LAJMI I FUNDIT:

Destani: Diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor

Destani: Diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor

Kryetari i Nderit i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Lazim Destani tha diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor.

Ai gjatë fjalës së tij në Forumin e Bizneseve të Diasporës tha se krahas aspektit të investimeve, vlerat e diasporës janë shumë-dimensionale, si nga aspekti i  transferit të eksperiencave, dijeve, etj.


“Është thënë shumë herë se roli i diasporës shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendeve tona është kyç dhe i padiskutueshëm. Diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor. Krahas aspektit të investimeve, vlerat e diasporës janë shumë-dimensionale, si nga aspekti i  transferit të eksperiencave, dijeve, inovacioneve, kulturave e pse jo edhe të rrjeteve të bashkëpunimit me bizneset dhe kompanitë evropiane nëpër vendet ku ne veprojmë dhe operojmë. Kontributi dhe rezultatet e diasporës janë evidente. Që nga pavarësia e Kosovës e këndej, viti i kaluar ishte viti me rritje ekonomike më të lartë, rritje madje më e larta në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në mënyrë paralele, eksporti i ekonomisë së Kosovës në Evropë si dhe rritja e konsumit ishin faktorët e rëndësisë së veçantë të rritjes ekonomike. Eksporti po shënon zhvillim shumë dinamik, madje, jo vetëm me çmimet konkuruese por mbi të gjitha, me standardin e cilësisë konkurruese”, theksoi ai.

Forumi i Bizneseve të Diasporës, Kurti: Zhvillimi i Kosovës lidhet direkt me kontributin e mërgatës – ejani, kontribuoni e fitoni
Lexo po ashtu Forumi i Bizneseve të Diasporës, Kurti: Zhvillimi i Kosovës lidhet direkt me kontributin e mërgatës – ejani, kontribuoni e fitoni

Sipas tij, krahas shumë industrive të tjera, industria e përpunimit të drurit për shembull, po depërton në tregjet evropiane përmes cilësisë.

“Krahas shumë industrive të tjera, industria e përpunimit të drurit për shembull, po depërton në tregjet evropiane përmes cilësisë. Kjo sot na duhet, sot nuk ka vepër më të madhe patriotike se sa rritja e eksportit dhe ekonomive tona. Ka akoma shumë hapësirë dhe potencial për përmirësim në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe mendoj se kompanitë e diasporës sonë në Evropë e gjetiu janë urat më të fuqishme lidhëse të këtij zhvillimi. Importet e larta dëshmojnë për mundësitë tona për investime në sektorë që do t’i zëvendësonin produktet e importit. Pra në të dy krahët, në eksport dhe import të produkteve, shërbimeve dhe kapitalit njëkohësisht ekziston hapësirë dhe potencial i madh që mund dhe duhet të shfrytëzohet. Si në diasporë ashtu edhe në trojet tona ne kemi rini të mrekullueshme, të rinj e të reja, të shkolluar e të përgatitur profesionalisht që e duan punën dhe janë me plot ambicie për të arritur suksese në jetë. Kjo paraqet kënaqësi të madhe për të gjithë ne, dhe ne jemi ata që duhet ta krijojmë hapësirën e veprimit të tyre. Arritja e këtyre synimeve duhet të mbështetet edhe me politikat ekonomike të vendeve tona për lehtësimin e këtyre trendëve”, ka thënë ai.

Ai po ashtu u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që ta mbështesin unitetin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare si një vlerë e veçantë kombëtare.

“Për ta përfunduar, si kryetar Nderi i Rrjetit Global të Diasporës sonë, e ndiej si detyrim ta potencoj nevojën e unifikimit dhe ngritjen e nivelit organizativ të strukturave të Rrjetit. Arritja e funksionimit të mirëfilltë të Rrjetit të Diasporës është tejet e rëndësishme, jetike dhe kombëtare. Uniteti, forca e Rrjetit dhe suksesi i tij reflekton në mënyrë të drejtpërdrejtë tek zhvillimi ekonomik dhe uniteti i trojeve tona etnike. Shfrytëzoj nga rasti t’i ftoj edhe autoritetet shtetërore të vendeve tona ta mbështesin unitetin dhe forcimin e Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës sonë si një vlerë me peshë të veçantë kombëtare”, ka thënë ai./Telegrafi/