Dinamo dhe Egnatia në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë

Finalja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2024/25 do të luhet mes Dinamo City dhe Egnatias, dy skuadra që siguruan kualifikimin pas gjysmëfinaleve dramatike dhe plot emocione.
Dinamo triumfoi në gjysmëfinalen e kthimit përballë Vllaznisë, në një përballje që dhuroi spektakël të vërtetë në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë, dinamovitët dominuan sfidën e sotme, duke shënuar katër gola pa përgjigje falë dygolëshit të Baton Zabërgjës dhe Itodo Mandelës.
Megjithatë, Vllaznia reagoi në minutat e fundit, duke ngushtuar rezultatin në 4:3, me golat e Grudës, Balajt dhe Kahrimanoviqit, por pa arritur të përmbysë fatin e ndeshjes.
Me këtë fitore, Dinamo kualifikohet për herë të parë pas shumë vitesh në një finale të Kupës së Shqipërisë.
Në krahun tjetër, Egnatia vazhdoi formën mbresëlënëse, duke eliminuar Partizanin me rezultat të përgjithshëm 2-1. Kryeqytetasit kishin fituar takimin e parë me rezultatin minimal 1-0, por rrogozhinasit përmbysën gjithçka në sfidën e kthimit, duke fituar me 2-0 dhe duke siguruar finalen për të tretin vit radhazi.
Tashmë, finalja pritet të jetë një duel interesant mes traditës së Dinamos dhe ambicies së Egnatias, e cila kërkon të kurorëzojë një tjetër sezon të suksesshëm.
Spektakli është i garantuar në këtë përballje që do të përcaktojë fituesin e trofeut të dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar. /Telegrafi/



















































