Dinamo Zagrebi transferon zyrtarisht yllin e Milanit

Mesfushori i Milanit, Ismael Bennacer, i është bashkuar zyrtarisht Dinamo Zagreb në formë huazimi me të drejtë blerjeje.
Skuadra kroate Dinamo Zagreb ka konfirmuar transferimin në huazim të Bennacer nga Milani në rrjetet e tyre sociale.
“Jemi të kënaqur të njoftojmë se reprezentuesi algjerian dhe mesfushori i Milanit, Ismael Bennacer, do t’i bashkohet GNK Dinamos”.
“Dinamo dhe Milani kanë arritur një marrëveshje për një huazim njëvjeçar me mundësi blerjeje. Bennacer po mbërrin në Zagreb, ku do t'i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore përpara se të nënshkruajë zyrtarisht kontratën e tij.”
“Bennacer është një mesfushor i afirmuar me përvojë të gjerë në një nga ligat më të forta në botë. Duke veshur fanellën e Milanit, ai bëri 137 paraqitje në Serie A dhe në garat evropiane, dhe në fund të Kupës së Kombeve të Afrikës 2019, ai u emërua lojtari më i mirë i turneut përpara se të bënte transferimin nga Empoli në Milan”.
“Me Milanin, ai fitoi titullin e Serie A në sezonin 2021-22 dhe arriti në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve pasi goli i tij vendimtar i ndihmoi kuqezinjtë të eliminonin Napolin në çerekfinale”.
“Gjatë periudhës së tij të huazimit te Marseja, ai luajti gjysmë sezoni dhe ishte një nga lojtarët më të spikatur në ligën franceze”.
“Ardhja e tij përfaqëson një përforcim të madh për klubin tonë dhe një hap të rëndësishëm në forcimin e ekipit për sfidat që na presin. Mirë se erdhe Ismael”, shkruan në faqen zyrtare të Dinamos. /Telegrafi/





















































