Ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Murat Mehmeti, të hënën ka dëshmuar në gjykimin ku Gani Geci është duke u akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Gani Gecit, avokatit Ndrecë Dodaj, Mehmeti tha se ka punuar si zyrtar policor nga viti 2000 deri në vitin 2010, gjatë të cilës kohë tha se kanë pasur informacione nga ndërkombëtarët se Geci kishte qenë cak i përhershëm i sulmeve deri në vitin 2004.
“A mundesh me na shpjegu nëse të kujtohet, prej kujt saktësisht apo afërsisht ka qenë i rrezikuar Gani Geci”, ishte pyetja e avokatit Dodaj drejtuar dëshmitarit Mehmeti.
“Ne kemi pasur informacione operative nga zyrtarët policorë ndërkombëtarë dhe njësive ndërkombëtare se Gani Geci ka qenë caku i përhershëm i sulmeve deri në vitin 2004, nuk kemi pasur informacione konkrete kështu që, ne të gjitha vrasjet i kemi trajtuar si enigmatike”, tha dëshmitari.
Mehmeti tha se nga janari i vitit 2004 kishin marrë informacione për një grup të rrezikshëm pjesë e të cilit tha se kishte qenë edhe i ndjeri, Ruzhdi Shaqiri.
“Për këtë nga janari i vitit 2004, kemi ardhur të informacionet se një grup i strukturuar ekstrem i rrezikshëm janë duke i kryer këto vrasje, në mesin e të cilëve ka qenë edhe personi i cili tash është viktimë Ruzhdi Shaqiri. Në këtë grup të gjithë kanë pasur dy ose tri identitete. Ne si hetues atëherë kemi pasur informacione por asnjëherë nuk kemi arritur të gjejmë dëshmi materiale për shkak se veprat penale të kryera janë kryer në mënyrë profesionale”, ka thënë dëshmitari Mehmeti.
I akuzuari Geci e pyeti dëshmitarin nëse kishte qenë i kërcënuar ndonjëherë, pasi që siç tha, i ka hetuar vrasjet politike, me dëshmitarin Mehmeti që u përgjigj se kishte pasur kërcënime.
“Po prej ditës kur jam transferuar në njësi të vrasjeve të ftohta e kam ditë sigurt se mund të jem i vrarë”, tha Mehmeti.
I pyetur nga prokurori Naim Beka, se interesimi për sigurinë e të pandehurit Gani, a është bërë me kërkesë të tij apo ex-officio, dëshmitari tha se një gjë e tillë ishte bërë ex-officio dhe se për këtë, ai tha se i akuzuari Geci nuk kishte qenë në dijeni.
Gjatë seancës të së hënës, dëshminë e tij e ka dhënë edhe dëshmitari Faton Ramadani, i cili tha se me të akuzuarin Geci njihen që një kohë të gjatë.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Dodaj, dëshmitari tha se Gecin e kishte takuar për herë të parë si deputet.
“Po, Ruzhdi Shaqirin a e ke njohur”, ishte pyetja e radhës e avokatit, për çka dëshmitari u përgjigj se, “Po e kam njohur diku mbi 10 vite”.
Avokati e pyeti dëshmitarin nëse e kishte njohur edhe Florim Ejupin.
“Gjatë një vizite kur kam qenë në burg, në sallën e vizitave ka qenë edhe ai më familje, e vet ka ardhur edhe prej aty e njoh”, u përgjigj dëshmitari Ramadani.
Dëshmitari tha se ka kaluar kohë së bashku me të ndjerin Shaqiri, Florim Ejupin dhe një person me emrin Bahri.
“A keni njëjtë një herë apo më shpesh”, ishte pyetja e avokatit Dodaj për dëshmitarin Ramadani.
“Unë nuk kam pas shoqëri më Florimin, unë e kam pa në media që Bahria ma ka përmend emrin në gjykatë, kur më erdh ftesa unë e kuptova pse mundet më kanë ftesa, për ata çka e ka thanë Bahria ngjarja ka filluar pasi unë kam qenë më një shok dhe jam ndal të një mjeshtër që ndreq xhama të kerrit, aty kemi qenë duke folur më mjeshtrin u ndal Gani Geci me kerr dhe u afru afër neve, dhe aty i kemi bërë disa biseda më Ganin. Njëra prej atyre bisedave ka qenë Ganiu tha Gjykata Speciale ka mi arrest krejt këta a nuk e di qysh i quajti më një fjalë, atëherë hynë në debat me atë shokun Ardian Muja”, tha dëshmitari Ramadani.
Lidhur me këtë, avokati e pyeti dëshmitarin nëse kishte dëgjuar ndonjë bisedë mes të ndjerit Shaqiri dhe personit me emrin Bahri, lidhur me Gecin.
“A e keni dëgjuar ndonjë bisedë mes Ruzhdisë e Bahrisë për Ganiun”, ishte pyetja e avokatit Dodaj për dëshmitarin.
“Edhe aty gjatë debatit me Ganin, ky tha rastin tim ka me zbulu, unë i thash je tu akuzu shumë persona duhet me u ruajte mos mi përmend njerëzit pa prova, edhe ai personi me mbiemrin Qorri ka thënë “Nuk ja fali Bahrisë se ma ka qit një incizim publik”, tha dëshmitari.
Dëshmitari shtoi se e kishte pranuar një telefonatë nga i ndjeri i cili e kishte pyetur se pse po rrinë me “hasëm” të tij.
“Pas tri ditëve me ka thirr Ruzhdia dhe më ka thënë pse po rrinë me hasem t’mi , dhe ju drejtova më fjalët nuk kam shoqëri me Ganin por tash për inati do të rri se nuk mundesh me më msu ti mu. Pas disa minutash, më ka thirr Bahria në telefon dhe tha se më ka thirrur Ruzhdia mu taku por u sill ashpër në telefon dhe e lamë mu taku tek Qendra Tregtare në Breg të Diellit. Kur kam shkuar aty, ata veç ishin taku Bahria, Florimi dhe Ruzhdia dhe kanë qenë edhe disa persona por tash me emra nuk i di, kishte qenë situata e acarume, atëherë kur shkova unë u mshel si problem dhe nuk ndodhi diçka ma e madhe”, u përgjigj dëshmitari.
Pas përfundimit të dëshmive të dëshmitareve, seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale.
Seanca e radhës kur pritet që i akuzuari Geci ta jap mbrojtjen e tij do të mbahet më 25 maj 2021, në ora 10:00.
Ndryshe, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.
Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.
Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci ka deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë. Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci kishte thënë se nuk ndihet fajtor.
“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, kishte deklaruar i pandehuri Geci në seancën e 30 marsit 2021.
Mirëpo, pranimi i fajësisë ishte refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.
Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.
Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.
“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.
Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.
Gani Geci akuzohet se Ruzhdin Shaqirin e kishte vrarë në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëPacolli i reagon Pecit: Dikur mbaje bluzën e kompanisë time, sot më quan vrasës
Nga Gjermania në Kosovë: Historia e çiftit Zhubi që u kthye në vendlindje pas 32 vitesh
I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër
Droga në lëkurë gjedhi në Krujë: Do të prodhohej 800 kg kokainë, baza sekrete pranë shtëpisë së politikanëve
Xhemaili: Kurti nuk ka arsye të preket për doracakun se nuk i mëson fëmija në Kosovë
Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit