LAJMI I FUNDIT:

Disa nga ish-kandidatët e përzgjedhur padisin Ministrinë e Drejtësisë për anulimin e konkursit të noterëve

Disa nga ish-kandidatët e përzgjedhur padisin Ministrinë e Drejtësisë për anulimin e konkursit të noterëve

Pas anulimit të procesit të noterëve, një pjesë e kandidatëve që ishin përzgjedhur, kanë ushtruar padi ndaj Ministrisë së Drejtësisë.

Duke pretenduar se vendimi për anulimin e këtij procesi ishte i jashtëligjshëm, disa prej këtyre kandidatëve i janë drejtuar me padi Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Kur ka kaluar më shumë se dy javë prejse ministrja Albulena Haxhiu, kishte marr vendim për anulimin e provimit të noterisë, ka shkuar në pesë numri i padive kundër dikasterit që ajo udhëheq.

Ministrja Haxhiu, këtë provim e kishte anuluar me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar, nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

Por, me këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, nuk po pajtohen kandidatët të cilët kanë kaluar provimin e noterisë, e të cilët po kërkojnë që ky vendim të anulohet.

Në mesin e atyre që kanë ushtruar padi është edhe Ylli Bokshi.

Përmes padisë së ushtruar më 3 mars 2020, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, paditësi Bokshi, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë anulimin e vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin atij i është pamundësuar të zgjidhet noter.

Në padi thuhet se vendimi i atakuar përmban shkelje të rënda të dispozitave ligjore.

“Aktvendimi i atakuar është kundërligjor, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet ndër të tjera në padinë e Bokshit.

Mbi pretendimin se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë parti politike, se nuk ka asnjë familjar pjesë të ndonjë partie politike dhe se nuk ka asnjë lidhje familjare apo shoqërore me anëtaret e komisionit, Bokshi po kërkon nga kjo gjykatë që ky vendim i Ministrisë të anulohet si i kundërligjshëm.

Paditësi, krahas padisë, ka paraqitur edhe kërkesën për masën e sigurisë, ashtu që deri në vendosjen e këtij konflikti administrativ të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.

Padi kundër vendimit të Ministrisë, më 4 mars 2020, ka paraqitur edhe paditësi Kreshnik Këndusi, i cili ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë të anulojë vendimin me të cilin Ministria e Drejtësisë kishte anuluar provimin e noterisë, duke iu pamundësuar atij përzgjedhja si noter.

Këndusi, përmes padisë, po e konteston ligjshmërinë e vendimit të Ministrisë, duke kërkuar që i njëjti të anulohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paditësi pretendon se arsyetimi i vendimit sa i përket lidhjeve familjare apo partiake nuk ka fare të bëj me të.

“Aktvendimi i atakuar është kundërligjorë, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet ndër të tjera në padinë e Kënduesit.

Gjithashtu, edhe ai ka paraqitur kërkesën për masën e sigurisë, ashtu që deri në vendosjen e këtij konflikti administrativ të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.

Përveç, kandidatëve që ishin përzgjedhur, edhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kishte reaguar kundër një vendimit të tillë të pasardhëses së tij në këtë dikaster qeveritar, Albulena Haxhiu.

Edhe Tahiri, ndër të tjera kishte paralajmëruar veprime ligjore kundër në vendimi të tillë.

“Shihemi në gjykatë”, e kishte përfunduar reagimin e tij ish-ministri Tahiri.

Ndryshe, sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, të marr më 24 shkurt të këtij viti, është anuluar procesi i Provimit për Noterinë, të shpallur në prill të vitit 2019. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjatë procesit të dhënies së këtij provimi, janë shkelur parimet e parapara me Udhëzimin Administrativ MD-NR.01/2019. Sipas vendimit, ky udhëzim parasheh që procesi të zhvillohet duke u bazuar në parimin e ligjshmërisë, transparencë dhe objektivitetit.

Në vendim thuhet se është shkelur parimi i ligjshmërisë, pasi që fillimisht provimit për noterë nuk iu janë nënshtruar të gjithë kandidatët në të njëjtën kohë, duke bërë që provimi të zgjas më shumë se një ditë.

Po ashtu, në vendim thuhet se ky proces ka prodhuar kandidatë të “suksesshëm” me numër shqetësues me lidhje familjare, miqësore e partiake.

“Ky proces ka prodhuar kandidatë të “suksesshëm” në numër shqetësues me lidhje familjare, miqësore dhe partiake, të cilët kanë mundur të ushtrojnë profesionin e noterit në dëm të interesit të përgjithshëm publik, dhe në dëm të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Pak ditë pasi kishte marr detyrën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një konference për media, më 20 shkurt kishte njoftuar se e ka anuluar provimin e noterisë.

Ajo kishte thënë se ky proces nuk ka pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

“Ky proces i konkursit kërkon ligjshmëri, transparencë dhe objektivitet. Nuk ka pasur, as ligjshmëri, as transparencë dhe as objektivitet. Në këtë mënyrë unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara këtë proces dhe shumica e kandidatëve janë militantë partiak apo familjarë”, kishte thënë ajo gjatë kësaj konference.

Ajo kishte thënë se ka pas deklarata edhe të ambasadorëve, se noterët e rinj nuk mund të njihen jashtë Kosovës.

“Kemi pas deklarata edhe të miqve, si ajo e ambasadorit gjerman që kanë paralajmëruar se nuk mund të njihen jashtë Kosovës. Ka pasur edhe kërkesa të OJQ-ve që të kthehet në pikën zero, që është duke u hetuar edhe nga prokuroria. Të gjitha pagesat që janë paguar nga kandidatët që i janë nënshtruar këtij provimi do të kthehen. Ky vendim sot është sinjal i qartë se proceset e tilla, asnjëherë nuk do të përsëriten. Konkursi për provimin e noterisë do të shpallët së shpejti, nuk do të vonoj”, kishte deklaruar ministrja Haxhiu.

Kundër këtij provimi, gjatë vitit 2019, kishte pasur reagime të shumta, duke e cilësuar atë si të komprometuar. Në gusht të vitit të kaluar, gjashtë organizata të shoqërisë civile, kishin reaguar kundër vazhdimit të procesit për zgjedhjen e noterëve, sipas konkursit publik të shpallur nga Ministria e Drejtësisë (MD).Sipas OJQ-ve, procesi në fjalë nuk mund të shtyhet përpara, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe komprometimit të këtij procesi në publik, duke shtuar se është i papranueshëm vazhdimi i këtij procesi.

Përmes këtij reagimi, këto OJQ kishin kërkuar nga Ministria e Drejtësisë rishikimin e vendimit për konkursin publik të noterëve, duke kthyer atë në pikën zero për ta vazhduar tutje një qeveri, e cila ka legjitimitet. /Betimipërdrejtësi/