Baronesha gjermane, Marie Amelie von Godin (1882-1956), u lind dhe u rrit në Munih në traditat e Kishës Katolike, si bija e një familjeje aristokrate bavareze. Në vitet 1905-1906, me vëllain e saj më të vogël ajo udhëtoi në Athinë, Kostandinopojë dhe Palestinë. Pikërisht gjatë një udhëtimi me anije drejt Kostandinopojës, ajo takoi për herë të parë një shqiptar, Avdi bej Delvinën, i cili e ftoi të vizitonte vendin e tij. Në vitin 1908, ajo më në fund arriti në Shqipëri ku u njoh me Eqrem bej Vlorën me të cilin krijoi një miqësi të ngushtë dhe të përjetshme. Pa dyshim, ishte ai që e frymëzoi atë t’ia kushtonte jetën Shqipërisë. Baronesha Godin udhëtoi për ta vizituar atë në vitin 1910 dhe më pas sërish nga shtatori i vitit 1912 deri në prill të vitit 1913 kur u përfshi në kaosin e Luftës Ballkanike dhe dëshmoi personalisht shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë për të cilën ajo raporton këtu.

Nga: Marie Amelie von Godin[1] Përktheu nga gjermanishtja në anglisht: Robert Elsie
Përktheu nga anglishtja në shqip: Agron Shala


Ishte shtresa e arsimuar e shoqërisë shqiptare ajo mbi të cilën familja Vlora, përkatësisht Syrja beu dhe Ekrem beun [Eqrem bej Vlora], mund të mbështeteshin më së miri, që në fillim. Për shumicën e këtyre burrave, mjaftonte një fjalë e vetme për t’i bindur të merrnin pjesë në planifikimin e një kuvendi të përbashkët, veçanërisht sepse të gjithë kishin qenë politikisht aktivë gjatë viteve të fundit dhe e kuptonin rëndësinë e momentit, si dhe për faktin se shumica prej tyre thjesht po prisnin që dikush të ndërmerrte hapin e parë.

Duke qenë të afërt me katër familjet e fundit feudale të fuqishme në vend - Vlorajt, Toptanasit, Libohovajt dhe Delvinajt - ata kishin ndikim në qytetet e tyre përkatëse dhe mund të bindnin këto qytete dhe vendet përreth për t’u bashkuar në lidhjen e planifikuar. Por, nuk mjaftonte të fitoheshin vetëm këto qytete sepse, nëse lidhja do të kishte ndonjë rëndësi reale, do të duhej të përfshinte përfaqësues nga të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë, dhe do të duhej të përfshinte shtresën e mesme dhe popullsinë në përgjithësi. Vetëm atëherë kjo ndërmarrje do të ishte e sigurt për nismëtarët. Turqia nuk ishte mposhtur ende dhe trupat e saj ishin të pozicionuara rreth kufijve të Shqipërisë. Ajo ende kishte mundësi të ndalonte dhe të varte udhëheqësit e çdo lëvizjeje politike të cilën nuk e miratonte. Megjithatë, ngjarjet e viteve të fundit kishin treguar se lëvizjet popullore në Shqipëri zakonisht përfundonin me një amnisti për pjesëmarrësit e tyre. Ishte e rëndësishme të fitohej mbështetja e shtresës së mesme dhe e popullit në masë të madhe. Duke pasur parasysh konfliktet e ashpra ndërmjet partive politike, larushinë e popullatës shqiptare - një popull i painformuar për politikën - dhe mungesën e përvojës së shumë prej udhëheqësve të saj, të gjithë e kuptonin se do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të fitohej përkrahja e popullsisë për një nismë të përbashkët brenda një periudhe prej tri javësh.

