Një analizë e thellë e mekanizmave psikologjikë që e bëjnë të vështirë shkëputjen nga lidhjet e dëmshme

A keni ndjesinë se vazhdimisht bëni të njëjtat gabime dhe përfundoni në marrëdhënie toksike? I premtoni vetes se nuk do të injoroni më “shenjat e kuqe”, se nuk do të pranoni më pak nga sa meritoni, se nuk do të hyni më në lidhje që s’ju sjellin asgjë të mirë. Megjithatë, sa herë që njihni dikë të ri, duket sikur rrotulloheni në të njëjtin rreth.


A mund të jetë dikush i “dënuar” me lidhje toksike? A jeni vërtet të destinuar për marrëdhënie të tilla? Apo burimi është te ju?

E vërteta e pakëndshme

Ndonjëherë, në mënyrë të pavetëdijshme, ju tërheqin marrëdhëniet e dëmshme. Kurthet psikologjike i përjetoni si siguri, ndërsa shenjat e kuqe ju duken si të gjelbra. Por ky model mund të ndërpritet dhe është plotësisht e mundur të zgjidhni me vetëdije lidhje më të shëndetshme. Mjafton një vendim.

Çfarë e bën dikë partner toksik dhe pse lidhjet me ta janë gjithmonë të tilla?

Është e rëndësishme të kuptoni çfarë është vërtet një lidhje toksike. Sot pothuajse secili prej nesh e quan “toksik” ose “narcisist” ish-partnerin, por jo çdo partner i vështirë apo i papërshtatshëm meriton këtë etiketim. Çdo marrëdhënie ka uljet, ngritjet dhe vështirësitë e veta.

Toksiciteti i vërtetë shfaqet në modelin e sjelljeve të vazhdueshme që ju zvogëlojnë, ju shpërfillin dhe ju shtyjnë mënjanë. Psikologët theksojnë më të rëndësishmet:

Mungesë respekti

  • Sa herë shprehni ndjenja ose mendim të ndryshëm, ata e hedhin poshtë. Emocionet dhe mendimet tuaja vlejnë më pak se të tyret.
  • Pjekuri e ulët emocionale

Shikojnë se jeni e mërzitur, por rëndësi kanë vetëm ndjenjat, dëshirat dhe “të drejtën” e tyre.

  • Egoizëm

Nuk ka reciprocitet. Ju jepni, ata marrin. Nuk u intereson përvoja juaj e brendshme - vetëm versioni i tyre i marrëdhënies.

  • Fajësim i vazhdueshëm

“Ti më detyrove! Ti je fajtore që u nervozova! Problemi je ti, jo unë!” Manipulojnë perceptimin tuaj për t’ju kontrolluar dhe për të justifikuar sjelljen e tyre.

  • Mungesë përgjegjësie

Asnjëherë nuk është faji i tyre - gjithmonë i juaji. Kërkojnë mirëkuptim të pafund, por rrallë marrin parasysh anën tuaj.

  • Probleme me besimin

Nuk ju besojnë, edhe pse s’u keni dhënë asnjë arsye. Dhe nuk dinë të falin asgjë - mbahen pas lëndimeve të vjetra.

  • Mungesë mbështetjeje

Kur ndani problemet, nuk ndjeni asnjë mbështetje të vërtetë. Larg ndihmës, ju ndiheni të nënvlerësuar, të keqkuptuar dhe të vetmuar.

  • Komunikim toksik

Plot me supozime, lexime mendjesh, mbrojtje, kritika dhe konflikte të padrejta. Problemet fshihen “nën qilim” dhe ju filloni të ecni mbi vezë për të shmangur debatet.

  • Vetëvlerësim i ulët

Me kalimin e kohës, kufijtë zbehen dhe vlera personale bie. Filloni të dyshoni te vetja dhe te vendimet tuaja, transmeton Telegrafi.

