LAJMI I FUNDIT:

“Dhe më në fund” nga Henry Marsh: Mësime jete prej një kirurgu

“Dhe më në fund” nga Henry Marsh: Mësime jete prej një kirurgu

Nga: Sue Nelson / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Neurokirurgu i pensionuar, Henry Marsh, nuk dëshiron të vdesë. Por, tekefundit – siç thekson me të drejtë – kush e dëshiron këtë?


Marsh ka kancer të prostatës dhe, pas një karriere të gjatë në përpjekjen për të parandaluar vdekjet e njerëzve tjerë, ai reflekton te vepra “Dhe, më në fund” – vazhdimësi kjo e kujtimeve “Mos bëjë dëme” (2014) dhe “Pranimet” (2017) – për atë që ka më shumë rëndësi në jetë, duke e pasur të qartë atë që të imponohet prej sëmundjes vdekjeprurëse.

Si student i mjekësisë, Marshi kujton se kishte kaluar nëpër një periudhë të shkurtër të frikës se kishte të gjitha llojet e sëmundjeve vdekjeprurëse, derisa nuk vendosi, pa dyshim nga instinkti i vetëmbrojtjes, se vetëm pacientët – jo mjekët – kanë sëmundje.

Nëse dikur spitalet i jepnin status, tani ato ia bëjnë me dije se është një prej pacientëve të “klasës së ultë”.

Kuptohet se diagnoza e kancerit Marshit i erdhi si befasi. E qorton veten se pse mjekun nuk e kishte vizituar më herët, pavarësisht shenjave të dukshme paralajmëruese. Megjithatë, Marshi thjesht e bëri atë që shumë prej nesh e dinë thellë në vetvete – se diçka nuk po shkon si duhet: i injoroi simptomat.

Nuk ishte e lehtë rruga prej operimit të pacientëve për t’u bërë njëri nga ta. Duke e pranuar si të kotë “bindjen personale për kirurgun e rëndësishëm”, Marshi është kritiku i më i ashpër i këttij, duke e hedhur poshtë veten më të ri si një person impulsiv, i pa takt dhe i pavëmendshëm.

Gjithashtu, në mënyrë të vrazhdë është i sinqertë për reagimet e veta ndaj diagnozës, ndaj gjendjes dhe trajtimit të kancerit – qofshin lotët, mungesa e vetëpërmbajtjes nga zmadhimi i prostatës apo tredhja kimike përmes terapisë së privimit nga androgjeni. Trajtimi hormonal e la këtë vrapues pasionant të ketë “trupin e shëndoshë të një eunuku pa qime”.

Ndryshoi gjithashtu marrëdhënia e ish-kirurgut me spitalet. Aty ku dikur ia jepnin statusin, tani e bëjnë të kuptojë se është pacient i “klasës së ultë”. I njohur mirë me uniformën e mjekëve gjatë operimeve, e përjeton si përulje veshjen e një fustani me një boshllëk absurd që ekspozon prapanicën dhe kur herë pas here injorohet ose kur bisedon me stafin mjekësor.

Marsh i përdor këto përvoja për ta vënë në dyshim atë se si i trajtoi disa nga pacientët në të kaluarën, i rishqyrton të vërtetat dhe gjysmë të vërtetat që kirurgët i përdorin në dhomat e konsulencës, si dhe marrëdhënien e tyre fleksibile mes punës dhe shpresës – me sa duket një mjet ky i fuqishëm mjekësor. Por, në vend që t’i thur lavde shpëtimit të jetëve, Marshi e mundon veten duke i kujtuar pacientët me tumore të pashërueshme, siç ishte botanisti i pyjeve tropikale nga Ekuadori të cilin nuk mundi ta shpëtojë.

Ofrohen këshillat se si mjekët dhe kirurgët duhet t’i shmangin gabimet, veçanërisht në lidhje me komunikimin dhe empatinë për të cilat beson se janë të vështira, sikurse edhe detyra. Por, libri është shumë më tepër se një manual për “si të …”! Është koleksion i shkruar bukur i kujtimeve, i mendimeve dhe i mësimeve jetësore që përfshijnë martesën dhe ndarjet, frikën nga çmenduria dhe ndryshimet klimatike, obsesionin për punimet me dru dhe kompulsioni për të bërë gjëra – pavarësisht ndërtimit të kulmeve që gjithmonë pikojnë.

Marsh shfaq gjithashtu harenë e paramendimit të përrallave për tri mbesat të cilat përmenden në dedikimin e librit. I vlerëson rreziqet etike të eutanazisë së bashku me dhembshurinë e vdekjes së asistuar dhe praktikën më shqetësuese – jozyrtare – të “sedacionit terminal” në Mbretërinë e Bashkuar.

Këtu stafi mjekësor pacientëve ua jep dozat vdekjeprurëse të ilaçeve kundër dhimbjeve, me pretekstin e lehtësimit të dhimbjes dhe të shqetësimeve të tyre. Duke e pranuar këtë akt si mjek i ri, për të cilën ende beson se ishte gjëja e duhur për t’u bërë, tani e kupton se nëse nuk ka diskutim paraprak me të afërmit ose të dashurit, është eutanazi e kryer pa pëlqim.

Të gjitha përsiatjet e tij zgjaten pas leximit: qoftë nëse është rëndësia e vdekjes dhe zgjedhja personale; zhgënjimi për t’u mashtruar nga një mjeshtër; ose krenaria për të bërë shtëpi kukullash me dyshemetë e dhomave të gjumit nga elmi dhe abanozi. Reflekton për operacionet në Mbretërinë e Bashkuar, në Nepal dhe në Ukrainë, ku punoi për afro 30 vjet – deri pak para pandemisë, dhe për gjendjen aktuale që e la të dëshpëruar.

Midis këtyre kujtimeve janë shpesh përshkrimet brilante se si funksionojnë pjesët e trurit. E shpjegon modelin standard të ndërgjegjes dhe marrëdhënien e saj me trungun e trurit, duke e krahasuar vetëdijen me shkëlqimin e dritës së ndezur në skajet e qindra fijeve të një llambe me fibra optike. Fikeni rrymën elektrike dhe do të ketë errësirë. Nëse trungu i trurit mbetet i paprekur dhe i lidhur, do të ketë ende dritë – edhe nëse ka dëmtime në disa prej fibrave. Kjo është arsyeja se pse kirurgët, përfshirë Marshin, kanë hasur te pacientët me lëndime në dukje drastike të kokës – të tilla si dalta e ngulitur në trurin e tyre – por që ishin ende të vetëdijshëm.

Pavarësisht se është përballur me vdekjen gjatë gjithë karrierës, vetëm pasi Marsh përballet me vdekjen e afërt personale kupton më shumë për jetën e vet. Duke i ndarë gjetjet e veta, vepra “Dhe më në fund” padyshim që do t’i shtyjë të tjerët të mendojnë për ekzistencën dhe, më e rëndësishmja, të kuptojnë se për çfarë vërtet ia vlen të jetohet. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Piruni

Piruni

Daut Dauti
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
IDIL I VDEKUR

IDIL I VDEKUR

Poezi
Sabahetja e Prishtinës

Sabahetja e Prishtinës

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Kalo në kategori