Këto vështirësi do të kishin qenë të mjaftueshme për të penguar çdo udhëheqës tjetër shqiptar, por për Syrja beun dhe Ekrem beun kishte edhe probleme shtesë për t’u kapërcyer, të cilat kishin të bënin me ta si individë. As Syrja beu dhe as Ekrem beu nuk ishin të privuar nga talenti i jashtëzakonshëm dhe nuk kishte askënd në Shqipëri që do të mohonte se Ekrem beu kishte punuar pareshtur për Shqipërinë, që në rininë e hershme, veçanërisht për përfshirjen e Shqipërisë në sferën austriake. Por, as i ati dhe as i biri nuk kishin kaluar shumë kohë në Vlorë, në katërmbëdhjetë vjetët e fundit, dhe, si pasojë, kishin humbur kontaktet dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta me njerëzit me ndikim atje. Në veçanti, kur Syrja beut iu dha leje për të kandiduar në zgjedhje si kundërshtar i kushëririt të tij, Ismail Kemal bej Vlorës [Ismail Qemali], e gjithë familja, qyteti dhe rajoni përreth u përçanë keq në dy kampe kundërshtare. Kur Syrja beu kandidoi si kandidat i qeverisë vitin e kaluar dhe e fitoi garën me ndihmën e qeverisë (tashmë janë të njohura mjetet e përdorura nga qeveria e xhonturqve për të imponuar kandidatët e vet), ai u përball me tërbimin e palës tjetër. Kjo armiqësi ishte e padrejtë, sepse Syrja beu nuk ishte përgjegjës për manovrimet elektorale që ndodhën në nivel kombëtar, dhe askush në Parlamentin turk nuk përfaqësonte interesat e Shqipërisë më mirë dhe më ndershmërisht se ai. Megjithatë, armiqësia ishte aty. Një tjetër problem me të cilin përballej familja Vlora ishte mentaliteti i veçantë i njerëzve të Vlorës. Si banorë të një qyteti-port, me ndikime të shumta që vinin nga jashtë, një qytet ku nuk ishte e vështirë të fitoje bukën veçanërisht për ata që, thënë kështu, ishin të gatshëm të dilnin nga shtegu kryesor, shumë prej të cilëve - më shumë se në çdo qytet tjetër të vendit - u zhvilluan në mashtrues, intrigantë dhe parazitë më të paskrupullt që mund të imagjinoheshin, në individë që unë do t’i quaja llumi i shoqërisë shqiptare. Burrat që nuk kanë asnjë ide se çfarë është sjellja vetëmohuese, zor se mund ta vlerësojnë atë te të tjerët. Për këtë arsye, shumë nga njerëzit e qytetit të Vlorës ishin të bindur se, në këtë plan, Vlora i vjetri dhe Vlora i riu kishin vetëm interesat e tyre personale. Një arsye e mirë për këtë mosbesim ishte se pala tjetër ishte mësuar me manovrat politike të Ismail Kemal beut, të cilat gjithmonë ishin të orientuara drejt përfitimit të tij personal.

Përveç kësaj, megjithatë, mosbesimi ndaj çdo influence dhe pushteti është gjë tipike shqiptare.

Megjithëse Syrja beu dhe i biri ishin të vetëdijshëm për të gjitha këto vështirësi, që në fillim - ose i kuptuan ato sapo nisën veprimtarinë e tyre - ata dërguan telegrame në të gjitha qytetet kryesore, duke kërkuar që të dërgoheshin përfaqësuesit në Vlorë për të diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Perandorisë Osmane. Këto telegrame nuk u nënshkruan vetëm nga Syrja beu, por edhe nga disa prej përfaqësuesve kryesorë të palës kundërshtare. Gjatë ditëve në vijim u morën shumë përgjigje. Disa ishin të paqarta, por shumica e qyteteve, në veçanti ato në Veri, e pranuan ftesën me vullnet dhe pa hezitim, duke deklaruar se do të niseshin për në Vlorë sapo të caktohej data për fillimin e mbledhjes.

Në atë kohë, Ismail Kemal beu ndodhej në Bukuresht, ku mori për herë të parë lajmin për përgatitjet e kuvendit. Ai menjëherë i dërgoi kabllograme miqve të tij në të gjithë Shqipërinë, duke i nxitur të besonin në atë që u ishte thënë dhe të kujdeseshin për të ardhmen e vendit. Pasi mori vesh për udhëtimin e Ekrem beut, u nis pa vonesë për në Vjenë.

Megjithatë, një konflikt i parashikueshëm shpërtheu shpejt mes drejtuesve të qytetit. Syrja beu e përjetoi këtë në mënyrë veçanërisht të vështirë, pasi nuk ishte i mësuar me situatën në Shqipëri.

Pavarësisht orëve të gjata me diskutime të lodhshme, ditë e natë, burrat e Vlorës nuk ishin në gjendje të merrnin asnjë vendim për një çështje që në vetvete ishte mjaft e thjeshtë, domethënë, pajtimi për datën e mbledhjes dhe mënyrën e organizimit të saj.

Pas disa ditësh të tilla, Syrja beu shfrytëzoi rastin e parë për t’u larguar nga këto konflikte të pakëndshme, rraskapitëse dhe të kota, dhe udhëtoi drejt Durrësit për t’u konsultuar përsëri me krerët shqiptarë të Veriut, në veçanti me Abdi dhe Murat bej Toptanin si dhe Dom Nikollë Kaçorrin, të cilët Ekrem beu i kishte vizituar pas kthimit nga Vjena dhe i kishte informuar për situatën e përgjithshme, si dhe për të përgatitur mbajtjen e kuvendit në një qytet të Shqipërisë së Veriut, nëse ishte e mundur. Ekrem beu, nga ana e tij, vazhdoi negociatat në Vlorë.

Pas vizitës në Durrës dhe Tiranë, Syrja beu vazhdoi drejt Shkodrës për të arritur një marrëveshje me udhëheqësit e shqiptarëve katolikë, por atje u kap nga rrethimi dhe nuk mundi të largohej nga qyteti për dy javë. Kur më në fund arriti të dalë dhe zbuloi se ende nuk ishte arritur ndonjë vendim i përbashkët dhe se ai po pengohej nga një mori detajesh të vogla, ai u ndje jashtëzakonisht i zhgënjyer për mungesën e mirëkuptimit ndaj përpjekjeve dhe punës së tij dhe për mosbesimin fyes të shumë prej bashkatdhetarëve të tij, dhe e humbi durimin. I sëmurë dhe i lodhur nga e gjithë kjo çështje dhe pa besimin se ishte e realizueshme, ai u nis për në Kostandinopojë në vend që të kthehej në Vlorë.

Me këtë ai la të birin në një situatë shumë të rrezikshme. Jo vetëm që burrat e Vlorës ishin po aq kryeneçë dhe të pandjeshëm sa më parë, por Ekrem beu, që ishte vetëm njëzet e shtatë vjeç, nuk ishte në gjendje të ushtronte autoritetin që i nevojitej në një vend të ndikuar thellësisht nga mënyrat orientale. Kjo situatë mund të duket e çuditshme për ata që nuk janë të njohur me Turqinë, sidomos në lidhje me një burrë që njihej në gjithë vendin për talentin dhe shpirtin vetëmohues. Megjithatë, ata që e njohin Orientin, do të mund ta konfirmojnë se arsyeja dhe karakteri i qëndrueshëm nuk mjaftojnë për të ushtruar ndikim në botën myslimane. Ajo që nevojitet, përveç kësaj, është një mustaqesh sepse ata kanë një pikëpamje disi fëmijërore se mençuria rritet bashkë me qimet e mustaqeve. Kjo qasje fatkeqe, e cila bën që aq shumë energji rinore të shkojë dëm dhe i bën të gjitha vendimet dhe përpjekjet në Orient të jenë të pasigurta, të mjegullta, të frikshme dhe të plogëta, është aq e përhapur saqë burrat më të moshuar e konsiderojnë turp dhe madje të paimagjinueshme që t’i nënshtrohen udhëheqjes së një njeriu më të ri.

Në Vjenë, Ismail Kemal beu mori vesh për largimin e Syrja beut, kuptoi çfarë kishte ndodhur, e pa se tani nuk do ta kishte më të vështirë të merrte kontrollin dhe i dërgoi një kabllogram partisë së tij, duke u thënë të mos ndërmerrnin asgjë derisa të kthehej në Vlorë.

Kjo e bëri edhe më të vështirë punën e Ekrem beut në Vlorë, sepse tani ai u përball me armiqësi të hapur nga mbështetësit e Ismail Kemalit. Ata i thanë Ekrem beut se nuk kishin ardhur në Vlorë për ta shitur vendin te Austria dhe, në naivitetin apo ligësinë e tyre, shkuan deri aty sa të dyshonin se të gjithë rreth tij ishin të paguar nga Austria.

Më e rëndësishme se fyerja e ulët ishte fakti që, pas shpinës së Ekrem beut, mbështetësit e Ismail Kemalit që kishin nënshkruar telegramin e Syrja beut, tani dërguan një telegram të dytë në të gjitha qytetet, duke anuluar telegramin e parë dhe duke u bërë thirrje përfaqësuesve të këtyre qyteteve të mos shkonin në Vlorë, përkundër kërkesës fillestare të Syrja beut.

Kështu, asgjë nuk ndryshoi. Situata ishte po ajo që kishte qenë tri javë më parë kur Ekrem beu kishte ardhur për herë të parë nga Vjena.

Pavarësisht gjithë kësaj, Ekrem beu vazhdoi përpjekjet, të paktën për të mbajtur fjalën që u kishte dhënë delegatëve të Shqipërisë së Veriut dhe atyre të disa qyteteve të Shqipërisë së Jugut që ishin gjithsesi të gatshëm të vinin, dhe për t’u treguar atyre se ai po bënte gjithçka që mundej për vendin e vet. Megjithatë, ai e dinte fare mirë se nuk do të ishte në gjendje ta mbante lidhjen të bashkuar pa rikthimin e të atit.

Në një udhëtim të përbashkët në Fier, gjatë të cilit pata rastin të marr pjesë në konsultime politike në shtëpinë e Virjonasve, e kuptova vetë se ky interpretim i situatës ishte i saktë, sepse, ndonëse Ekrem beu përpiqej për orë të tëra të shpjegonte gjendjen ashtu siç ishte në të vërtetë, ishte e pamundur të bindje ndokënd - përveç Kemal bej Virjonit - për domosdoshmërinë e veprimit të shpejtë dhe të themelimit të një lidhjeje. Ishte madje e pamundur t’u bëhej e qartë atyre se, me serbët në Manastir, turqit me siguri do të mposhteshin. Pavarësisht të gjitha shpjegimeve që u dhanë, reagimi i vetëm i tyre ishte: “Nëse Evropa do Shqipërinë, ajo do ta krijojë edhe pa ndihmën tonë; nëse jo, përpjekjet tona do të jenë të kota.” Nuk ishte e mundur t’i bëje këta njerëz të kuptonin se sa më e lehtë do të ishte për miqtë e Shqipërisë që të përfaqësonin dhe mbronin interesat e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare shqiptare dhe të zëshme në arenën ndërkombëtare, sesa të shtirnin nevojën për pavarësi kombëtare për një Shqipëri indiferente. Kjo vogëlsi, frikë dhe mungesë vullneti mund të mos çudisë shumë njerëz, por në këtë rast kishte edhe një aspekt tjetër të përfshirë. Reagimi i tyre për mos angazhim nuk ishte aq rezultat i mungesës së kuptimit, sa pasojë e smirës ndaj dinastisë së Syrja beut. Pra, në një mënyrë shumë tipike shqiptare, interesi publik u flijua dhe u mbulua nga konflikte me natyrë thjesht personale. Pozita e familjes Vlora në mytesarifin e vet nuk mohohej dhe njerëzit ishin të gatshëm ta pranonin autoritetin e saj në rrethana të caktuara dhe deri në një farë mase - por, vetëm deri në një farë mase. Nga Ismail Kemal beu nuk kishin ç’të trembeshin, sepse ai vetë nuk zotëronte prona në vend dhe djemtë e tij nuk ishin në gjendje të vazhdonin asnjë nga veprat që ai kishte nisur. Nga ana tjetër, këta udhëheqës të plogësht besonin se Syrja beu dhe dinastia e tij, vetëm përmes zotërimeve të gjera tokësore, kishin një peshë të konsiderueshme në vend dhe se do të bëheshin shumë të fuqishëm nëse do t’i lejohej të birit të ngrihej në një rëndësi të barabartë me të atin. Ata kishin frikë se pasuria, pozita, pushteti dhe ndikimi i tij do t’i kalonin të birit dhe do t’i jepnin kësaj dege të familjes Vlora njëfarë hegjemonie. Pikërisht këtë ishin të vendosur ta ndalonin.