Pse hutoheni dhe pse vuan intuita juaj

Konfuzioni vjen nga momentet e bukura që ende ekzistojnë. Prandaj edhe qëndroni. Kujtoni kohët kur gjithçka dukej perfekte. Kujtoni se sa shumë ju ka rënduar ajo marrëdhënie.

Por pranimi i një lidhjeje që ju shkakton dhimbje ju largon nga intuita juaj. Shkëputja nga vetja e bën të vështirë të shihni vlerën tuaj dhe të largoheni nga një situatë e dëmshme.

Si ndikon trauma e kaluar në zgjedhjen e partnerëve

Ja një shembull nga praktika e një psikoterapeuti:

“Vite me radhë më tërhiqnin djem emocionalisht të padisponueshëm dhe misteriozë. Pavarësisht sa të ndryshëm ishin, dinamika ishte e njëjtë: intensivë, të paqëndrueshëm, të paparashikueshëm, të pushtuar nga emocionet e tyre dhe të paaftë të përgjigjeshin ndaj nevojave të mia. Kështu u krijua një model disfunksional që përsëritej vazhdimisht.
Sot e kuptoj se gjithçka vinte nga koncepti i Freud-it për ‘kompulsionin e përsëritjes’ - nxitja e pavetëdijshme për të përsëritur modele të vjetra në përpjekje për të shëruar traumën, edhe kur kjo na shkakton më shumë dhimbje.
Pa e vënë re, ndiqja versione të të njëjtit baba emocionalisht të largët, që nuk dinte të ishte partner i nënës sime. Unë i idealizoja partnerët, duke besuar se ishin më empatikë sesa ishin në të vërtetë. Ndërsa ata mendonin vetëm për veten, unë zvogëloheshim, deri sa nuk kisha më asnjë nevojë, ashtu si nëna ime. Trauma më shndërroi në një person hiper-i pavarur dhe më mbërtheu në një rreth zhgënjimesh”- A.N., 46 vjeç.

Si t’i identifikoni tiparet e përbashkëta të partnerëve tuaj të mëparshëm

Filloni të analizoni modelet në historinë tuaj të marrëdhënieve. Bëni pyetje si:

  • Çfarë tipa njerëzish zgjedh zakonisht?
  • A ju kufizon imazhi i “tipit ideal”?
  • A tërheqin empatia, butësia ose durimi juaj partnerë toksikë?
  • Si përfundojnë zakonisht këto lidhje?
  • A ka një faktor të përbashkët në ndarje?
  • Çfarë ju tregon sjellja e partnerëve për ju?
  • Si lidhet kjo me përvojat e fëmijërisë?
  • Çfarë keni toleruar që nuk duhej?
  • A kërkoni dashuri nga i njëjti “lloj” njerëzish?

Pastaj mendoni për tiparet:

  • Çfarë kishin të përbashkëta?
  • Çfarë mungonte vazhdimisht (si empatia, qetësia, stabiliteti)?
  • Pse qëndruat edhe kur mungonin vlerat kryesore?
  • A jeni ndier “shumë” vetëm pse kërkuat respekt ose siguri?
  • A keni sakrifikuar veten duke shpresuar se partneri do të ndryshojë?

Ndërgjegjësimi për këto modele është hapi i parë për të mos i përsëritur.

Strategjitë për ndërprerjen e modeleve të dëmshme

  • Besoni intuitës suaj

Në fillim të një lidhjeje toksike, zakonisht vjen mendimi: Diçka nuk është në rregull…”
Mos e injoroni këtë zë.

  • Takoni njerëz që s’janë “tipi juaj”

Zgjerojeni gamën: përtej gjatësisë, moshës, pamjes apo “kiminë së menjëhershme”. Jepni shans njerëzve që tregojnë:

  • mirësi
  • stabilitet
  • zbatim të fjalës
  • maturi emocionale
  • Ruani perspektivën dhe kufijtë

Mbani shënime gjatë njohjes, vëzhgoni modelet.
Flisni me njerëz të afërt, shpesh nga jashtë duket shumë më qartë.

/Telegrafi/