LAJMI I FUNDIT:

Dhimbjet në qafë dhe në shpinë – shkaqet, trajtimi, parandalimi

Dhimbjet në qafë dhe në shpinë – shkaqet, trajtimi, parandalimi

Dr. Nexhmedin Duriqi
Ortoped spinal
tel. +38344 233485
email: dr.duriqi@gmail.com, nex68@yahoo.com

Dhimbjet në qafë dhe në shpinë janë të gjitha ato dhembje që vijnë si pasojë e ndryshimeve funkcionale në muskuj, ngjitjet e muskujve në skajet e unazave, ndryshimet në disqet ndërunazore apo ato degjenerative të unazave të shtyllës kurrizore, duke prekur apo dëmtuar edhe nervat e atij regjioni.


Statistikat tregojnë se 90 për qind e njerëzve në botë kanë përjetuar dhimbje shpine në një moment të jetës së tyre.

Problemi me shpinën dhe shtyllën kurrizore i prek të gjithë njëlloj, si të rinjtë dhe të moshuarit, njerëzit e të gjitha profesioneve. Prandaj është shumë e rëndësishme që të zgjidhet në kohë dhe të mos lejohet përkeqësimi i mëtejshëm apo shkaktimi i mundshëm i dhimbjeve.

Profesionet që më së shpeshti janë të atakuar nga dhimbjet e qafës dhe të shpinës në përgjithësi janë:

Punëtorët e punëve të rënda fizike- bartja e një ngarkese të madhe, stomatologët, kirurgët, floktarët, punëtorët e zyrave (profesionet e lidhura me kompjuterin), muzikantët (pozicion i detyruar i trupit), shoferët profesionistë (ulje e tensionuar), amvisat, etj.

Dhimbja e shpinës ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës. Në rastin e dhimbjeve kronike dhe të përhershme, zhvillohet ankthi, depresioni dhe ndryshime tjera psikosomatike në karakterin e një personi.

Dhimbja e qafës dhe shpinës (dorsalgjia) mund të jetë akute ose kronike.

Dhimbja akute është shpesh e menjëhershme dhe nuk zgjat më shumë se disa ditë ose javë. Kryesisht shfaqet si pasojë e dëmtimit mekanik (shtrirje, ndjesi shpimi gjilpërash, rënie) ose artriti. Kjo dhimbje më së shpeshti përshkruhet si therëse, ose e lehtë dhe e moderuar. Lëvizshmëria zakonisht është e kufizuar dhe ngritja vetë shpesh parandalohet.

Dhimbja kronike e shpinës zgjat një kohë të gjatë (më shumë se tre muaj) dhe shfaqet gradualisht. Shkaqet janë të shumta dhe të ndryshme, të vështira për t’u përcaktuar, ndaj mendimi dhe vlerësimi i ekspertit është i nevojshëm. Kjo lloj dhimbjeje prek më së shumti jetën e përditshme dhe shpesh dëgjohet se njerëzit kanë “mësuar të jetojnë me të”.

Në varësi të vendit të shfaqjes së dhimbjes, dorsalgjia mund të ndahet në:

▪ Dhimbje në pjesën e sipërme të shpinës
▪ Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës
▪ Dhimbje në mes të shpinës
▪ Dhimbje shpine në anën e djathtë
▪ Dhimbje shpine në anën e majtë

Dhimbjet e pjesës së sipërme – qafës

Dhimbjet në qafë zakonisht paraqiten si dhimbja e kufizuar dhe ndonjëherë ajo përhapet në pjesë të tjera të trupit, mund të përhapet tek poshtë apo më së shpeshti në krah ose në duar si dhe dhimbje në mes të dy shpatullave. Zakonisht këto dhembje janë shumë të zakonshme me kufizim të lëvizjes së qafës, ndjenjë shpimi gjilpërash, djegieje dhe dobësie në duar, marramendje, nganjëherë ethe, pagjumësi e më vonë edhe depresion. Është e rëndësishme të kontaktoni një mjek, i cili do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar dhimbjen dhe shkakun e problemit. Lajmi i mirë është se secila nga këto dhimbje në pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore, me përkushtim dhe respekt për terapinë e dhënë, mund të eliminohet brenda pak javësh.

Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës

Ky lloj shqetësimi ndihet në pjesën e poshtme të shpinës ose në regjonin e mesit. Mund të jenë të lokalizuara vetëm në fund të shpinës, por mund të përcillen në kofshë, njërën apo në të dy këmbët e shpesh edhe me probleme me urinim. Më shpesh ndodhin gjatë një ngritjeje të papritur të një peshe më të rëndë, shtrirjes së tepërt të muskujve, apo ndonjë lëvizje të pakontrolluar të trupit.

Dhimbjet e pakëndshme në qafë dhe pjesën e poshtme të shpinës mund të manifestohen edhe si pasojë e sëmundjeve të tjera (artrit, infeksione virale) ose për shkak të deformimeve të shtyllës kurrizore – Kifozat dhe Skoliozat.

Dhimbja e shpinës tek rrëshqitja e unazave - Spondilolisteza
Lexo po ashtu Dhimbja e shpinës tek rrëshqitja e unazave - Spondilolisteza

Shkaqet më të shpeshta të dhimbjeve në qafë dhe shpinë

Shkaqet më të zakonshme të dorsalgjisë janë qëndrimi i dobët dhe deformimet e shtyllës kurrizore. Shkaku i dytë më i zakonshëm (fiziologjik) janë ndryshimet degjenerative në shtyllën kurrizore dhe veçanërisht në diskun, hernite diskale, pastaj ngushtimet e kanalit spinal – stenozat, tumoret, sindroma piriformis, infeksionet, tumori i shtyllës kurrizore, fibromialgjia, spondiliti ankilozant, koksidinia, gjendjet pas lëndimeve, pas aksidenteve në komunikacion apo në punë.
Çdo person pas moshës 40 vjeçare ka ndryshime në disqet ndërvertebrale, por jo domosdoshmërisht ato të jenë të dhimbshme apo problematike.

Pasojat e sëmundjes

Ndonjëherë dhimbja mund të shfaqet si një efekt anësor i një sëmundeje që në shikim të parë, ka pak të bëjë me shtyllën kurrizore. Gjithashtu, shkaku i kësaj dhimbje mund të jenë disa, mund të thuhet, situata të padëmshme. Kështu, dhimbja dhe ngurtësimi i qafës mund të shfaqen kur lani dhëmbët pas lavamanit, kur hekurosni rrobat, lani enët ose kur frenoni makinën papritur. Shumë shpesh shfaqen dhimbje rrezatuese kur teshtitni ose kolliteni. Dhimbje të tilla mund të jenë edhe pasojë e sëmundjeve më të rënda.

Stresi

Shpesh i nënvlerësuar, por aspak shkaku i padëmshëm i dorsalgjisë është stresi i përditshëm. Tensioni i vazhdueshëm dhe jeta nën stres ndikojnë negativisht në qëndrimin dhe muskujt, prandaj ndodh dhimbja. Obeziteti shkon paralelisht me stresin dhe gjithashtu ka pasoja të paparashikueshme për shtyllën kurrizore.

Pirja e duhanit

Edhe pse do të thuhej se nuk ka shumë lidhje me shpinën, duhanpirja ndikon edhe në shfaqjen dhe zhvillimin e dhimbjeve të shpinës. Pirja e duhanit zvogëlon rrjedhën e oksigjenit në trup dhe e bën më të vështirë që gjaku të arrijë në disk. Në këtë mënyrë përshpejtohen ndryshimet degjenerative. Pirja e duhanit përshpejton plakjen e të gjithë organizmit, duke përfshirë shtyllën kurrizore dhe disqet.