Sapo u kthyem nga Fieri, në Vlorë u përhap lajmi se Ismail Kemal beu do të mbërrinte në ditët në vijim me të dërguarit e qyteteve të Shqipërisë së Veriut, të cilët e kishin pritur që nga telegrami i parë i Syrja beut që bënte thirrje për krijimin e një kuvendi kombëtar. Si rrjedhojë, përpjekja e Syrja beut dhe të birit ishte e destinuar të konkretizohej, megjithëse në një formë tjetër.

Po atë ditë, një lajmës solli lajme nga Labëria se grekët kishin zbarkuar në Himarë dhe u kishin bërë thirrje fshatrave të atij rajoni që të dorëzoheshin. Fshatrat e krishtera në bregdet, ku priftërinjtë ortodoksë kishin qenë për vite me radhë aktivë jo në përhapjen e fesë, por në përhapjen e propagandës kombëtare greke, u bindën lehtë për idenë e bashkimit me Greqinë dhe u dorëzuan menjëherë. Fshatrat myslimane në brendësi, megjithatë, vendosën të rezistonin nëse do të merrnin ndihmë nga Vlora. Kishte shumë njerëz në rrethinën e Vlorës të gatshëm të merrnin armët dhe të marshonin drejt Labërisë, por asnjë nga bejlerët e qytetit nuk ishte i gatshëm t’i udhëhiqte. Ekrem beu, për këtë arsye, vendosi të marrë përsipër drejtimin. Kishte disa arsye për këtë vendim. Para së gjithash, ai donte të takonte Ismail Kemal beun vetëm pasi të bëheshin të qarta planet dhe qëllimet e këtij të fundit, në mënyrë që të pozicionohej vetë në përputhje me rrethanat, pa e humbur pavarësinë përmes ndonjë premtimi të bërë në nxehtësinë e ngjarjeve. Përveç kësaj, pas javësh të tëra negociatash intensive politike, ai dëshironte të largohej përkohësisht nga intrigat dhe politika e prapaskenës. Më së shumti, ai kishte bindjen, dhe me të drejtë, se grekët duheshin kundërshtuar në mënyrë aktive, jo vetëm për arsye të krenarisë kombëtare, por edhe për vetë mbijetesën. Nëse Greqia do të merrte Vlorën, asnjë kuvend kombëtar shqiptar nuk do të mund të mbahej ndonjëherë. Ishte e qartë se kombi duhej të çlirohej nga armiku përpara se të fillonin bisedimet për një qeveri dhe një administratë.

Për këtë arsye, Ekrem beu u tërhoq në Kuç, ku ia doli të bindte këtë fshat dhe fshatra të tjerë myslimanë për nevojën e rezistencës së vazhdueshme, për të përballuar grekët në betejë të hapur dhe për të mos lejuar që ata të kalonin përtej fshatrave bregdetare që ishin të mbrojtura nga topat e anijeve. Kjo, pa dyshim, ishte më e dobishme sesa të qëndronte në Vlorë, ku gjithçka ishte gati dhe i gjithë qyteti po priste mbërritjen e dikujt si Ismail Kemal beu i cili, sipas mendësisë orientale, ishte mjaftueshëm i moshuar për të mbledhur të korrat.

Në male kishte përleshje. Të dyja palët ndaheshin nga vargmali i Çikës ose i Akrokerauneve. Njerëzit e Ekrem beut depërtuan tri herë në fshatrat e mbajtura nga grekët dhe mund ta kishin dëbuar armikun i cili mbrohej vetëm nga një top i vetëm, jashtë vendit. Ata luftuan me guxim të jashtëzakonshëm, pavarësisht borës, të ftohtit dhe pamundësisë për të siguruar furnizime ushqimore nëpër kalime malore, veçanërisht për burrat që luftonin nën komandën e Ekrem beut dhe që ishin larg fshatrave të tyre. Megjithatë, shumë shpejt arritën përforcime, përfshirë burra nga fshatra të largëta të Labërisë. Ushtarët shqiptarë shpesh përshkruhen si të padisiplinuar dhe kokëfortë, por kjo është e vërtetë vetëm deri në një farë mase. Nëse trupat shqiptare nuk luftojnë mirë, është e sigurt që ata nuk kanë një udhëheqës të zotin dhe se ky udhëheqës nuk ka dalë në ballë ashtu siç duhet. Kur një udhëheqës ndan vështirësitë dhe rreziqet e betejës me burrat e vet, ata e kapërcejnë çdo frikë dhe lodhje. Në këtë rast, burrat e Labërisë përballuan të gjitha kufizimet, pa u ankuar, dhe luftuan si luanë duke u hedhur përballë zjarrit të armikut, sepse udhëheqësi i tyre vuante urinë bashkë me ta dhe qëndronte me ta në vijën e zjarrit. Për shembull, ata e hodhën poshtë flamurin grek që ishte ngritur në Pilur, në një hapësirë të hapur, ndonëse ishin tërësisht të ekspozuar ndaj zjarrit të armikut nga një distancë e afërt. Vetëm i shtati prej tyre arriti deri te flamuri. Gjashtë të parët ranë nën zjarrin grek dhe edhe burri që arriti ta kapte flamurin vdiq ndërsa po e tërhiqte poshtë. Është për t’u vlerësuar ndikimi që ky komandant kishte mbi luftëtarët e vet, për faktin se asgjë nuk u grabit në fshatrat e armikut, sepse Ekrem beu u kishte kërkuar njerëzve të tij të mos preknin asgjë - ndonëse burrat e Labërisë njihen në të gjithë Shqipërinë për prirjen e tyre ndaj plaçkitjes. Vetëm një batanije u mor, e cila ishte rrëmbyer nga dy burra bashkë. Meqë nuk dinin si ta ndanin, ia dorëzuan Ekrem beut. Luftimet në Himarë vazhduan për muaj të tërë pas kthimit të Ekrem beut në Vlorë, por pa të njëjtin vrull. E vetmja pasojë e gjithçkaje ishte se grekët nuk arritën të avancojnë më tej dhe shqiptarët nuk arritën të merrnin Himarën. [...]

