Dëmtohen vagonët e sapo-riparuar, Trainkos: U dëmtuan ende pa u vënë në operim, veprim i qëllimshëm – ishte investim në vlerë prej 423 mijë eurove

Trainkos ka bërë të ditur se sot vagonët e sapo-riparuar janë dëmtuar dhe ngjyrosur me grafite në mënyrë të qëllimshme në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit.
Trainkos thekson se ky incident vjen pas dëmtimit të xhamave që kishte ndodhur në muajin prill.
“Sot, vagonët tanë të sapo-riparuar janë dëmtuar dhe ngjyrosur me grafite në mënyrë të qëllimshme në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit... Këta vagonë janë riparuar me një investim prej 423,000 euro, nga buxheti i Republikës së Kosovës, dhe ende pa u vënë në operim janë dëmtuar sërish”, thuhet në reagim.
Trainkos thekson se më 17.12.2024, në ora 15:50, me trenin 44980, në Stacionin e Hanit të Elezit kanë mbërritur vagonët që gati një vit, projekt kapital i vitit 2024.
“Megjithatë, deri më sot NP Infrakos Sh.A. nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për hapjen e linjës hekurudhore, e cila nevojitet për transportimin e këtyre vagonëve në stacionin amë në Fushë Kosovë.
Aktualisht, transportimi i 5 vagonëve është i pamundur, pasi linja Fushë Kosovë – Hani i Elezit mbetet e mbyllur e vetmja linjë për t’i kthyer ata në funksion dhe për të rritur kapacitetet tona transportuese”, thuhet në reagim.
Trainkos tutje thekson se që nga fillimi i këtij projekti në vitin 2019, dëmet ndaj ndërmarrjes janë të mëdha: humbje financiare që tejkalojnë 10 milionë euro, humbje të klientelës dhe të imazhit, zhvendosje të konsiderueshme të klientëve nga transporti hekurudhor në atë rrugor.
“Këto pasoja do të vazhdojnë të ndihen për një periudhë të gjatë dhe rikuperimi i plotë do të kërkojë vite. Ky akt vandal është dëm i drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe ndaj përpjekjeve tona për modernizimin dhe përmirësim të shërbimeve të transportit hekurudhor. Trainkos Sh.A. kërkon nga organet kompetente hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/


















































