Dinamo ka siguruar kualifikimin në turin e tretë të Ligës së Konferencës, pavarësisht barazimit 1-1 ndaj Atletik Escaldes në stadiumin “Elbasan Arena”.

Pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë në Andorrë, blutë administruan rezultatin në sfidën e kthimit. Zabërgja shënoi golin e epërsisë për Dinamon në minutën e 17-të, duke mbyllur pjesën e parë me avantazh.

Megjithatë, në fillimin e pjesës së dytë skuadra shqiptare u përball me vështirësi: Atletik barazoi në minutën e 49-të, dhe vetëm tre minuta më vonë Dinamo mbeti me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Karambës.

Balanca numerike u rikthye në minutën e 77-të, kur edhe skuadra andorrane mbeti me një lojtar më pak. Dinamo e administroi me sukses pjesën e mbetur të lojës dhe siguroi kualifikimin në raundin tjetër me rezultatin e përgjithshëm 3-2.


Egnatia bën histori në Evropë, kalon për herë të parë një tur

Egnatia ka realizuar një arritje historike, duke kaluar për herë të parë një tur në Kupat e Europës. Skuadra nga Rrogozhina, e drejtuar nga Edlir Tetova, eliminoi Dinamo Minsk me rezultatin e përgjithshëm 3-0 dhe u kualifikua në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.

Në përballjen e dytë të zhvilluar në Shqipëri, kampionët e Superiores triumfuan me rezultatin 1-0, falë një goli të Selmanit. Fitorja erdhi pas suksesit 2-0 në sfidën e parë të luajtur në Bjellorusi.

Ky kualifikim shënon një kapitull të ri për klubin nga Rrogozhina, që për herë të parë avancon në nivelet ndërkombëtare.


Vllaznia eliminohet nga Liga e Konferencës pas kohëve shtesë

Vllaznia është eliminuar nga Liga e Konferencës pas një ndeshjeje dramatike ndaj Vikingur. Shkodranët u mposhtën 4-2 pas kohëve shtesë në takimin e kthimit të turit të dytë, duke i dhënë fund aventurës evropiane për këtë sezon.

Pas një barazimi në rezultatin e përgjithshëm në kohën e rregullt, ndeshja shkoi në shtesë ku skuadra islandeze shënoi dy herë, duke vulosur fatin e kualifikimit.

telegrafi sport app