LAJMI I FUNDIT:

Dënohen dy kosovarë në Zvicër, ia morën priftit 300 mijë franga me mashtrim

Dënohen dy kosovarë në Zvicër, ia morën priftit 300 mijë franga me mashtrim

Dy persona nga Kosova janë dënuar për mashtrim përmasash komerciale nga Gjykata Penale e Luzernit. Ata kanë përdorur gënjeshtra për të marrë para nga një prift dhe e kanë mashtruar atë duke i marrë mbi 300,000 franga.

Njëri nga të akuzuarit, 38-vjeçari pensionist ivalidor është dënuar me 20 muaj burg efektiv.

Sipas gjykatës, ai ka mashtruar priftin duke i marrë atij njëqind “hua” me vlerë 150,000 franga midis viteve 2014 dhe 2018. Për shkak të varësisë së tij nga bixhozi, ai duhet t’i nënshtrohet edhe trajtimit ambulator.


Bashkëpunëtori i tij, gjithashtu 38 vjeç dhe me borxhe të rënda, u dënua me 27 muaj burg me kusht. Ai kishte marrë njëzet herë hua nga prifti, me një vlerë totale prej 165 mijë frangash dhe ishte i përfshirë si bashkëpunëtor në shumë prej mashtrimeve.

Siç raporton gazeta “Zofinger Tagblatt”, mashtruesit e kanë vënë nën presion priftin gjatë rrëfimit të tyre. Pensionisti invalidor ishte ankuar se kishte borxhe të mëdha dhe kërcënohej me burg. Ai ankohej se i duheshin para për të vizituar të afërmit e sëmurë në Kosovë.

I akuzuari i dytë është shfaqur në vitin 2017.

Në fillim ai thjesht kishte vozitur bashkëpunëtorin e tij, por së shpejti edhe ai kishte filluar të kërkonte “huadhënie” nga prifti, përcjell albinfo.ch. Arsyetimi i tij ishte se ai donte të fillonte biznesin e tij të suvatimit.

Gjykata ka konfirmuar se prifti ishte treguar naiv, nisur nga vetë misioni i tij, por se ai nuk mund të akuzohej për përgjegjësi të përbashkët.

Aktgjykimet nuk janë ende të formës së prerë sepse të dënuarit kanë bërë ankesë. Gjithashtu u vendos që ata të dy të dëbohen nga Zvicra për disa vite.