Pavarësisht komunikimit të dobët, ditë pas dite në Vlorë vinin lajmet për afrimin e Ismail Kemal beut. Thuhej se ai ishte në shoqërinë e një numri patriotësh që kishin qenë aktivë jashtë vendit gjatë viteve të fundit, veçanërisht në Bukuresht. Po ashtu qarkullonin zërat se Isa Boletini dhe mbështetësit e tij besnikë ishin në rrugë për në Vlorë. Fjala përhapej nga goja në gojë, por edhe atëherë askush në Vlorë nuk besonte se vendi ishte në prag të shpalljes së pavarësisë.

Deri në atë pikë, kishte një dëshirë të madhe për paqe dhe rend në mesin e atyre që kishin një kuptim bazik të situatës politike ose, më mirë, në mesin e atyre që përmes pasurisë së tyre kishin një arsimim më të lartë apo më të moderuar dhe e vlerësonin rëndësinë e rendit publik dhe të një qeverisjeje të mirë. Pas viteve të shtypjes nën Abdul Hamidin dhe kryengritjeve të vazhdueshme, ata tani dëshironin marrëdhënie normale, në mënyrë që pronarët shqiptarë të tokave, ashtu si zotërinjtë e pasur në vendet e tjera, të mund të uleshin dhe të gëzonin të ardhurat nga tokat e tyre; që zejtarët shqiptarë të përqendroheshin në fitimin e parave dhe jo në grindjet me fqinjët; dhe që tregtarët shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të vazhdonin tregtinë e import-eksportit pa u penguar nga bojkotet, luftërat, bllokadat apo shqetësimet e tjera. Ky mall për rend u kristalizua në dëshirën për një fuqi të madhe që të ishte mjaftueshëm e fortë për ta mbrojtur Shqipërinë nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, një fuqi që do të ishte e gatshme të nxiste përparimin e vendit edhe pa pavarësi politike. Ishte Monarkia Austro-Hungareze ajo ku ata i drejtuan shpresat, sepse me Vjenën ndiheshin më të lidhur. Për këtë arsye, elementët më të qetë ndër shqiptarët, me përjashtim të udhëheqësve politikë që e kuptonin natyrën e përhantë të kësaj shprese, prisnin prej javësh që Austria të zbarkonte trupat. Sa herë që shfaqej një anije në horizont, ata besonin se ishte një kryqëzor austriak dhe fillonin të bëheshin gati për zbarkimin.

Kjo shpresë mbeti gjallë deri në mbërritjen e Ismail Kemal beut, por kur ai mbërriti, ajo u harrua menjëherë dhe u zëvendësua nga një kureshtje e madhe për të parë çfarë ndryshimesh do të sillte me vete.

E pritëm për dy ditë, por ai mbërriti natën kur të gjithë ishin në gjumë të thellë.

Kurrë nuk do ta harroj mëngjesin e ardhshëm, 28 nëntorin. Sapo isha zgjuar kur më thirrën të shkoja në selamllëk. Aty takova Hydej Efendiun, një nga agallarët më të nderuar të Vlorës. “Baroneshë, ne e dimë që Ekrem beu ka një flamur shqiptar,” më tha ai. “A mund të shkosh e të na e sjellësh, të lutem? Sot do ta ngremë, sepse kemi vendosur të shpallim pavarësinë e Shqipërisë.”

Shkova dhe mora flamurin - flamurin e parë shqiptar. Ishte ai që Ekrem beu e kishte marrë me vete në udhëtimet e tij nëpër Shqipëri gjatë tetë vjetëve të fundit, në një kohë kur mezi guxohej të flitej shqip, sepse rrezikoje të arrestoheshe ose të internoheshe.

Ato ditë isha e entuziazmuar sepse e dija që Ismail Kemal beu nuk do të merrte një hap të tillë pa u inkurajuar nga disfata e Turqisë në Evropë. Një burrë me aftësitë e tij intelektuale nuk do ta hidhte vendin në një aventurë të tillë pa qenë i bindur për rezultatin.

Po atë ditë, flamuri shqiptar u ngrit me të vërtetë në portën e hyrjes së shtëpisë së Selim Bej Vlorës.