Mosha e vjetër sjell në mënyrë të pashmangshme dhimbje në dhe rreth shtyllës kurrizore ndryshimet osteoporotike ne unaza apo edhe semundjet e tjera degjenerative. Megjithatë, është e mundur të eliminohen shkaqet që kontribuojnë në zhvillimin më të shpejtë të ndryshimeve degjenerative, si dhe të lehtësohen dhimbjet në pleqëri. Ekzaminimet në kohë, si dhe zakonet e shëndetëshme të jetesës, mund ta parandalojnë këtë problem.

Trajtimi dhe terapitë në dhembjen e qafës dhe të mesit

Trajtimi i dhimbjes së shpinës përfshinë lehtësimin e problemit në nivel lokal ose eliminimin e shkakut. Trajtimi mund të kryhet në mënyrat e mëposhtme:

▪ Terapia mjekësore,
▪ Aplikimi i ushtrimeve dhe metodave që nuk përfshijnë barna,
▪ Ndërhyrje kirurgjike – operacione

Terapia me barna

Më shpesh i referohet analgjetikëve (paracetamol, barna antireumatike). Kjo lloj terapie mund të ketë efekte të menjëhershme, por zakonisht nuk është e kënaqshme. Përveç analgjezikëve, përdoren edhe kortikosteroide të injektuara në muskul apo edhe në rrënjët e nervave spinal. Kur bëhet fjalë për terapinë me ilaçe, reagimet më pozitive janë raportuar në të ashtuquajturat relaksues të muskujve. Ky grup barnash ka një efekt relaksues në muskuj, gjë që redukton presionin mbi nervat.

Terapia me ilaçe atribuohet rrallë dhe është më e zakonshme në dhimbjet akute të shpinës dhe shtyllës kurrizore.

Dhimbjet kronike kërkojnë qasje afatgjatë, edukim të pacientit, përfshirje dhe mbështetje nga familja dhe mjedisi.

Terapia fizikale

Kinezioterapia përfshin:

Metoda Schroth (metoda më efektive në eliminimin e problemeve të shkaktuara nga skolioza)
Metoda PNF (Qasje e individualizuar për zgjidhjen e problemeve, me theks në të gjithë organizmin dhe trupin, jo vetëm në nivel lokal)
Teknika Maligan (Teknikë shumë efektive dhe e shpejtë për lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve),
Dorezë laser (teknikë efikase, e shpejtë dhe jo invazive)
Tecar (Terapia e synuar me radiofrekuencë e kombinuar me masazh të indeve të buta. Kjo është forma më e fundit e termoterapisë)
Traxioni, tërheqja vertebrale (metodë pa dhimbje dhe jo invazive që është më efektive në rastet e hernies së diskut, daljes së diskut, dëmtimit degjenerativ, uljes së lëvizshmërisë, dhimbjes së kyçeve etj.)
Terapia me valë radiale (Eliminimi i dhimbjeve të kockave dhe muskujve; shumë efektive pas vetëm disa trajtimesh, që zgjat vetëm disa minuta)

Trajtimi kirurgjik zbatohet vetëm në situatat kur të gjitha metodat e tjera të trajtimit rezultojnë të pasuksesshme. Operacioni është i nevojshëm për ata që kanë privim, nuk ndjejnë ekstremitetet dhe në rastet e urinimit të pavullnetshëm dhe pamundësisë për të kontrolluar jashtëqitjen. Urgjencat dhe frakturat e rënda janë gjithashtu indikacione për kirurgji.

Parandalimi i dhimbjes së qafes dhe shpinës

Ashtu sikur me sëmundjet dhe problemet e tjera shëndetësore, në rastin e dhimbjes së shpinës, parandalimi është më i rëndësishmi. I referohet shtretërve, jastëkëve, karrigeve dhe mobiljeve të tjera të përshtatshme. Këpucët e rehatshme janë shumë të rëndësishme, me disa centimetra pjerrësi. Gjithmonë rekomandohet lënia e duhanit dhe aktiviteti fizik i moderuar, sidomos në këtë rast. Noti dhe ecja e shpejtë japin efektin më të madh. Gjithashtu, duhet të kujdeseni për peshën tuaj dhe të hani në mënyrë të moderuar dhe të shëndetshme.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori