëzuar një herë në katër vjet”.
“Sot nuk jemi mbledhur për të diskutuar diplomacinë si mjet politik, por për të folur për të drejtat e njeriut. Diplomacia nuk duhet të mbetet vetëm një mekanizëm mbrojtës për të pambrojturit apo komunitetet jo-shumicë; ajo duhet të reagojë ndaj çdo forme të dhimbjes sociale. Kjo arrihet vetëm duke përfshirë të gjitha kategoritë. Është detyrimi ynë moral që asnjë qytetar të mos jetojë në hije. Vasfije Krasniqi dhe Ramadan Nishori janë dëshmi të gjalla të kësaj. Partitë politike, që nesër nisin garën për pushtet, duhet ta kuptojnë se kategoritë e margjinalizuara nuk janë numra për statistika apo mjete për fushatë. I bëj thirrje të ndalin menjëherë përdorimin e dhimbjes sociale për përfitime elektorale dhe të kalojnë nga fjalët në veprime. Diplomacia e së ardhmes duhet të jetë më njerëzore dhe më e orientuar drejt ndikimit”, u shpreh Shala.
Mbrëmja u përmbyll me darkën e bamirësisë, ku u ekspozuan punime të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe krijime artistike të personave me nevoja të veçanta dhe komuniteteve jo-shumicë.
Të pranishmit patën mundësi t’i blejnë këto vepra për të mbështetur drejtpërdrejt këto kategori. /Telegrafi/


















