Në dritare qëndronin Ismail Kemal beu dhe të gjithë deputetët e qyteteve të Shqipërisë së Veriut që kishin mbërritur me të: Abdi dhe Murat Bej Toptani, Sali Efendi Gjika [Salih Gjuka], Mid’hat Bej Frashëri, Dom Nikollë Kaçorri, Riza Bej Gjakova [Kryeziu] dhe të tjerë. Një turmë e dendur ishte mbledhur në kopsht. Midis toskëve ishin përzier gegët shtatgjatë dhe vitalë, me koka të rruara dhe plisa të bardhë, secili me një pushkë në krah.

Gratë në harem përshëndetën me dorë kur flamuri u ngrit. Një plak që qëndronte te dera e shtëpisë tha me zë të dridhur nga emocionet: “Tani jam gati të vdes, se e pashë këtë ditë të agojë!” Shumë prej burrave të pranishëm kishin ëndërruar për këtë ditë dhe çfarë sakrificash kishin bërë për të!

Kur u ngrit flamuri, të gjithë kënduan me entuziazëm himnin “Për mëmëdhenë”. Më pas, Ismail Kemal beu, Murat Bej Toptani dhe Dom Kaçorri iu drejtuan turmës me fjalë të thëna zëshëm, për t’i dëgjuar. Personalisht, u ndjeva pak e zhgënjyer nga fjalimet e tyre. Kisha shpresuar që udhëheqësit do të shpreheshin qartë për planet dhe synimet. Në vend të kësaj, të tre thanë vetëm se flamuri ishte ngritur dhe se do të preferonin të vdisnin sesa të lejonin serbët apo grekët të hynin në vend. Kjo ishte disi absurde, duke pasur parasysh faktin që serbët tashmë kishin kaluar Pejën dhe po marshonin drejt detit. Në fakt, shumë nga pjesëmarrësit veriorë në Kuvend thjesht kishin ikur prej tyre - një hap i kuptueshëm dhe i arsyeshëm - por, megjithatë, mbetej një ikje.

Të paktën mësuam atë ditë se do të formohej një qeveri e përkohshme, e cila do të mbante pushtetin derisa fati i Shqipërisë të vendosej nga konferenca e ardhshme evropiane. U informuam gjithashtu se Ismail Kemal beu do të ishte kryetar i kuvendit kombëtar dhe Dom Nikollë Kaçorri (një klerik shqiptar katolik) do të ishte nënkryetar, çka ishte një dëshmi se fanatizmi fetar nuk kishte vend në Shqipëri.

Jo të gjithë deputetët toskë kishin mbërritur, por të paktën nga disa qytete kishin dërguar fjalë se do të vinin.

Në atë mbrëmje dhe, veçanërisht, gjatë dy ditëve në vijim, shqetësimi dhe skepticizmi filluan të përhapeshin, madje edhe ndër ata ishin kapluar nga entuziazmi fillestar. Shumë njerëz nuk e kapërcyen dot mosbesimin ndaj Ismail Kemal beut. Një grua shumë inteligjente nga shtresa e vogël e mesme, për shembull, më tha në ditën që ai mbërriti: “Kemi frikë. Do të ndiheshim shumë më të lehtësuar nëse Syrja beu do të kishte ardhur me Ismail Kemalin.” Të tjerë më thanë: “Shpresoj që ky njeri, që s’ka pasur kurrë shumë fat, të mos sjellë me veten ndonjë shkatërrim të ri - luftë dhe plaçkitje.” Ky mosbesim ndaj figurës së presidentit të ri kishte lidhje më shumë me të kaluarën e tij sesa me ngjarjet që po zhvilloheshin aty [...] /Telegrafi/

__________

[1] Pjesë nga: Marie Amelie Freiin von Godin, Aus dem neuen Albanien: politische und kulturhistorische Skizzen (Vienna: Josef Roller, 1914), fq. 35-49.